Para Bashkisë së Tiranës është duke u zhvilluar protesta e tetë e thirrur nga Aleanca Kombëtare e Mbrotjes së Teatrit dhe Partia Demokratike, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas publikimit të skandaleve financiare dhe korruptive me kompaninë 5D të drejtorëve të bashkisë dhe inceneratorit fantazëm.
Urbanisti Gent Kaprata ka akuzuar ish-kryetarin e Bashkisë Tiranë, Edi Ramën dhe kryebashkiakun aktual Erion Veliaj se në vite që kanë shkatërruar dimensionin urban të qytetit, duke ndërtuan një industri ndërtimi që ishte atëherë mbetet edhe sot vendi ku pastrohen paratë e krimit.
Kaprata: Profesioni im si urbanist më ka bërë mua që ta dinim shumë vite më parë që një ditë si kjo e sotmja do të vinte. Për një urbanist është shumë e thjeshtë për të kuptuar se çfarë profili politik do të ketë kryetari i radhës i bashkisë thjesht duke parë se si ai trajton qytetin dhe qytetarët.
Kjo është arsyeja pse e dija se sot do ishim në këtë situatë dhe në këtë gjendje.
Për mua dhe kolegët e mi nuk ishte e vështirë për të kuptuar produktin e mënyrës se si ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama trajtoi Tiranën urbane, ishte shumë e thjeshtë pasi mbi 1 mijë lejet e ndërtimit jo vetëm shkatërruan dimensionin urban të qytetit, por ndërtuan një industri ndërtimi që ishte atëherë, mbetet edhe sot vendi ku pastrohen paratë e krimit.
Qeverisja lokale e zotit Veliaj, një shfaqje sa sureale aq edhe e paravendosur si një miksim i një fotografije e shoqërisë ouerlliane, një profeci vetëpërmbushëse.
Përballë kemi Policinë e Shtetit, me aq shumë armë saqë nuk dihet a është polici apo ushtri përballë popullit që duhet ta mbrojë.
Opozita ka thirrur sërish një protestë gjatë ditës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës, në vijim të thirrjeve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për protesta.
Deputeti Asllan Dogjani ka mbajtur fjalën e tij në këtë reagim qytetar.
Asllan Dogjani: Dua t’ju falënderoj juve që dilni këtu për të protestuar. Dua të falënderoj edhe të gjithë ata qytetarë të Tiranës, që për shkak të frikës të kësaj diktature që po instalohet nuk kanë mundësi për të ardhur sepse kërcënohen nga shteti dhe pushteti.
Këta janë hajdutë që e shikoni që me hajdutërinë e tyre kanë bërë që qytetarët e Tiranës të largohen, por jo vetëm, të largohen edhe gjithë shqiptarët.
A e shikoni se çfarë moshe jemi ne këtu, shikoni moshën mesatare. Ku janë djemtë tanë? Ku është rinia, ku janë vajzat dhe djemtë tuaj? Janë larguar për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën në vendin e vet. Prandaj ne jemi këtu, për të protestuar kundër këtyre hajdutëve.
A e dini se sa vuan një qytetar i Tiranës? A e dini se prona vidhet? A e dini se qytetarët e Tiranës kur dalin në mëngjes janë nën kërcënimin e kësaj diktature? Ne në Tiranë jemi në pamundësi për të marrë shërbimet e përditshme, prona vidhet, qytetarët nuk kanë mundësi që të marrin shërbimin shëndetësor. Qytetarët nuk kanë mundësi të marrin arsimin. Nuk ka mbetur një copë tokë pa u vjedhur, pa u bërë ndërtim …