PËRFYTYRIM NË DHOMËN E BURGUT
E paharruar ajo kohë zezonash
Vitet e shkuara birucave të nxira
Ato dhoma të trishta, dy herë dy
Një krevat përforcuar mureve të ftohta
Një tavolinë, një karrige për “pushim”
Kur mërzia merrte valë e koka mërdhinte
Djersët lagnin fytyrës si bulëza gjethesh n ‘mars
Dyshemeja plot lagështi, myk mizorie
Një kovë pas dere kundërmonte përherë
Në dritaren e këndit të dhomës me pak dritë
Një këngë bylbyli hynte n ‘fluturim
Frymonte shpresën në zemër
Etshëm shpirtin e mbyllur n ‘qeli
Pas asaj gijotine të vjetër e të ndyrë
Të cilës i vinte era liri!….
KOLLITJET E NATËS
Natën eci rrugëve të qytetit tim
Sodis përmallshëm kalldrëmat e vjetër
Me duar varur mbaj ashtin e shpinës
Nuhas gjurmët e hapave të hershme
Si lehje qensh piskamave n’ ikje
Vagëllimave të natës së fjetur
Drita të neonit shkëlqenin n ‘errësirë
Si në vegim dëgjoj vaje
Herë të qeshura fëmijësh
Shikoj pemë të zhdavaritura, gjëmonin
Nga përplasje ere kur moti çartej
Sa kollitje të ashpra nga ftohja e gjatë
E dhimbjet ia lexoja shtatit plot plagë
Qytetit tim të lashtë…
Me sy të ngrirë dhimbjeve lotoja
Me imazhe fatamorganash
Të gjitha rrugëve të qytetit një emër lexoja: Liri!
Kollitjet e natës si tinguj lyrash të shpirtit
Jeta harxhohet përqafimeve të nxehta
Si gurët stinëve të shkrifta….
NUMËRIM I GABUAR…
Dje numëroja ditët si muaj, si vite
Sot numëratorja e jetës ka ndryshuar
Numëroj vitet si ditët, si javë e muaj
Nuk dij se në cilën kohë paskam gabuar
Apo, koha edhe numëratoren e ka ndryshuar
Sa dëshiroj të harroj plotësisht
Aritmetikën e dështuar…
ISHA DJE ATY
Dje isha aty
Te dera e vjetër më solli malli
Putha gurët e lëmashkun , të nxirë
Dhe plot tjegulla te djegura
Shkrumb moti gulshoi në heshtje
Plasaritjeve nuk ua fala kohën
Idhshëm binin qepallave të lodhura
Ehe!…
Si kallet ofshama buzëve të zverdhura
Moshatarët kanë ndërruar vendbanimet
Atje, nën hijen e blirëve pushojnë
Pranë gurëve të kullës së djegur
Kujtimet sikur bëjnë nusërim
Hijet bëjnë valle, këndojnë ninulla
Shpirti shprish esencën valëvitëse
Puçërrohet plazma n ‘gjakun e dehur
I mungon fjala ditës për etjen e djeshme
Kanë shkuar edhe lotët e përgjakur
Te blirët takimi i moteve……