Ora të cilën Yoko Ono ia pati dhuruar John Lennonit, thuhet se ka vlerë disa milionë dollarë
VOAL- Swissinfo.ch bën sot të ditur se misterit i ka ardhur fundi: një nga orët më të kërkuara në botë pa vjedhjes është gjetur në Gjenevë. Ora e florinjtë 18 karatëshe Patek Philippe ka qenë dhuratë nga Yoko Ono për John Lennon me rastin e 40 vjetorit të lindjes, pikërisht dy muaj para vrasjes së këngëtarit. Në anën e prapme ishte gdhendur një varg nga kënga e shkruar prej të dyve pas një periudhe ndarjeje. Në pjesën e përparme kishte një kalendar të përjetshëm dhe fazat hënore.
Sipas swissinfo.ch, më 7 qershor 2023, një gjykatë civile në Gjenevë sqaroi se çfarë ndodhi me orën mitike. Pas vdekjes së Lennonit, orën e ruajti Ono në një dhomë të kyçur në apartamentin e saj në Nju Jork bashkë me sende të tjera të vlefshme që i përkisnin yllit të këngës. Shoferi i japonezes për dhjetë vjet, turku Koral Karsan, ishte ndër pak njerëzit që mund të hynin në dhomat e apartamentit. Tani besohet se ai e vodhi orën dhe disa sende të tjera më 2006. Këto ia dha një tjetër turku, Erhan G. më 2010. Ky i fundit më vonë i shiti në firmën gjermane të ankandeve Auctionata AG. Më 2017, kur firma e ankandeve falimentoi, një jurist duke bërë inventarin e firmës, gjeti objekte të Lennonit. Më 2019 Erhan G. u dënua 1 vit. Koral Karsan, ndërkohë, ndodhet gjithnjë në Turqi.
Ora ishte shitur më 2013 dhe blerësi e dinte se i kishte përkitur Lennonit. Kompania nuk i tregoi Onos. Më 2014 ora u dërgua në Gjenevë tek një kompani për t’u përcaktuar vlera e saj dhe Ono u njoftua. Ajo kërkoi t’i rikthehet ora. Pasoi një betejë ligjore midis Onos dhe koleksionistit. Gjyqi, më në fund, vendosi që ora i përkiste Onos.
Patek Philippe & Co është një kompani zvicerane e prodhimit të orëve luksoze, ndër më të vjetrat dhe më prestigjiozët në botë.