Më 29 maj 2023, në komunën e Zveçanit, protestuesit serbë sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it e gazetarët.
Pas këtyre trazirave, ndodhi edhe një sulm më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
E përgjegjësinë e sulmit e mori, Millan Radojiçiq, ish nënkryetar i Listës Serbe.
Përveç grupit të tij paraushtarak, Tëvë1 ka mësuar ekskluzivisht se grupit të Radojiçiq iu është bashkëngjitur edhe një grup tjetër.
Sipas informacioneve që ka siguruar televizioni, brenda hallkave të sigurisë në vend, në biznesin e Zvonko Veselenoviq, në “Novi Pazar Put” janë duke qëndruar grupet ekstreme serbe edhe të grupit famëkeq serb “Veljko Belivikut”.
Në këto pamje shihet edhe hoteli në të cilin ata dyshohet se po qëndrojnë, e që në këtë biznes, dyshohet edhe për vendosje të armatimeve.
Po ashtu Tëvë1 ka mësuar se bashkëpunëtor i këtij grupi famëkeq, është edhe Novak Nediq, Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë në Serbi, i riemëruar në qeverisjen e re të presidentit, Aleksandër Vuçiq, i cili edhe në këto fotografi, shihet se është shumë i afërt me grupet ekstreme serbe, pjesëtarë të së cilëve morën pjesë në protestat e dhunshme në Zveçan, të cilët u vërtetuan përmes shenjave të vendosura në kapelat e tyre.
Nediq, tash e dhjetë vite mbanë postin e njëjtë në Qeverinë e Serbisë.
Tëvë1 gjithashtu ka mësuar se anëtar i grupit “Vejljo Belivuk” është edhe Aleksandër Vidojeviq, i cili ka afërsi me, Danilo Vuciq, djalin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, por edhe me Novak Nediqin.
Se në Serbi, po mbahen trajnime nën koordinimin e Milan Radojiqit e ka thënë edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“ Radojiçiq është duke mbajtur takimet të rregullta, me zyrtarët të lartë të Shërbimit Sekret serb, BiA, ambientet e firmës Jabllanovica në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”… Trajnimet drejtohen nga ushtarak të pensionuar serb, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, të cilët kanë njohur shumë të mira për Kosovën, mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës tek ne” , tha Kurti.
Informacionet për këto zhvillime, janë dhënë edhe në komisionin për Çështje të Sigurisë. Enver Dugolli thotë Policia e Kosovës tashmë posedon këto informata.
“Bazuar edhe nga raportet që i marrim nga policia e Kosovës, edhe nga ministria e Punëve të Brendshme, ne në vazhdimësi kemi marrë alarme për këtë çështje që po ngritët se është i bazuar se grupi që ka sulmuar Kosovën në Banjska më 24 shtator, vitin e kaluar, ai është i lirë, ai është duke u rigrupuar duke zhvilluar stërvitje gjithandej nëpër Serbi. Ato stërvitje jo vetëm kjo që e përmendët por edhe stërvitjet e mëhershme kanë të bëjnë me formën e rigrupimit”, tha Dugolli.
Drejtori ekzekutiv i “The Geopost” Gynen Venhari, thotë se këto grupe janë duke punuar për ta destabilizuar veriun. Sipas tij, këto grupe kanë pas ndikim edhe tek popullata serbe në katër komunat veriore.
“Këto grupe janë mjaftë të fuqishme jo vetëm me destabilizu veriun e Kosovës, por ato janë të rrezikshme edhe brenda qytetarëve serb në Serbi. Siç dihet këto grupe famëkeqe kanë terrorizuar edhe qytetarët në veri të Kosovës, edhe në Serbi, edhe Beograd janë mjaftë të pranishëm, fatkeqësia është që janë të ndërlidhur me vëllai i presidentit si dhe me grupet tifoze ‘Cervna Zvezda’, të cilët janë nën kontroll të vëllait të presidentit Vuçiq”, tha ai.
Tëvë1 gjithashtu ka mësuar se, njeriu i afërt me Millan Radojiciq, Bratisllav Dikic, i cili ka qenë komandant i xhandarmërisë serbe gjatë luftës në Kosovë, është duke trajnuar grupe serbe për të kryer sulme në pjesën veriore të Republikës./Tëvë1/