Mbrëmë shkuam të shohim një film
për 21 gra nga anë të ndryshme të atdheut, që kanë qenë të internuara në fshatrat e Lushnjës, në baltrat e Savrës dhe të Gradishtës etj, që tani jetojnë në Amerikë e Kanada… ato që mundi të intervistonte regjisori dhe skenaristi i “Fluturave”, miku ynë, Bujar Alimani, ç’kishte pranë New Yorkut, ku dhe jeton.
Dëshmi rrëqethëse nga ferri, qendresa prej Rozafe dhe ringjallja me trishtimet dhe zhgënjimet, me besim të bukur gruaje te jeta dhe fëmijët e tyre.
Bukuri dhe dinjitet… Dokumentari ka atë lirizëm të titullit, “Fluturat”, mbase ka dashur të shmangë tmerret dhe traumat, për ta bërë më të durueshme vuajtjen e madhe dhe padrejtësitë lemerisëse, – kam hequr pjesë ku ka lot, – do të thoshte regjisori Bujar Alimani, në bisedën në fund me shikuesit e filmit. Pse…?!
Me zërin e gruas realiteti merr më kuptim…. Punonim si skllave në fusha, që 14 vjeçe- fëmijë, gjyshi i pushkatuar, babai në burg, xhaxhai i arratisur… ne, të pafajshmet engjëllore, që s’na jepnin të drejtën e shkollimit për më tej… mamaja ime faqen e parë të abetares e griste, ishte fytyra e urryer e diktatorit Enver Hoxha… makina e arrestimeve vinte rrotull barakave tona… martesat e dëshpëruara… gëzimi i trishtë, në ngërçin e valleve mungonte babai, vëllai… a ishin gjallë në burg…? Kam lindur mbi traktor, tha një grua, s’më pranonin në maternitet… prapë “Gazi i Degës”, kujt i erdhi radha të arrestonin përbindshat?…
– Kështu dridheshim dhe na kapte ankthi, kur afrohej ajo makinë e kobshme, – do të thoshte Eda ime, – në diskutimin e saj pas filmit.
– Po ti do të kishe burrin brenda në atë makinë, – do ta ngrija zërin unë. Të qeshura në sallë, me të kaluarën, si do të ketë qenë, edhe qeshet, po thoshim.
– Ne i njohim, janë mikeshat tona, – do të tregonte Eda në fjalën e saj, – vajzat e Lekës, e Bajos… Pervizi, Mirakaj, Kupi, Dosti, Sina, Dema, Kaloshi… Alemi… mbiemra historikë… Visari ka qenë në burg me shumë prej tyre… Unë vazhdova të them se me pjesët e hequra të dokumentarit si të rënda duhet të bëhet vazhdimi: Fluturat kthehen përsëri… e vërteta është e vërtetë e plotë…
Tani në diskutimin e tij kujtoi dhe romanin tim “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” me gra të burgosura dhe të internuara, që triumfojnë edhe të vrara…
Regjisori tregoi se filmi është shfaqur dhe në shtete të tjera e në kryeqytetin e Europës së Bashkuar, në Bruksel, etj, dhe, edhe pse kishte hequr lotet e të internuarave, tani ishin lotët e spektatoreve të huaja, etj, etj. Kineasti Bujar Alimani pastaj falenderoi të pranishmit dhe miqtë tanë Dhimo Jano e Artan Nati, që i mundësuan ardhjen këtu, në Qendrën Kulturore të Shqiptarëve në St. Charles.
Bisedat pér filmin vazhduan dhe jashtë, me Ernestin, Dr. Minellan, Milton, Doshin, me zonjat e tyre…
S’donim të ktheheshim në shtëpi, donim të shikonim lule, tulipanët – si flutura të mëdha, të shtangura… Po ajo gruaja që nuk shikonte dot më luledielli, ia merrnin frymën, se i kujtoheshin fushat e internimit, kur punonte si robinjë me shatin e lamëshirshëm, po ajo gruaja që kishte marrë me vete një gur nga kisha e Shën e Premtes… edhe qenin e internimeve një tjetër, me atë shkuan në Itali, e fshehën pas palltos, pastaj në SHBA… Edën gjyshi i saj e përqafoi për herë të fundit me pranga në duar dhe s’u kthye më nga burgu… edhe nëna ime, motra vinin shpesh të më takonin në burg, më sillnin dhe libra, edhe kunata, dy mbesat e vogla… po ajo zonja e bukur në fund të filmit, që ngjiste shkallët e Bashkisë së New Yorkut, ku punonte, ishte vajza e mikut tim të burgut, Hasan Bajo, që shpëtoi poezitë e mia…
Dhe po kërkoja një poezi, që e kisha shkruar pa rënë ende diktatura… në internim, kur shkoja të takoja bashkëvuajtësit, miqtë e mi Dinen, Esatin, në Tokat e Vdekura, në Gradishtë Naimin, Bardhin, dy Lekat, njëri në Pluk, Eugjenin në Grabian, aty kisha dhe dy djemtë e xhaxhait, Sigfridin me Sazanin…
Ndoshta ishte poezia e parë që dilte në një libër për gratë e internuara, e kam futur në librin “Kujtesa e ajrit”, që mezi mundi të botohej në 1993, se nuk kishte letër…
Po ne i kemi të shkruara mbi pergamenën e gjallë të lëkurave tona.
Po e sjell si dëshmi të atëhershme në nderim të tyre: