Të enjten u bënë 6 muaj që një gazetare amerikane qëndron pas hekurave në Rusi, për akuza që grupet që mbështesin lirinë e shtypit i kanë dënuar si false dhe të motivuara politikisht.
Alsu Kurmasheva, redaktore në Shërbimin Tatar të radios simotër të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë, u arrestua më 18 tetor të vitit 2023 dhe që atëherë mbahet në paraburgim.
Personat që kanë nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse akuzohen nëse nuk regjistrohen si “agjent i huaj” dhe për përhapjen e asaj që Moska e sheh si informacion të rremë për ushtrinë ruse.
Zonja Kurmasheva dhe Evropa e Lirë kanë hedhur poshtë akuzat kundër saj, për të cilat parashikohet një dënim prej 15 vitesh burg.
Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë të dërguar me e-mail se rastet e të gjithë shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi kanë vëmendjen e saj të plotë.
“Gjashtë muaj më pas, ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga ndalimi i Alsus”, tha Ambasadorja Tracy. “Ne kemi qenë të zëshëm në dënimin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kremlinit për të heshtur, frikësuar dhe ndëshkuar gazetarët, zërat e shoqërisë civile dhe rusët e zakonshëm që flasin kundër luftës së Kremlinit në Ukrainë.”
Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zonjës Kurmasheva.
“Gjashtë-mujori i ndalimit të Alsusë është i rëndësishëm, sepse ajo nuk duhet të ishte burgosur as për një ditë të vetme. Është një rast absolutisht i padrejtë, absurd me akuza të fabrikuara”, tha Gulnoza Said, koordinatore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).
“Alsuja duhet të lirohet menjëherë nga burgu dhe të jetë në gjendje të udhëtojë përsëri në Pragë dhe të shohë familjen e saj”, tha ajo për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku.
Ambasada e Rusisë në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment të Zërit të Amerikës të dërguar me postë elektronike.
Vizitë Urgjente
Me banim në Pragë, zonja Kurmasheva udhëtoi në Rusi në maj të vitit 2023 për një urgjencë familjare. Pasaportat e saj iu konfiskuan kur ajo u përpoq të largohej nga vendi në muajin qershor. Ajo priste që t’i ktheheshin pasaportat kur u arrestua rreth katër muaj më vonë.
Në fillim të prillit, paraburgimi i gazetarës Kurmasheva u shty sërish, këtë herë deri në qershor.
“Nuk është një proces ligjor, është një dredhi politike dhe Alsuja dhe familja e saj po paguajnë pa asnjë arsye një çmim të tmerrshëm. Rusia duhet t’i japë fund këtij mashtrimi dhe ta lirojë menjëherë atë pa kushte”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë Stephen Capus në një deklaratë në lidhje me zgjatjen e fundit të paraburgimit.
Qeveria ruse e shpalli Radion Evropa e Lirë si një “organizatë të padëshirueshme” në muajin shkurt.
Në seancën e saj të fundit gjyqësore, zonja Kurmasheva u tha gazetarëve se “nuk ishte shumë mirë fizikisht” dhe se kishte kujdes “minimal” mjekësor. Kushtet në burg “janë shumë të këqija”, tha ajo, duke shtuar se një vrimë në dyshemenë e qelisë së saj funksionon si tualet.
Ky përshkrim ka shqetësuar avokatët e lirisë së shtypit.
“Kushtet janë mjaft të këqija dhe ne jemi të shqetësuar për përkeqësimin e shëndetit të saj”, tha Jeanne Cavelier, shefe e zyrës për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore te organizata Reporterët pa Kufij (RSF), me bazë në Paris.
Deri më sot, qeveria ruse ka refuzuar kërkesat e Ambasadës amerikane për qasje te gazetarja Kurmasheva.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për ndalimin e Alsu Kurmashevës në Rusi,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë. “Akuzat kundër zonjës Kurmasheva janë një tjetër shenjë e dobësisë së regjimit të [presidentit rus Vladimir] Putin.”
Organizata që mbikqyr Radion Evropa e Lirë, Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), ka kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të gazetarës Kurmasheva.
“Mbajtja e Alsusë në paraburgim është diçka që është e vështirë edhe ta imagjinosh”, i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë të dërguar me email, Shefja Ekzekutive e ‘USAGM-së’, Amanda Bennett. “Vonesat dhe paqartësitë rreth çështjes tregojnë se ky është një marifet politik për të çuar përpara agjendën e Kremlinit. Ajo po trajtohet si një subjekt pazaresh e jo si një qenie njerëzore”.
E para që u vu në shënjestër
Sipas ekspertëve të lirisë së shtypit, zonja Kurmasheva është personi i parë që vihet në shënjestër nga Rusia për mosregjistrim si agjent i huaj. Arrestimi i saj ka pasur një efekt rrëqethës te gazetarët e tjerë në Rusi, të cilët kanë frikë se mund të vihen gjithashtu në shënjestër.
“Kuadri ligjor i Rusisë dhe në mënyrë të veçantë legjislacioni shtypës, është shumë i gjerë. Ai është konceptuar qëllimisht në mënyrë të paqartë”, tha Karol Luczka, i cili drejton Institutin e Shtypit Ndërkombëtar në Europën Lindore. Ai citoi ligjin e Rusisë për agjentët e huaj, si një shembull konkret.
“Në këtë kohë, thuajse çdokush mund të konsiderohet agjent i huaj për shkak të një veprimtarie në të shkuarën. Në këtë kuptim, është shumë domethënëse se si ata e përdorin legjislacionin, sepse tregon se edhe kur nuk kanë akuza reale ndaj ndokujt, mund të gjejnë diçka”, tha zoti Luckzka, i cili ushtron veprimtarinë e tij në Vjenë.
Prej muajsh, grupe që mbështesin median e lirë i kanë bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të deklarojë se zonja Kumasheva po mbahet në mënyrë të paligjshme, çka do i hapte udhë burimeve të tjera shtesë që do të ndihmonin në lirimin e saj.
Më herët gjatë këtij muaji, Roger Carstens, i dërguari i posaçëm i Presidentit mbi çështjet e pengjeve, i tha Zërit të Amerikës se zyrtarët amerikanë ishin ende duke shqyrtuar vendimin nëse duhet apo jo të deklarojnë se zonja Kurmasheva është burgosur në mënyrë të padrejtë.
“E kemi parë me kujdes rastin e saj. Nuk është vendosur ende nëse ajo është burgosur në mënyrë të padrejtë”, tha zoti Cartens. “Por është një çështje për të cilat po vazhdojmë kërkimet për të marrë më shumë informacion”.
“Departamenti i Shtetit në mënyrë të vazhdueshme rishikon rrethanat lidhur me burgosjen e shtetasve amerikanë jashtë vendit, përfshirë ata në Rusi, për të parë nëse burgosja mund të jetë e paligjshme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Përgjigja e DASH-it ndaj një liste pyetjesh të detajuara, ishte një deklaratë e cila ishte identike me një tjetër që i ishte dërguar më parë Zërit të Amerikës.
“Kur bën vlerësime, departamenti kryen një rishikim ligjor, të mbështetur në fakte, që shqyrton tërësinë e rrethanave për secilin rast individualisht”, thuhet në deklaratë.
Zonja Kurmasheva është një nga dy gazetarët amerikanë të burgosur në Rusi. Për tjetrin, gazetarin e gazetës “The Wall Street Journal”, Departamenti i Shtetit ka deklaruar se është burgosur në mënyrë të padrejtë.
Zonja Kurmasheva dhe zoti Gershkovich janë në mesin e 22 gazetarëve të burgosur në Rusi, sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, deri në fund të vitit 2023.
Rusia renditet në vend të katërt në botë për burgosjen e gazetarëve, por që ka burgosur numrin më të lartë të gazetarëve të huaj.
Nga 22 gazetarë të burgosur në Rusi, 12 janë shtetas të huaj. Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, veç gazetarëve Kurmasheva dhe Gershkovich, Moska ka burgosur 10 gazetarë ukrainas.
Trysnia është shtuar
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Rusi, Lynne Tracy tha se shtypja nga Moska është intensifikuar që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Autoritetet kanë mbyllur dhjetëra media duke përdorur gjobat dhe legjislacionin shtypës, kanë censuruar mijëra faqe interneti dhe vazhdojnë të përndjekin gazetarët”, tha ajo.
“Kjo prirje është shumë shqetësuese dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për respektimin e të drejtave themelore në Rusi, përfshirë të drejtën e shprehjes, që i garanton vetë kushtetuta ruse”.
Një nga pikat e përbashkëta kyçe të rasteve të gazetarëve Gershkovich dhe Kurmasheva është se lirimi i tyre nuk do të ndodhë mbi bazën e një vendimi gjyqësor”, sipas zonjës Said.
“Nuk ka asnjë mënyrë që avokatët e tyre të provojnë se ata janë të pafajshëm përmes një procesi gjyqësor, sepse gjykatat në Rusi nuk janë të pavarura. Ata mund të lirohen përmes zgjidhjeve politike ose atyre diplomatike”, tha ajo.
“Prandaj ka kaq shumë rëndësi që Shtetet e Bashkuara të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të ushtruar trysni ndaj autoriteteve ruse për t’i lënë ata të lirë”, tha ajo.
Ky artikull u shkrua edhe me ndihmën e korrespondentit të Zërit të Amerikës Jeff Seldin