Ka muaj e muaj që krejt shoqëria flet çdo ditë për vjedhjet e mëdha qeveritare. Që nga 1 miliard eurot në vit sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit e deri te inceneratorët qindra milionë euro që nuk u duket as nami e as nishani edhe po ngrite në hava dron fotografik. Se satelitët e Ramës filmojnë qartë veç se sa pjesëmarrës ka në grumbullimet e demokratëve. Për kaq i paguajmë qira Erdoganit.
Nuk po flas për pasivitetin popullor nga që popullata aktive thuajse e ka abandonuar atdheun. Nuk e kam fjalën për egërsi në protesta nga që Rama e ka privatizuar policinë dhe mjerë ai njeri që hyn në dorën e tyre xhahile. As për revoltë pensionistësh nuk po flas. Ata e dinë lëmoshën që marrin, por tulaten se fëmijët nëpër glob rropaten që të rrijë e qetë qeveria për këtë kategori të përvuajtur.
Fjalën e kam për vetë Partinë Socialiste. Për dhjetëra e dhjetëra mijëra njerëz të thjeshtë që kanë mbyllur sy e veshë para shkërmoqjes së vendit tonë. Para eksodit që si hemorragji e egër nuk ndalet, para ekonomisë që ka kohë në greminë, para bujqësisë që u varros dhe ende nuk po e mbulojnë. E kanë lënë gropë hapur. Para rritjes galopante të importit dhe fikjes së eksporteve shqiptare. Para privatizimit të buxhetit të shtetit që ndahet jo për shërbime ndaj popullit, por për fitime të shokëve.
Të gjitha këto ndodhin në sy të socialistëve,ditën për diell. Të atyre socialistëve të thjeshtë e atyre me poste. E të gjithë si Pandeli Majko heshtin. Paskan operuar masivisht gojët, mendjet, sytë, revoltën, protestën.
Ndërkohë kryeministri bën çfarë i do kokrra e qejfit. Ato që i thotë mendja e ato që sheh në ëndrra. Ndan pasuritë tona si me qenë në arat e të atit. Fut hundët te gjyqësori dhe dënon me burg p.sh një fshatar për një çati e nuk dënon kryebashkiakë që gëlltitin qindra miliona euro. PS hesht. Madje më keq. Firmos që çdo grabitje e klikës të bëhet me ligj. Si Enveri që bënte ligje për internime e pushkatime. Ky Enveri i gjallë bën ligje për përvetësim e tjetërsim pronash, për dhënie pasurie kujt t’ia dojë kokrra e qejfit.
Ndaj PS ka kohë që është bërë çingija e Ramës. Ajo vishet e ç’vishet sipas dëshirës së kryeministrit. Nuk bën as gëk, as mëk. Një përulësi neveritëse.
Të merr malli për atë PS që kishte debate çdo ditë. Që në gjirin e vet kishte Doklen, Mejdanin, Ermelinda Meksin, Hajdaragën… Që Majko i atëhershëm qeshte, por dhe bërtiste e kundërshtonte. Që Braçe nuk fliste veç për trangullin, por ulërinte kundër trangujve në qeverinë e atëhershme. Që Nano nuk fliste dy orë pa lëvizur miza se lëvizte krejt partia që ta mbronte, që ta nderonte, por dhe ta dënonte dhe me të të debatonte.
Sot PS si shkollë shurdhmemecësh. Që Rama si drejtor u ka mësuar heshtjen, përuljen dhe nënshtrimin. Kaq është degraduar sa dhe fjala çingije për të është fjalë poetike. I shkon më shumë një epitet më i rëndë,një më i zi, më përbuzës. Se kjo parti në pushtet ka përgjegjësinë e krejt të këqijave dhe mynxyrave që na ndodhin e do të na ndodhin. E po heshti më gjatë do themi pas ca vitesh:
-Na ishte dikur një Shqipëri në këto troje…