Eris Tare :-“ Trunk and Trees” Kurator i ekspozites se Abaz Hado.
Eris Tare Kuratori i kesaj ekspozite te larmishme prej 44 vepra thekson se kjo ekspozitë është konceptuar në dimensionin e vetë, ku më shumë ka të bëjë me muzikalitetin, harmoninë dhe ekuilibrat kromatik, që ndodhen dhe arrihen vetëm prej magjisë së ngjyrës. Gjithsesi nuk mungojnë disa vizatime grafike, si një përqasje me konceptin e ekspozitës.
Ja se çfarë thotë vetë piktori rreth punimeve të tij artistike:
Trunks and Trees” lidhet me fillesën, që kur nisa të projektoj një seri veprash mbi raportin që ka secili prej nesh me botën si tërësi universale. Natyra ka qenë dhe është objekt referues për çdo artist vizual, ky raport ekziston prej periudhave primitive e deri në kohët moderne. Kjo tregon për atë lidhje të pandashme të njeriut me këtë hapësirë që na është lënë në dispozicion për të jetuar. Ne mbi të kemi ushtruar ndikimin tonë për t’a ndryshuar, transformuar dhe përshtatur në kushtet dhe nevojat tona sipas qytetërimeve. Është një raport, që na vendos përballë kërkesave dhe nevojave për t’a përshtatur si hapsirë, shpesh me gabime të rënda, duke dhunuar me arrogancën tonë, pjesë të rëndësishme saj. Të vendosur përballë kërkesës për qytetërim, zhvillim industrial, teknologjik, që njerëzimi i ka patur të nevojshme për mbijetesën dhe vazhdimësinë e tij, shpesh në mënyrë fatale kemi tejkaluar mbi nevojat tona, duke keqpërdorur këto asete mrekullisht të krijuara të gjithësisë. Nëse ndodhemi sot në këtë vorbull ngjarjesh, nga ku në kënde të ndryshme, është vënë në emergjencë vetë sistemi riprodhues dhe aftësia e njerëzimit, për të siguruar trashëgiminë e universit, si një vazhdimësi për të ardhmen e tij.
Ndërsa ne sot luftojmë, bormbardojmë pa keqardhje, hedhim raketa, kërcënojmë me bomba bërthamore. Kjo nuk është vetëm një marrëzi individuale, por edhe një mentalitet miopik monstruoz, që e zotërojnë individë me pushtet të veçantë, që e konsiderojnë këtë gjithësi, si një pronësi vetëm të një epoke. Kjo tokë është një mrekulli hyjnore, që na është dhënë bujarisht mijra e mijra vjet, ku njerëzimi lindi, u zhvillua dhe bëri historinë e tij, kjo është një rregullsi që nuk mund të ndërpritet përmes dhunës, brutalitetit, kjo kështu duhet të vazhdojë.
Këtë përqasje e vendosa detyrimisht si fillësë mbi ciklin e punimeve të “Trunks and Trees”, pa e stërholluar me një titull të madh, por me një të thjeshtë, sepse kërkova në thelb të saj raportin tim njerëzor, me atë pjesë të natyrës së ka shoqëruar zhvillimet, qytetërimet dhe jetët tona. Në këto vepra nuk ka personazhe primare, por vetëm pyje, trungje, pemë të ndryshme, që nuk janë domosdoshmërisht realitet syvëzhgues, por diku si mbirealitete virtuale, herë si përcerptime konceptuale vizuale. Me pasionin tim tashmë prej vitesh, për të lëvizur në këmbë, angazhimin tim në sporte në rininë timë të hershme, kam vrapuar në kodrat e liqenit bashkë me Pitin, qenin tim besnik. Pikërisht këtej, kanë ardhur frymëzimet e para, që më tej gjatë procesit, nuk mbetën më si realitet i tillë. Referencat janë pjesë e raportit që vendosa me këto objekte, duke i parë jo si modele metafizike, por i’u riktheva anemizmit primitiv, kur të parët e njerëzimit në fazën fillestare, besonin se druri dhe objekte të ngurta vëllimore kanë shpirt. Kësisoj, çdo trung i një peme të thyer, pemët me trupin dhe degëzimet e tyre, por edhe pyjet masive, i kam trajtuar si të ishin personazhe me ndjesi e shpirt. Kur nisnin të merrnin formë, më dukej sikur në brendi lëvrinin ndjesi, kode, simbole, që gjenin jehonën në ato gropat e çuditshme, që krijohen në trupin e tyre, si shenjë jetëgjatësie dhe durimi stoik ndaj çdo lëndimi apo vuajtjeje. Kjo dukshëm shfaqet në lëkurën e ashpër apo në ato degë që lidhen aq çudishëm me njëra-tjerën. Kështu u formatua dhe erdhi kjo ekspozitë, që fillimisht mund t’a përceptoja përmes fletëve si një seri grafike, ku do isha më i sigurtë sepse është habidati im.——- Abaz Hado ( Autori i veprave)