Ndërsa Vladimir Putini festonte zgjedhjen e tij të pestë, me një fitore zyrtarisht stratosferike, në Seul të Koresë së Jugut mbahej një “takim i nivelit të lartë të demokracive” në një ton të thjeshtë.
Ideja e takimit qe hedhur nga Joe Biden më 1921, pastaj mori më shumë dukshmëri e dalje në pah mbas mësymjes ruse të Ukrainës, në një periudhë , në të cilën koalicioni i liberaldemokracive dukej më i bashkuar e më luftarak.Sot qëndrimi i perandorisë ruse në terrenin ushtarak, me shtesën e ritit zgjedhor të sapofestuar e bën problematik çdo lloj “triumfalizmi” të “botës së lirë”. Kina dhe Irani, dy fuqi të tjera të boshtit kundërperëndimor, kanë regjime që nuk duken se janë nisur drejt derës së daljes, së paku në dukje. Por ka ndryshime ndërmjet këtyre kombeve. Njëra ka të bëjë pikërisht me ritin zgjedhor. Përse Putini iu kërkon rusëve të votojnë, mbasi ai i mbyll rrugën çdo zgjedhjeje, i heshton apo asgjëson kundërshtarët, pra mund të vazhdojë të ushtrojë pushtetin e tij despotik, duke kursyer votimet e përgjithëshme? Përse nuk bën si miku dhe aleati i tij Xi Jinping, i cili mendohet gjatë për të thirrur kinezët në votime, nuk shtiret as se ka miratimin e tyre, por pranon (tashmë prej tre mandatesh) nga një sistem i fshehtë në brendësi të partisë komuniste?
Zgjedhja ruse është dhunuar në shumë mënyra. Vdekja e Aleksej Navalnit na ka kujtuar se çfarë fundi kanë kundërshtarët e vërtetë të regjimit. Pra është e drejtë të thuhet se vendimi i kutive ruse është i tjetërsuar. Megjithatë Putini ka ndjerë nevojën të organizojë këtë vënie në skenë. Kjo sepse dhe regjimet autoritare venë para vetes pothuajse gjithmonë problemin e pëlqimit. Kufijtë ndërmjet demokracive dhe autoritarizmave nuk janë vija të kuqe të shënuara me zjarr; ka shkallëzime dhe ngjyrime, shumë kalime të ndërmjetme, sisteme politike “hibridë” që mund të përziejnë shkallë autoritarizmi e miratime popullore.
Për të marrë ngjasime historike, mund të kujtohen Mussolini, Hitleri, Stalini, Mao, të gjithë kanë gëzuar një pëlqim nga popujt e tyre, së paku në disa faza të historisë së tyre. Disa hipën në fuqi edhe në sajë të votimit të masave (Mussolini, Hitleri), të tjerë kishin një ligjësim të tipit revolucionar që kalonte nëpërmjet rolit të partisë komuniste, “pararoja e proletariatit”.
Ndërsa, për të përdorur ngjasime të sotme, ndërmjet aq ndryshesave të ndërmjetme mes demokracisë “së përsosur” (që nuk gjindet) dhe autoritarizmit, mund të kujtojmë se më një mars u votua në iran. Edhe atje një opozitë e vërtetë është shtypur dhe ndrydhur mizorisht; pakënaqësia popullore kundrejt ajatollahëve është shfaqur nëpërmjet një mosvotimi rekord (madje dhe vetë regjimi islamik ka pranuar se pjesëmarrja në votime ka qënë vetëm 40%, më e pakta që nga revolucioni komeinist i 1979). Megjithatë edhe teokracia shiite e Teheranit, si Putini, kërkon të sanksionojë ligjëshmërinë e saj duke kaluar përmjet votimeve të përgjithëshme, gjë që nuk e bëjnë as Kina komuniste, as Koreja e Veriut, por as Arabia Saudite e qeverisur nga një mbretëri absolute. Në Turqi qeveris një “Sulltan” që ka pakësuar lirinë e shprehjes dhe disa të drejta të kundërshtarëve, por të katalogohet Erdogani si një diktator do të ishte e gabuar, pëlqimi të cilin e gëzon është i vërtetë, votimet e tijkanë qënë më të lira se ata ruse.
Duke u kthyer tek Putini, fatkeqësisht ka hulumtime mjaft të besueshme që i veshin atij një popullaritet në rritje në sajë të luftës, e megjithë vuajtjet që ajo luftë i shkakton një pjese të popullit rus. Terma “demokracia” është e dyshimtë dhe mund të keqkuptohet: me që emërton “qeverinë e popullit”, a është e mjaftueshme që populli të jetë shprehur – siç ka bërë në Rusi – për t’i dhënë ligjëshmëri demokratike një drejtuesi?
Etërit kushtetues të Shteteve të Bashkuar të Amerikës – më e lashta liberal-demokraci e botës – parapëlqenin fjalën Republikë. Për ata nuk mjaftonte që qeveria të kishte miratimin e qytetarëve nëpërmjet votës. Këtij elementi të qenësishëm të demokracisë, duhej t’i shtoheshin cilësitë e një Republike: ndarja e pushteteve, liri shprehjeje, liri besimi, mbrojtje e pakicave, shkurt të gjitha ato siguri që përbëjnë Shtetin e së drejtës e që një demokraci popullore do të mund t’i shkelte me këmbë. “Rule of Law”, terma angleze që emërton Shtetin e së drejtës, është ndjellëse: do të thotë se ai që komandon është ligji, i njëjtë për të gjithë, edhe për të fuqishmit. Kjo nuk i zbatohet sigurisht Putinit, as edhe shumë të tjerë despotëve, edhe se të veshur me pëlqimin e masës.
Në problem i Rusisë është se ai pëlqim ekziston. Sigurisht nuk do të jetë 88%, por ekziston. Duke e parë me kthjelltësi këtë përfundim, do të thotë se Perëndimi, veçanërisht Evropa, nuk ka vetëm “një problem Putin”, ka një “problem rus” të vetin e të vërtetë. Ashtu sikurse Evropa vuajti “çështjen gjermane” deri sa kultura e atij kombi ishte e nginjur me kombëtarizmin viktimist, inatçi, agresiv e paranojak, që kishte ushqyer veprimet e Rajhut më parë se sa nazizmi.
Pastaj është problemi i putinizmit në shtëpinë tonë. Që kur filloi mësyemja kriminale kundër Ukrainës kemi matur shtrirjen e simpative për Putinin, nga ato më të hapurat (veçanërisht në të djathtë: Trump, Salvini, Orban), tek ato më të maskuarat të pacifizmit të së majtës, këto të fundit të frymëzuar nga vetëm një siguri, që Perëndimi është perandoria e vërtetë e së keqes.
Putinizmat e shtëpisë sonë mund të kenë prejardhje të ndryshme. Disa djathtas shohin në Carin mbrojtësin e sistemit të vlerave tradicionale, të kërcënuara nga politikisht korrekt ose nga kultura e zgjuar e Perëndimit. Të tjerë djathtas e majtas, janë lënë të indoktrinohen nga teoria e komplotit mbi rrethimin e hamendësuar të Rusisë nga ana e një NATO-je luftënxitëse , sa që të gjithë agresionet e Putinit bëhen mbrojtje e ligjëshme.
Së fundi ka një problem mbi sfondin, ai që tejduket nga klima e trishtuar dhe e përulur në të cilën zhvillohettakimi i retë botëror i demokracive në Korenë e Veriut. Edhe popujt që kanë traditat më të hershme e më të fuqishme demokratike, nuk janë të dashuruar në mënyrë jo kritike e përjetësisht me demokracinë për arsye filozofike, vlerash. Si çdo sistem politik edhe demokracia duhet të pushtojë e të meritojë pëlqimin nëpërmjet rezultateve që jep. Është në këtë drejtim që bilanci i sotëm nuk ngazëllen, deri n’atë pikë që në shumë vende zvjerdhja e qytetarëve ndeshet jo me këtë apo atë qeveri, me këtë apo atë parti , por me vetë sistemin.
Amerika shkëlqen në shumë manifestime të një lodhjeje demokratike, e fajet nuk janë vetëm në një anë. Trump-i, nxitësi i sulmit mbi Campidoglio, është një rast skajor me rregullën e vet, simbas së cilës “ose fitoj un ose zgjedhjet janë të fallsifikuara”. Nga ana e kundërt i përgjigjen me një koncept jo më pak të rrezikshëm “O fitojmë ne, ose kjo nuk do të jetë më një demokraci”.
Më 17 shtator 1787, kujt e pyeste se çfarë sistemi politik etërit kushtetues kishin përcaktuar për Shtetet e Bashkuar t’Amerikës, Beniamin Franklini përgjigjej: “Një Republikë, nëse do të jeni në gjëndje t’a ruani”. N’atë përgjigje ishte vetëdija se asnjë sistem politik është i përsosur në përgjithësi, e asnjë nuk është përgjithmonë, nëse qytetarëtnuk kanë arsye të forta për t’a mbrojtur.
“Corriere della Sera”, 18 mars 2024 Përkrtheu Eugjen Merlika