Karlo Alberto Salustri, (Romë 1871 -1950), i njohur për publikun me emrin e artit ose pseudonimin anagramatik TRILUSSA, ishte një gaztar, shkrimtar e poet italian, kryesisht i njohur për sonetet e tij të shumta e të larmishme të shkruara në dialektin romak.
Ndër librat e tij mund të përmendim: “Dyzet sonete romake” (1895), “Njerëzit dhe bishat” (1914), “Ujqër dhe qengja” (1919).
Sot, për kënaqësinë e lexuesve, po sjellim një tufë sonetesh të këtij autori.
BARAZIA
Gjeli, që idenë e barazisë kishte fiksim,
Shqiponjës i shkroi: -Moj fisnike,
meqë ju rrini mbi ato male kreshnike,
ne duhet ta shmangim kyt distancim.
Sepse, mendoj, s’asht e drejtë aspak
që unë të rri ktu poshtë në batak,
por do t’ishte ma e fisme e me drejtësi
t’jetonim te dy në t’njajtin nivel e naltsi.
Ia ktheu Shqiponja: -Miku im,
me knaqësi e pranoj kyt propozim.
Don t’bahemi miq? Gati më ke,
por mos prit që unë të zbres atje.
Nëse t’gjesh forcën që duhet ia del
hap krahët që ktu sipër të vish,
por nëse s’ke shpirt që kyt ta arrish
unë po vazhdoj t’jem Shqipe e ti Gjel.
NUMRAT
-E di se vlej pak -i tha Zeros nji Njish.
-por ti nuk vlen asgjâ. Je thjesht nji hiç
si në vlerë po ashtu edhe në mendim
ti mbetesh nji gjâ bosh e pa përfundim.
-Ndërsa mue nëse zerot m’vihen varg,
nandë copë rrumbullake kshtu si ti,
e di sa bahem? Plot nji miliard!
-Punë numrash! Kshtu pak a shumë
ndodh edhe me nji diktator merhum
që rritet e forcohet në vlerë e fuqi
prej zerove t’shumta që shkojnë mbas tij.
MASKA
Para njizet vitesh edhe unë u maskova
e ende sot e ruej atë surrat kartoni
me t’cilin surratin tem mbulova.
Prej njizet vjetësh mbi nji dollap rri
ajo Maskë qesharake, që ka mbetun
gjithmonë po me t’njajtën shprehi,
përherë po me t’njajtën të qeshun.
-E si ia del?! –e pyeta nji ditë
-të mbash të njajtin gazmend
edhe n’çastet që zemra dhemb,
edhe kur n’telashe jam zhytë?!
E lumja ti, që kurrë s’ndryshon!
E lumja ti, që pa zemër jeton!
Maska m’u përgjigj: -E ti që loton
m’thuej çka fiton? Nji hiç! I vetmi qar
se njerëzit do t’thonë: “I shkreti qyqar,
sa gjynah … m’vjen keq sa s’beson!”…
Por realisht, m’beso, aspak s’u plas!
Ndaj ban si unë, që gjithmonë qesh:
e nëse ndodh që të kap trishtim
fytyrën mbuloje me surratin tim
e kshtu njerëzia s’do t’marrin vesh… –
Aty e mandej dhimbjet do të rrinë
mbas nji alegrie prej kartoni
e si nji egoist me famë do t’jetoni
që aspak nuk i plas për njerëzinë!
SHTERNGIMI I DORËS
Ai i dhanies së dorës gjithsecilit
vërtet që s’asht nji zakon i përkorë,
mund t’ndodhë t’ja japësh atë dorë
nji hajdutit, nji horit o nji katilit.
Mandej ajo dorë, e thatë o e djersitun,
me njerëz të ktij lloji kur asht tokë,
n’mikrobe e viruse mund t’jetë ngopë
e prej aty n’gojë e n’stomak me mbrritun.
Ndërsa me dorë n’zemër nëse përshëndet,
pa pikë dyshimi jo pak n’higjienë fiton
pa humbun asgjâ n’nderim e në respekt.
Pra kjo përshndetje, thanun me elegancë,
-T’kam e t’paça, mik… besoj se m’kupton,
sot ka ardhun koha me mbajtë pak distancë.
ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Nji ditë të gjitha kafshët janë mbledhë
(ato që puna shtypëse i dërmonte),
vendosën që nji President me zgjedhë
që interesat e tyne të mbronte.
Të gjitha morën pjesë në atë takim:
Shoqatat e Derrave e t’Demave, t’pranishme si gjithmonë,
Grupimi Shala e Samari s’bani përjashtim,
as Liga e Pamvarun e Gomarëve banues në Romë;
Vllaznitë e Maceve Shpijake, të Qenve e të Kuajve,
Lidhjet e Deleve, të Lopëve e të Buajve …
Nji Gomar, me ambicien për t’u zgjedhë,
lëkurën e nji Luani mbi trup kishte hjedhë.
-Kafshë votuese -u tha -i prekun jam:
qytetaria, liria, përparimi… ky program
i vetmi e mâ i miri që unë kam
e mâ i përshtatshmi për kyt vend,
sepse asht i njajtë me tuejin! Prandaj
ju ftoj të votoni t’gjithë për emnin tem.
E n’fakt pikërisht ai u zgjodh!
I lumtun Gomari nji fjalim mban,
e veç atëherë populli shtazor pa
se ç’gabim të madh kishte bâ
me atë Gomar që u ishte shitun si Luan!
-Shpifës! -Mashtrues! -Rrenacak!
-Tashti që e mora kyt detyrë
– u tha Gomari -s’më plas aspak:
e do ta mbaj me çdo formë e mënyrë;
Edhe n’vrafshi vedin o n’vdekshi n’aksident;
Ishit ju vetë që më zgjodhët, pra durim!
Heshtni! E m’respektoni si President!
GOMARI E LUANI
Gomari tha: -N’kohë t’lashta, kaherë,
kur demokracia s’kishte lindë ende,
shtresa jonë nuk kishte asnji vlerë.
Gjyshi jem, për pak nderim nji marifet bani,
u mbulue me lëkurën e nji luani
e u trajtue me respekt e me nder.
Kanë ndrrue kohnat, s’asht si mâ parë
-i tha Luani -Tashti lëkura jeme
nuk vlen mâ nji lek, mor kumbar…
Sot, për fat t’keq, kam humbë autoritet
e shpesh jam unë që me marifet
më duhet t’maskohem si gomar!
DIPLOMACIA
Natyrisht që me termin diplomaci
kuptojmë diçka që shteteve u shërben
për të ruejtun marrëdhanie të mira,
me pak mashtrime e me pak djallëzi.
Shkaku që dikush quhet diplomat
asht se mashtron disi me edukatë
tu’ mshehun mendim e mëkat
mbrapa nji perdeje fasadë.
Ta xamë, nëse i them njanës nji fakt:
që burrin e saj e pashë me nji garipe,
i sinqertë mund t’jem, porse i patakt.
Përndryshe, nëse them: -Kujdes me ke rrin, moj mike…
Ajo mbetet me bryna, si ma parë,
por unë e paralajmrova n’formë diplomatike.
SHOKU
Nji Maçok i njoftun për bindjet socialiste
me t’vetmin synim ndonji post me gjetun,
nji ditë po i përvishej nji pule t’pjekun
n’kuzhinën e nji mikeje kapitaliste.
Kur nga nji dritare nalt në pullaz
-Shoku jem -i tha nji Maçok kojshi
-mendo se jam edhe unë ktu përbri
që klasës proletare i përkas!
-Unë që bindjet tueja mjaft mirë i di,
jam i sigurt se atë pulë që po hani,
sapo të zbres, në dysh do ta ndani.
sepse jemi shokë në ideal e në parti!
-Jo, jo! – ia ktheu Maçoku zemërzi
-Unë nuk ndaj asgjâ me asnjeri,
Jam socialist kur jam në agjërim,
ama kur ha s’njoh bindje e as parim!
POLITIKA
Nji larmi mendimesh n’shpi tonë ekziston;
baba jem asht nji demokristian,
e meqë asht i punësuem n’Vatikan,
çdo mbramje ai rruzaren reciton.
Ndër vllazën ma i madhi quhet Adrian
e asht i përmendun si socialist;
unë, ndryshe nga ai, jam monarkist,
ndërsa Ludoviku, njihet si republikan.
Çdo natë para darke sherri asht prezent,
zihemi shpesh
për kto t’bekueme parime,
njani thumbit, tjetri patkonit …Duket parlament!
Bajmë katrahurë! Por sapo ndigjojmë mamin
që na thotë se darka asht gati
t’gjithë jemi dakord me programin.
QENI E HANA
Njiherë nji Qen, në mes të nji rrugice,
Hanës po i lehte n’praninë e nji Mice…
-Lene n’punë t’saj! -tha ajo -Me tè çka ke?
-Pse po t’shikjon? Sa qesharak që je!
Hana i sheh t’gjitha, por s’jua var aspak
atyne që rrugëve vrasin e bajnë gjak.
-Për kyt -i tha Qeni -nuk e duroj!
-N’mes t’kaq shumë turpi, telashesh e derti
Ajo përherë e njajta! Kurrë nuk ndryshon.
Indiferente e pandryshueshme mbeti …
Do t’doja që hundën ta shtrembnonte
e sytë t’zgurdullonte… Por ndërmend s’i shkon!
-Sepse kto gjana ktu poshtë i ka pa shpesh,
-ia ktheu Mica -bota asht gjithmonë po ajo.
qysh kur Kaini vllaun e tij e bani pshesh.
Hana njilloj qeshi siç edhe tashti po qesh.
Ka qeshun gjithmonë e do t’qeshë përherë
edhe nëse nji ditë Abeli Kainin do të therë…
DASHI
Nji Dash madhosh e pak torollak,
tu’ kalue mbi urë pa pasë mendjen aspak,
ra në lumë e mbasi bâni: pllaq – pllaq,
u zhduk e mbi ujë mâ s’u shfaq!
Natyrisht që delet sapo lajmin mësuen
në vendin e ngjarjes të gjitha vrapuen
e nisën tu’ kja:
-Dashi i shkretë!
Që ishte aq i urtë!
Që ishte aq i qetë!…
Edhe Bariu shkoi me vrap, por nga nguti
që t’tregonte pikëllim të thellë ai desh’,
por n’vend që t’thoshte: – I shkreti Dash!
Thirri me t’madhe: -I shkreti lesh!
BARIU E QINGJAT
Sapo ilaçin magjik ai u ka dhanë
Që t’u vinte instinkti i etjes për gjak,
Bariu tha: -Asht e nevojshme sak
që Qingjat të bahen Luanë,
të shpallin luftë e t’jenë të fortë
kundër t’gjithë Ujqënve mbi tokë.
Deshmi që ky ke nji motiv i drejtë
ishte se Qingjat iu gjegjën ftesës pa hezitue,
çdo blegërimë n’nji ulërimë u shndërrue:
Vdekje Ujqve! Shporruni me të shpejtë!
Në po atë natë, me pak fjalë,
ujqërit ikën me bisht ndër shalë.
Sapo lufta u fitue, zotnija Bari,
mbasi festoi me fyell e me zumare,
-Tashti -thirri ai me të madhe
-çdo Luan të bahet Qingj përsëri
e n’interes të fermës e t’biznesit
të kthehet urtë e butë në shpi.
Por ata ia kthyen: – O torollak!
Tashti, lum miku, që e pamë kjartë
se jemi të guximshëm e të fortë
e jo kafshë për t’u mbajtë në vathë e lak!
Pra, ki kujdes, sepse tash e tutje
do t’jemi ne zotët e ksaj fushe!
MBRETI E GAFORRJA
-Nji Mbret që po shetiste n’breg të detit
Thirri: -Xuna nji gaforre t’madhe ktu n’cektinë!”
I tha Oborrtari: “Kush mos t’Ju ndijnë!
Peshkimi i gaforreve s’asht punë Mbretit!”
-Atëherë -tha Gaforrja me vedi t’vet –
do t’thojnë se jam unë që xuna nji Mbret!
ERA E KALLAMI
-Kurseje mundimin, kot e ke që shfryn
-i tha Kallami Erës -mirë e di që s’më thyen…
-Vërtet -i tha Era -me pemët shekullore luftoj,
por me ty knaqem e qeshem sa lotoj,
se ti përkulesh deri në tokë kur kaloj!
ZEMËRIMI
Eme shoqe, që asht nevrike shumë,
kur ne shamatohemi për hiçgjâ
me m’gjuejt grushta kresë ves e ka,
sepse e din që aty s’duroj as unë.
Unë i përgjërohem: -Shpirt, mjaft mâ!
Përndryshe do t’lëndohesh keq… –
por ajo, megjithatë, dorë nuk heq
deri që t’i jap edhe unë disa…
LUMTUNIA
Asht nji bletë që ndalon
mbi gonxhen e nji drandofili;
i thith nektarin e shkon…
Realisht e në tanësi,
ajo që quhet lumtuni
asht diçka që s’peshon.
KARAKTERI
Nji ditë Kameleonit nga balta i flet Zhapiku:
-Ti ngjyrat i ke gjithmonë gati, lum miku.
Të bardhë e të zezë… t’gjitha i ke provue!…
Të kuqe e të verdhë, të gjelbër e blu…
M’thuej çka dreqin ndër mend të shkon?
Dukesh si ylber! S’ka ditë
që mendimet s’të ndryshojnë
e n’bazë të tyne ngjyrën e kostumin ndërron
në varësi t’ambientit e t’gjânave që t’rrethojnë.
Ndërsa unë, siç më sheh, rri gri përherë,
sepse jetoj n’mes të baltës dimën-verë,
por ama prestigjin tem kurrë nuk e shes.
Ndoshta gaboj, por ky jam e i tillë do të mbes!
-Gjithësecili në arsyet e tija beson
-ia ktheu Kameleoni –Çka t’i bash?
Unë përherë ndërroj e ti kurrë nuk ndryshon:
Mbase që të dy mendojmë dallash!
XIXËLLONJA
Hana e plotë Xixëllonjën ngacmon:
-Ndoshta, zonjushë, e ban për kursime.
por krejt e dobët asht drita që lëshon…
-Po, -ia ktheu ajo -por asht drita ime!
KAMELEONI E FLUTURA
Nji ditë Flutura e lodhun tu’ fluturue,
mbi nji lule molle u ul për t’pushue,
fshehun ndër degë Kameleoni e përgjonte,
ajo e vuni ré e nga lart e përçmonte.
-Çka t’kam bâ?- e qortoi me dhimbje në ftyrë,
-Je vërtet i mjerë, s’ke shpirt as ngjyrë!
-Dakord, -ia ktheu ai, -por kam edhe trù e uri.
E ajo: -Je vetëm e i shëmtuem, kjo ka randsi.
Kafsha e ngathët ngadalë drejt saj rrëshqiti
e diçka çuditshëm tu’ e pâ çuçuriti
-…Mos e harro nji gjâ, moj Flutur,
që je edhe e shijshme përveçse e bukur.
Nji kafshatë e kandshme qe ajo vërtet,
e ai me gjuhën e gjatë i dha nji puthje t’nxehtë…
Në jetë s’mjafton veç i mirë e i bukur t’jesh,
Se veç zemrës duhet dhe pak tru të kesh.