SONETE
MËKATAR
Ndoshta nesër papritur nuk do të jem tjetër , por në lëkurën time prapë
Prapë ndjej shijen e athtë të netëve të pambaruara me ty dhe trupin tënd
Teksa avullon tisin e ngrohtë të dashnisë të vonuar në kohë dhe ankthin
Ankthin e të qënit pjesë e të fundmes strehë të pasionit mëkatar, të vjetër
Të vjetër tashmë në pamundësinë e trishtë të mbijetesës…
Ti ngadalë shndrrohesh në një kujtim prej hiri që bie si muzg i vranët
Mbi krahët e thyeshëm të ëndrrës së pafajshme dhe të shpresës…
MOLI
Cukla resh ndjellin muzgun pranë nesh
Dhe shlyejnë buzëkuqin prej buzëve tua
Që ngadalë shndrrohet më i ëmbël, më gri
E ndjej që edhe sonte po të ikësh sikur dielli
Asnjë peng mes nesh nuk mbetet tjetër
Kur silueta jote te moli shket , varkë e fundit
Mbi syrprinën e ëndërrt të vesës…
VERA
Mbi qelqin e gotës vizatuar trajtat e mungesës
Ngjyer në tulin e purpurtë të një qershie të vetme
Zhytur padashur në lëngun e akullt që marrëmënd
Duke kuptuar ritmin e çmendur të jetës
Dhe kufijtë e vetes…
Shtyj gotën përtej pragut por nuk thyhet
Teksa rrokulliset në barin e brishtë të muzgut
Vera e vjetër…
AMANET
Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Atë mbrëmje jam kthyer me gjoksin bosh
Një pikëllimë të madhe në zgavrën e tij
Binte si këmbanë natën e pambarueme
Ndërsa ti shkoje me zemrën time në duar
Ndër banesa të shkretuara, ndër mure…
Amanet ta kisha lënë zemrën pa ngurim
Llambë për ty në rrugën e gjatë të kthimit
E pashë kur u shua skaj horizontit të largët
Si drita e zbehtë e një ylli …
Një zog nate ulet të çukisë mbi mua
I uritur dhe me cicërima ndër vaje
Por ti mos u ndal rrugës tënde e dashur
Si fener shprese, zemrën time mbaje…
KOHA
Netve, kur më merr malli
Kthej kohën e shkuar kah vetja
E flas me të në sofrën e natës
Së bashku pimë verë të valë
Me gllënjka të vogla, të ngadalta
Dehemi pakuptuar deri në ag…
Ajo ka shkuar në krahë yjesh
Në sofrën e përmbysur të mëngjesit
Pelerinë e saj e përgjakur kullon
Diellin e sapolindur dhe të sotmen
Pengjet e mia merr me vete
Si lotë shiu mbi horizont i zbraz…
Tropojë, Mars 2024