Ernest Koliqi dhe Mustafa Kruja
SHËNIM I BOTUESIT
Kemi zgjedhë, ndër shkrime të Mustafës, tri copë qi na duken të shënueshme pse në to shfaqen në mënyrë të gjallë lidhjet e jetëshkrimit të tij me ngjarjet e vendit t’onë, sidomos me ato të Shqipnís së Mesme prej kah âi e kishte zânafillen.
Spikasin në styl, si në nji pasqyrë të qartë, cilsít qi e pajisshin : mprehtësí gjikimi, ndiesí e thellë nderi vetiak e kombtar, prirje me tregue troç mendimin e vet në çdo rasë e pa tutë të kurrkúj. Le të vërehet në shkrim përpiknija dhe përshtatmenija në shprehje dhe, hove hove, nji shkelqim buzëqeshjeje qi i ep shije tregimit. Në përshkrim të ndodhíve të jetës së tij bje në sý njerzija e natyrëshme burrnore qi urren e i ikë edhe mâ së mbuluemes ndienje mburrjeje por njiherit edhe prûjtunís (modestie) kallpe.
Copa e tretë Qytet’i im botohet këtu për të parën herë. Falënderojmë Dr. Bashkim Merlikën, të birin e Mustafës, qi na e dha për të begatë me tê shtyllat e së përkohëshmes s’onë. Copa u shkrue në Niagara Falls të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, me 1957 ase 1958, pak kohë para se Ai t’u ndante këso bote. Âsht shkrimi i fundit i Tij, fragment i nji vepre má të shtrîme qi vdekja e këputi në gjymsë.
Larg atdheut, si të donte me shfrye nji mall qi i a shporonte zêmrën, Mustafa përkujton Krujën e vet; i a kujton mâ parë vetes e mandej né. I stërprovuem nga goditjet e nji fati mizuer të pamerituem, i përulun e i shtruem vullëndesës së Zotit, me mênde të kthiellueme e të paqueme nga përvoja e gjatë e nji jete plot përpushje e travajë e nëpër të cilat njofti besnikín ngushulluese të miqve dhe sulmimet idhnake të kundërshtarvet, në vend mikpritës ku e hodhen tallazet e politikës shqiptare dhe botnore, Mustafa Kruja nxjerr nga mbamendja motet e shkrimuna të djalnís së vet. Endë në shkrim ngjarje e përshtypje dhe i shoshitë qetisht, pa turbullim gjakimesh (pasjonesh). Tashmâ gjaku ka humbë vrullet e e dikûrëshme. Ai e ka krye, si pjesëmarrës aktiv, detyrën e vet ndaj kombin. Shkruen për me u lânë të rijvet trashëgimin e përvojës së tij dhe të breznís së tij. E në shkrim, depërtue fund e maje nga nji déll përmallimi ku shkrepëtin – pa u kujtue Ai aspak – nji shkëndí poezije plot humanitet, qet krye shpresa se idealet, ushqye prej Tij e prej Shqiptarvet të 1912-ës pa mujtë me i realizue, do t’arrîhen nga masa e ré. Ndiesít e denduna njerzore, zhdërvjelltija e përshkrimit të vendeve dokeve veshjeve, skalitja mjeshtrore e typave të ndryshëm, kët shkrim të Mustafës e radhojnë ndër copa proze mâ të kullueta, të lidhuna e të ngjyrta të letrësís shqipe.
ERNEST KOLIQI
QYTET’I IM
Nga MUSTAFA KRUJA
(Pjesa e parë)
Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hýn n’atë liman, po të hjedhë sýt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi, në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së bukuri Mal’i Krujës, qi ka mu në rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shêjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër, krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue I ulë sýt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.
Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike (), prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?
Topografisht Kruja ndehet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. Âsht nji qytet pesmijë frymësh, () kodrash e luginash, qi për me i dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme, nji gjysmë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrîmë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah dy krahët, n’atê të veri-perëndimit deri afër Dro-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés (të Allaj-beut: allaj, turq. Regjiment; Allaj-Bej “= komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në Pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.
Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, turqisht, sikurse u shënue e si shumë tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe, bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrorë sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit hiq Namazgjahun ku falet bajrami, s’gjên tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti turk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’atë shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botnore italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.
Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Por mandej, mbas tanzimatit, (reforma çentralistike) të Sulltan Mexhidit (1839-1861) desh () Stambolli me i shtrîmë ligjët moderne pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit, të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Asokohe Pushteti qêndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin.
Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit (guvernoratit) të Shkodrës, nënprefekturat e tij: Kavajë, Shijak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Turqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me ahtrîmë reformat e vêndeve edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelepit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundërshtojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xhelep për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundatët e tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqis së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija turke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli turk merr pozicion për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të rradhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thânë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush patkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtri e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirrte shkëndija sýsh s’i a bân nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët të komanduem e të rradhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeverija turke s’nguli kâmbë mâ për xhelepin e gjedheve të Krujës.
–
SHËNIMI I VOAL
“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.
Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernes Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton me disa vijime, duke nisur nga sot.
I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.
Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.