Policia britanike vëren se paratë që mendohet se krijohen nga bandat e kokainës dhe kanabisit, po zhvendosen jashtë Britanisë me furgonë për t’u pastruar në prona dhe biznese. Një investigim i gazetës britanike “Sunday Express” zbuloi se 4 anëtarë të dyshuar të një grupi të krimit të organizuar, të përfshirë në kontrabandën e parave të pista nga Britania në Shqipëri ishin arrestuan vetëm këtë muaj.
Një zëdhënës i NCA tha se “oficerët besojnë se grupi operon nën maskën e një kompanie korrierësh legjitimë”.
Më 13 prill, një shtetas shqiptar, 48 vjeç, u arrestua në Dover kur në automjetin e tij iu sekuestruan 200 mijë £ në kartëmonedha. Në të njëjtën ditë, dy burra, të moshave 34 dhe 22 vjeç, si dhe një 17-vjeçar u arrestuan në Tottenham Hale, në veri të Londrës, kur u sekuestruan rreth 150 mijë £ para të thata.
Hetimi kishte filluar në shkurt 2022 pasi zyrtarët e Forcave Kufitare ndaluan një shtetas shqiptar në tunelin e Kanalit të La Manshit. Brenda furgonit të tij, me destinacion kryeqytetin shqiptar Tiranën, oficerët gjetën 390 mijë £ ndërsa 150 mijë £ të tjera u gjetën në shtëpinë e tij në Haringey. Investigimi i “Sunday Express” zbuloi se praktika e përdorimit të firmave të korrierëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për të lëvizur para të padeklaruara është goxha e përhapur.
Në maj të vitit 2021, policia shqiptare sekuestroi 123 mijë £ të fshehura në një furgon Mercedes të dërguar nga kompania “Sihana Transport” me qendër në Luton, i cili lëvizte mallra të ligjshme.
Bandat shqiptare të krimit po përdorin firma korrierësh të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të transportuar pakot e parave në atdheun e tyre. Paratë që mendohet se në disa raste janë gjeneruar nga organizatat e kokainës dhe shtëpive të barit po zhvendosen nga Britania me furgona për t’u pastruar në prona dhe biznese.
Investigimi i “Sunday Express” zbuloi se korrierë të regjistruar në “Companies House” drejtohen nga disa nga shtetas shqiptarë të cilët reklamojnë në rrjetet sociale se transportojnë sende të ligjshme mes dy vendeve, siç mund të jenë mobiljet. Në disa raste ata janë përfshirë në dërgimin e parave cash të padeklaruara dhe të paktën një rast u gjetën edhe armë zjarri. Javën e kaluar kjo gazetë zbuloi se gjigantët e mediave sociale po ndihmojnë në nxitjen e një fluksi punonjësish shqiptarë të drogës të promovojnë një mënyrë jetese kriminale.
Shoferi Olsi Sefolli, 24 vjeç, u arrestua pasi nga skanimi me rreze X i furgonit të tij u gjetën të fshehura 10 pako me para. Sefolli nga Durrësi (Shqipëri) mohoi në polici të kishte dijeni për to. Ai tha se e kishte marrë furgonin në portin e Ankonës në Itali nga një tjetër shofer i ardhur nga Britania e Madhe. Gjatë gjykimit të tij, kushëriri i Olsit, Guxim Sefolli, 30 vjeç, nga Lutoni, i cili zotëron “Sihana Transport”, dëshmoi duke pranuar se ishte ai që kishte fshehur paratë në furgon pa dijeninë e dy shoferëve. Ai tha se paratë ishin për të blerë një apartament në Vlorë.
Ai mohoi se ishin të ardhura kriminale dhe tha se ishin kursimet e tij të fituara në mënyrë legjitime nga viti 2017 e më pas, por edhe të bëra me punë të zezë në ndërtim që nga ardhja e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga 2010 deri në 2017. Guximi nuk u përball me asnjë sanksion, por Olsi u shpall fajtor për mosdeklarim të ardhurash dhe u dënua me 9 muaj burg me kusht.
E njëjta firmë u vu në vëmendjen e policisë shqiptare në prill të vitit të kaluar kur në një furgon në saj në Portin e Durrësit u gjetën 8 pistoleta dhe municione luftarake. Raportimet në Shqipëri përmendën Guxim Sefollin si pronar të furgonit dhe thanë se ngarkesa ishte nisur për në Angli.
Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) kërkoi mbështetje nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar për të hetuar rastin dhe forcat shqiptare thanë se drejtuesi i furgonit mbetet nën hetim. Guxim Sefolli është kontaktuar për një koment përmes një faqeje në Facebook për firmën e korrierëve, e cila që atëherë ka ndryshuar emrin.
“Një klient përdori kompaninë time për të sjellë disa tavolina nga Shqipëria dhe fshehu këto armë pa dijeninë time. Sapo e zbulova këtë, bëra një kallëzim në stacionin e policisë lokale dhe më vonë inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar më pyeti për detaje dhe unë dhashë gjithçka” – tha ai për armët.
Ai tha se emri i tij në Shqipëri në lidhje me të dyja rastet kishte ndikuar në reputacionin e tij ndaj dhe ai është zhvendosur në profesione të tjera. Në një rast tjetër, u gjetën 225 mijë £ në rezervuarin e karburantit të një furgoni Mercedes të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në portin italian të Barit në shkurt 2021.
“Këto automjete e bëjnë udhëtimin çdo javë. Ka një rrjet të mirëorganizuar” – tha një zëdhënës i doganës italiane në atë kohë. “NCA nuk konfirmon ose mohon në mënyrë rutinore hetimet” – tha një zëdhënës i NCA.
Nga kontrollet e mediave online nga gazeta janë gjetur 28 kompani të regjistruara në Britaninë e Madhe, të specializuara në transportin e rrobave, mobiljeve apo sendeve të tjera nga qytete të ndryshme drejt Shqipërisë. “Brenda komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dihet mirë se disa nga këto firma nxjerrin para kontrabandë jashtë vendit” – tha një burim shqiptar.
“Forca Kufitare është e vendosur në përpjekjet e saj për të zbuluar dhe konfiskuar mallra të dëmshme ose para të padeklaruara” – tha një zëdhënës i Zyrës së Ministrisë së Brendshme. ©Marrë nga Sunday Express sn