Rreth 40 studiues shqiptarë dhe të huaj të natyrës kërkuan nga qeveria shqiptare që të përfshijë Deltën e Lumit Vjosa në Parkun Kombëtar të Vjosës dhe të ndalë vizionin për projekte të turizmit masiv.
Në një deklaratë, pas një jave shkencore në Deltën e Vjosës të studiuesve nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Greqia dhe Italia, e cila u shpërnda nga organizatat mjedisore “Euro Natur”, “Riverwatch” dhe “EcoAlbania” thuhet se Delta e Vjosës, përballet me shumë kërcënime prej vizionit të qeverisë shqiptare për turizëm masiv.
“Së fundmi, vijon deklarata, qeveria planifikon ndertimin e nje resorti luksoz me Jared Kushner, dhëndrrin e Donald Trump, në zonën e Zvërnecit, brenda deltës së Vjosës.. Sipas masterplanit të qeverisë për zonën, kjo është vetëm maja e ajsbergut të planeve shkatërruese për këtë ekosistem delikat. Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gjithashtu brenda Deltës, është tashmë në ndërtim” thuhet në deklaratë.
Organizatat mjedisore përfshijnë në deklaratën e shpërndarë citime të disa prej studiuesve që morën pjesë në Deltën e lumit Vjosa në mbledhjen e të dhënave të disiplinave të ndryshme, që nga studimi i peshqve, gjitarëve, shpendëve, bimësisë, insekteve dhe deri te monitorimi i cilësisë së ujit dhe mikroplastikës.
“Gjetjet tona në vetëm 5 ditë kërkimi janë më të vërtetë të jashtëzakonshme dhe qëndrojnë si një testament i biodiversitetit të pasur të deltës. Ndaj ne po draftojmë një raport gjithëpërfshirës të të dhënave tona dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë rëndësinë ekologjike të kësaj zone delikate dhe ta përfshijë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, në përputhje me standardet e IUCN”, pohoi profesori i shkencave të natyrës në Universitetin e Tiranës, Aleko Miho .
Ndërsa Fritz Shiemer nga Universiteti i Vienës deklaroi se: “Në mes të joshjes së turizmit luksoz, ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pakrahasueshme ekologjike të deltës së Vjosës, një thesar unik në të gjithë Europën. Le t’i japim prioritet ruajtjes mbi zhvillimin.”
Një studim i ri tregon siaps organizatave mjedisore që Delta e Vjosës është një nga deltat e pakta të paprekura në Mesdhe. Nga 258 deltat dhe grykëderdhjet e lumenjve të vlerësuara në rajon, vetëm 4% e tyre, siaps studimit, janë në gjendje të mirë.
Studimi thotë se Delta e Vjosës dhe deltat fqinjë të lumenjve Shkumbin dhe Seman në Shqipëri përbëjnë deltat e fundit të mëdha dhe dinamike, të cilat bartin vlerë të pakrahasueshme për të gjithë detin Mesdhe dhe Europën.
Java e Shkencore e Deltës së Vjosës pason ekspedita të ngjashme në pellgun e Vjosës në vitin 2017 dhe dhe 2021, të cilat luajtën sipas organizatave mjedsiore një rol kryesor në nxjerrjen në pah të vlerave ekologjike të Vjosës, duke shmangur projektet hidroenergjetike dhe përfundimisht duke hapur rrugën për mbrojtjen e Vjosës si Parku Kombëtar i Lumit të Egër.