18 Maj, 1 euro u këmbye me 100.35 Lekë!
Shqipëria pret krahëhapur turistët. Vendi me turizmin gjithëvjetor sipas statistikave të vitit 2023 ka një popullsi 13 milionëshe. 3 milion shqiptarë që venë e vijnë në emigracion dhe 10 milion turistë që hynë dhe dolën me shpresën e fitimit të një eksperience të re me çmime të ulta.
Këmbimi i lekut mund të ishte edhe ky titulli i këtij shënimi, por me zhvillimin e papritur të operacioneve policore krimit të organizuar si edhe me fletëthirrjet në SPAK të zyrtarëve të lartë kjo periudhë duhet të vërtetojë përgjegjësitë dhe veprimin e ligjit pa e bërë drejtësinë kapital politik në prag të një viti zgjedhor.
Shtetasit dhe qytetarët shqiptar duan rezultatin e drejtësisë dhe rikthimin e vlerave të dëmit financiar në arkën e shtetit kur humbjet janë vërtetuar dhe jo shuplakën për “shpërdorim detyre” apo ndëshkimin si hakmarrje.
Rruga që drejtësia në një shtet demokratik ndjek për të luftuar çështjet e abuzimit dhe lufton me korrupsionin, është “Ndiq paratë!”. Kjo të shpie me qartësi në zgjidhjen e problemeve vetëm në qoftë se shoqëria që duam të ndërtojmë shpreh vullnetin dhe bart moralin se mirëqenia dhe zhvillimi vijnë nga djersa e punës së gjithsecilit dhe konkurrenca e ndershme në tregun e lirë tek çdo anëtar i shoqërisë reflekton edhe në marrëdhëniet e tij me shtetin. Qeverisja që qytetarët zgjedhin është shërbëtori dhe rojtari që i plotëson këto kushte.
Po mundohemi të sjellim në këtë trajtim disa ilustrime dhe përfytyrime për t’i parë ato edhe si momente kryesore që ndodhen të zbuluara përpara syve tanë çdo ditë gjatë këtyre tre viteve të njëpasnjëshëm të mandatit të tretë të Rilindjes Socialiste. Ne ato megjithëse i kemi përpara syve dhe e ndjejmë peshën e përçmimit duket se nuk arrijmë t’i shohim ose nuk i vlerësojmë sa duhet sepse ato “çuditërisht” zhurmohen nga mënyra e trajtimit dhe aktivizmi politik jo vetëm i Kuvendit, por edhe i medias e cila po i shoqëron fushatat politike me plot përkushtim edhe deri jashtë kufijve.
“Ndiq paratë!” nuk është thjeshtë ndjekja e kursit ditor dhe e këmbimit të lekut shqiptar me valutat. Leku ka vërtetuar se ka marrë një epërsi historike në raport me euron dhe dollarin aq sa ka ngrirë në treg dhe po tregon sikurse edhe betoni që hidhet pa pushuar në qindra sheshe ndërtimi mes qyteteve, zonave të mbrojtura natyrore, bregdet etj. Apartamente dhe objekte që zor se u gjendet fuqia blerëse vendase që do të mundet ta pronësojë. Më 27 Mars, 2021 një euro këmbehej me 128.99 lekë (1€=128.99), ndërsa pas 38 muajsh 1€= 100.35. Jo vetëm forcim i lekut, por prej një viti vetëm me përjashtim të muajit Gusht 2023 ky këmbim ka patur një ngritje disa ditore deri në 110.55 lekë.
Prej kësaj situate nga ekonomistët publiku ende nuk ka dëgjuar një analizë të thellë dhe një shpjegim rreth arsyes së “forcimit” të lekut ku për të reklamuar turizmin gjithëvjetor, Shqipëria nuk shprehet aspak për tregun informal. Ky i fundit mund të dëgjohet vetëm atëherë kur monitorimi ndërkombëtar nxjerr të dhënat dhe i jep renditjen e merituar Shqipërisë në fund të tabelës. Kjo ndodh sepse së pari njerëzit janë kaq të varfër sa nuk arrijnë ta mendojnë kursin e këmbimit dhe se e dyta, agjitatorët e pushtetit japin shifra marramendëse milionëshe çdo ditë ku raportojnë dhjetëra projekte të cilat zor se mund t’i ndjekësh në përmbajtje apo t’i zbulosh në realitet. Rastet kur skandalet e përvetësimit shpërthejnë dhe aty ku abuzimet dhe vjedhjet dalin sheshit, njerëzit kuptojnë se çfarë ndodh për rreth. “Ndiq paratë!”, prej kohësh ka harruar të shoqërohet me marrjen e përgjegjësive sepse edhe media shprehet me gjuhën e politikës duke përforcuar moralin e “mbijetesës” se “peshku i madh e ha të voglin”.
Pikërisht gjatë një muaji kur goditja e krimit nuk është mjaftuar me operacione në shkallë të gjerë dhe kur brenda një dite janë lëshuar 43 urdhër arresti nga ku 20 prej tyre rezultuan me ndalime personash. Vlera e sekuestrimit ishte në 4.5 milion € ndërsa ana tjetër e ndodhisë tregoi edhe përfshirjen e disa figurave politike që janë të lidhura me krimin, por që i shpëtuan operacionit duke lënë përshtypjen se ata kishin patur sinjalizime për rrezikun dhe ishin larguar jashtë vendit.
Kjo situatë po tregon se drejt fundit të mandatit të tretë Rama, thirrjet dhe ndalimet nga SPAK për “shpërdorim detyre” po bëhen interesante. Herë pas here nga dyert e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dalin përfaqësues me pushtet dhe rrogëtarë të Rilindjes Socialiste. Pas shpenzimit të disa orëve përballë thirrjes së prokurorëve ku “Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë”. Përballë kësaj kërkese pjesë përbërëse e procedurës së ndjekjes penale, të bie në sy formula që përdoret nga të thirrurit e spektrit rilindas që dalin përpara medias. Sigurisht që ky është një proces i marrjes së informacionit dhe një praktikë e pakëndshme kur e thërret nevoja individin për t’u paraqitur sepse sa më pak fjalë dhe ekspozim deri sa çështja të zgjidhet gjendja psikologjike dhe fizike e personave është një përballim mes provës, së vërtetës dhe pafajësisë. Në këtë shpeshtësi hyrje daljesh ditore tek dyert e SPAK-ut media dhe opinioni ushqehen përditë sikurse me të drejtë mund të ngrenë pyetjen se;- A po zbatohen dy standarde nga ana e drejtësisë kur përsëritet dhe dëgjohet shpesh formula e bashkëpunimit me të gjithë ata që thirren?
Pas arratisë së ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, njeriu më pranë Ramës i cili e parandjeu dhe nuk ia besoi veten dorëzimit për prezumimin e pafajësisë në drejtësinë së re. Rrethi i thirrjeve dhe i ndalimeve u drejtua në nivelin e zyrtarëve të lartë për shkeljet e konstatuara në kontratën e partneritetit publik- privat (PPP), ku sfida e të paprekshmëve me të pa korruptuarit janë në raportet më të vështira se ndonjëherë tjetër. Rendi demokratik, pluralizmi dhe drejtësia janë në rrezik. Ja si vijon kronologjia për ta freskuar dhe cilat janë reagimet e funksionarëve të lartë shtetëror që prej vitesh qeverisin Shqipërinë.
Më 22/06/2023, pas 5-6 orësh Arben Ahmetaj:-“Sqaruam pozicionin. Kaq”. (Njohur fillimisht me akuzën për privatizim në kundërshtim me ligjin e aseteve në rrugën “5 Maji” të shoqërisë “Buka”, mbi të cilën ngrihet një pallat. Në vitin 2014, si ish-ministër i ekonomisë, ai ka firmosur një vendim që shfuqizonte firmën e gjykatave, duke i marrë pronarëve legjitim-Myderizi rreth 6370 m² truall).
Më 12/12/2023, pas 10 orësh Ilir Beqaj: -“Unë prej vitesh po përballem me këto çështje dhe jam i hapur ndaj drejtësisë”. (Njohur si dosja e sterilizimit. Dhënia me koncesion e 100 milionë dollarëve për 10 vjet nga Ministria e Shëndetësisë).
Më 04/04/2024 Altin Dumani u shpreh se, “ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë janë regjistruar për herë të parë në vitin 2023, 8 procedime penale me 18 persona në hetim me funksion ish-ministër Shëndetësie, ish zv/ministër Shëndetësie, ish-gjyqtar Apeli, ish-kryetar bashkie, ish-ministër Finance, ish-kryeministër, ish-ministër Mjedisi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, ish-sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, kandidat për kryetar bashkie, ish-prokurore etj.”. (kreu i SPAK në Këshillin e Lartë të Prokurorisë).
Më 30/04/2024, pas 7 orësh Erion Veliaj:-“Është institucion serioz. Isha me dy kolegë hetues profesionistë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i forcojmë institucionet mos t’i përgojojmë, mos të bëjmë rolin e tyre, e prokurorë e gjyqtarë, por të bashkëpunojmë”. (Thirrur për dosjen e inceneratorit të pa ndërtuar të Tiranës me vlerë 130 milion euro).
Më 15/05/2024, pas 4 orësh Belinda Balluku;-“Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm” (Thirrur për dosjen # 255 e njohur si inceneratori i pa ndërtuar i Tiranës me vlerë 130 milion euro).
Më 17/05/2024, pas 3 orësh Engjëll Agaçi:-” Isha sot si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se tashmë ky nuk duhet të krijojë një lajm. Të gjithë ne duhet të jemi në dispozicion dhe në funksion të organeve të drejtësisë”.
Pra kur i mbledh këto fakte nga pushteti qendror dhe ai lokal kuptohet se strukturat drejtuese shpërdorojnë, përvetësojnë dhe pasurohen. Dhe ky pasurim vjen nga paratë e popullit, nga vjelja e taksave të shtetasve dhe kur ligji vepron, shkeljet kapin vlerat në miliona euro dhe ato cilësohen si dëme që rrjedhojnë nga kontratat e partneritetit publik-privat, pastrimi parave, korrupsioni pasiv, deklarimi i rremë i pasurisë dhe shpërdorim detyre.
Evidenca më e madhe e dëmit ekonomik është mbledhur. Janë shpërdoruar dhe grabitur miliona para nga arka e shtetit dhe kjo po vërtetohet se objektet e premtuara në prag të zgjedhjeve ende nuk janë ndërtuar. Vetëm për inceneratorin e Tiranës llogaritja e dëmit është 130 milion. Kjo tregon fundin e ciklit të mandatit qeverisës të Rilindjes Socialiste e cila krerët drejtues të saj mund t’i shpëtojë duke ndenjur sërish në pushtet dhe për këtë me çdo kusht dhe me çdo çmim i duhet fitorja e zgjedhjeve të ardhshme. Pa marrjen e përgjegjësive politike i gjithë ky proces shumë shpejt do të kthehet nga hipokrizia në një mashtrim i ri dhe shqiptarët do të vuajnë edhe më keq pasojat nga ky regjim.
19 Maj 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)