Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë, dhe jo asaj të Kosovës.
“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe kështu, njëkohësisht duke minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Osmani ka thënë se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.
“Vetëm imagjinojeni një politikan serb që ka vendosur lule para varrit të një vajze shtatëvjeçare gjatë kohës së luftës, i cili është arrestuar menjëherë dhe është torturuar në burgjet e Serbisë”.
Ky, sipas saj, është fati i çdo serbi që nuk është në linjë me qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Nikolla Sandulloviq nga Serbia, është arrestuar më 3 janar të vitit 2024, pak kohë pasi pati publikuar fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz, Kosovë.
Ai është arrestuar nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.
Ndërkohë ai është liruar, por i është konfiskuar pasaporta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai është keqtrajtuar pasi ka kërkuar falje për krimet e Serbisë.
Kur ka folur për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Osmani ka thënë se serbët në Kosovë duhet ta falënderojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pse kryetarët shqiptarë janë ende në ato pozita.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.
Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.
Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.
Përgjatë fjalimit të saj, Osmani ka folur edhe për gratë që ka qenë pjesë e delegacionit të saj në takim, të mbijetuara të masakrave të kryera nga forcat jugosllave në Kosovë, gra që kanë familjarë të zhdukur në luftë, si dhe të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Vuçiq është ankuar pse ato gra kanë marrë pjesë në takim, duke thënë se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.
Osmani, në anën tjetër, ka thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, e ka kritikuar Serbinë që nuk ka marrë ende asnjë veprim për të dënuar personat e përfshirë në sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, duke përmendur në mënyrë specifike Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryeje të sulmit.
Ai aktualisht besohet se është në Serbi.
Wood ka shprehur shqetësim edhe për ndalimin që u është bërë kosovarëve ditë më parë, teksa kanë kaluar nëpër territorin e Serbisë për në Kosovë.
Serbia i ka arsyetuar vonesat me rritje të kontrolleve kufitare.
Wood e ka përsëritur edhe në këtë takim se SHBA-ja beson që misioni i UNMIK-ut në Kosovë e ka kryer punën e vet dhe që duhet të përmbyllet.
Vuçiq: Numri i votuesve shqiptarë u rrit artificialisht në veri të Kosovës, bojkoti i Listës Serbe i arsyeshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.
Vuçiq i ka quajtur farsë deklaratat e Kosovës si lidere në fushën e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, dhe ka shprehur keqardhje që raporti i OKB-së nuk ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për të kundërtën.
Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.
Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.
Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.
Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Sa u përket votimeve për largim ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se rritja e numrit të votuesve shqiptarë është rritur artificialisht në muajt e fundit në komunat veriore, prandaj, sipas tij, është i kuptueshmëm bojkotimi i votimit të 21 prillit nga ana e serbëve lokalë.
Asnjë anëtar i misioneve diplomatike në Kosovë, dhe as monitorues ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Kosovë, nuk i kanë konfirmuar supozimet e Vuçiqit për rritje artificiale të numrit të votuesve.
Ziadeh: Pak përparim në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në muajt e fundit
Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ajo i ka bërë këto deklarata në Nju Jork, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa e ka prezantuar raportin për Kosovën.
Ziadeh ka raportuar për zhvillimet në Kosovë për periudhën 19 shtator 2023 deri më 15 mars 2024.
Sipas saj, disa herë gjatë kësaj periudhe është shënuar kthim mbrapa në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur incidentin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Mes tjerash, ajo e ka shprehur shqetësimin e saj edhe për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të BQK-së për dinarin,
Ajo e ka përgëzuar Kosovën për finalizim të procesit të regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas një vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrë më 2016.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi, me arsyetimin se diçka e tillë është kyçe për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës. REL