U nda nga jeta një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare dhe la pas një trashëgimi të çmuar.
Aktorja e njohur Shirine Morina lindi më 27 maj të vitit 1951. Ajo e nisi karrierën e saj në teatër në moshën e re, duke filluar të luajë në shfaqje të ndryshme në skenat lokale. Në fillim të karrierës, ajo u përball me kundërshtimin e familjes për të ndjekur ëndrrën e saj për të qenë aktore, por guximi dhe vendosmëria i mundësuan asaj të ndiqte rrugën e saj në jetë.
Një nga veprat më të rëndësishme të Shirine Morina ishte në zhanrin e monodramës, ku aktori shfaqet vetëm në skenë. Në veprën “Mbretëresha Teutë”, shfaqja e saj e fortë dhe e ndjeshme i bëri të qartë talentin dhe aftësinë e saj aktoriale.
Jashtë teatrit, Morina u shqua edhe në ekranin televiziv, duke luajtur në serialet popullore si “Banda e Luta Fukaras”, “Cimerat”, “Kombinati e Pleqt”, dhe “Ça ka Shpija”, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut.
Edhe pse karriera e saj ishte e suksesshme, ajo nuk mbeti pa përballuar sfidat dhe paragjykimet në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale. Megjithatë, ajo vazhdoi të shkëlqejë dhe të kontribuojë në zhvillimin e artit teatral dhe televiziv në Kosovë.
Shirine Morina u nda nga jeta më 14 prill 2024, duke lënë pas një trashëgimi të madhe artistike dhe një ndikim të rëndësishëm në kulturën e vendit. Për tu mbajtur mend gjithmonë për kontributin e saj në botën e artit dhe për frymën dhe pasionin që sollte në secilën shfaqje para publikut.
Për figurën e shquar të skenës artistike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes faqes zyrtare të presidencës, Osmani shprehu ngushëllimet e saj për familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor.
“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun. Aktorja Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive”, ka thënë Osmani.
“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, deklaroi mes tjerash presidentja e Kosovës.
Në kujtim të aktores së shquar po sjellim për lexuesin një intervistë të saj në formën e profilit
Aty ku duhesh të jesh vetvetja, ku emocioni, origjinaliteti nuk duhet të fshihen, por janë vlerë dhe i dallojnë të jashtëzakonshmit nga të tjerët.
Kjo përçohet më së miri nga artisti tek audienca përmes teatrit. Kur flet me një aktor, nuk ka mundësi mos të të lejë mbresa lidhja dhe dashuria që e kanë për dërrasat, ndriçuesit edhe kostumet, që shumë shpejt bëhen pjesë e pandashme e jetës së tyre.
E tillë është edhe aktorja e njohur kosovare Shirine Morina. Edhe pse tashmë në moshë të shtyre, shpirti i saj artistik vazhdon të jetë evident.
“Edhe si e vogël e kam dashtë teatrin kam filluar në moshën 14 vjeçare, atëherë e kemi bo një shfaqje me Agim Zatriqin, me Fatmir Bajramin, Lecin, Cimen patëm luajt në sallën e pionerve . Ka qenë veç për fëmije, aty e përgatitem shfaqjen shumë shpejt për një muaj na veç startuam në skenë, pastaj e vazhduam ne disa vende kështu. Si teatër amator ka qenë, edhe mua gjithë më ka tërheq kjo skena. U hap mandej këtu për teatër. Njëherë ka qenë studio më pas është bërë si akademi. Edhe unë konkurrova 160 kemi qenë atëherë unë u pranova, dhjetë persona u pranuan, e më pas vazhdova me studiu”, u shpreh ajo.
Familja e saj nuk ishte e pajtimit për studim në degën e aktrimit. Mirëpo, ajo e ndjeku ëndrrën e saj deri në fund, duke e demonstruar që në fillim një ndër vetitë më të nevojshme për një aktore – guximin për të qenë ndryshe.
“Edhe pse familja ka qenë kundër, atëherë kanë qenë botëkuptime të ndryshme, jo aktore me u bo, jo ,jo e unë thashë more po edhe vazhdova me studiu”.
E të jesh në qendër të vëmendjes, e përherë në sytë e publikut nuk është aspak e lehtë. Presioni rritet, e me të shtohen edhe fjalët, paragjykimet, komentet here pozitive por shumë shpesh negative. Këto ishin të pranishme te Shirine Morina dhe karriera e saj në një shoqëri relativisht të mbyllur dhe patriarkale. Madje ajo nuk ndjehet aspak keq në qoftëse dikush nuk e parapëlqen. I duket më se normale.
E vepra ku e gjeti më së miri i takon zhanrit më sfidues për cilindo aktor, monodramës – ku aktori gjatë tërë kohëzgjatjes së shfaqjes gjendet i vetëm në skenë. Monodrama që ia mundësoi ta pasqyrojë më së miri vetveten e saj ishte “Mbretëresha Teutë”, e shkruar nga Rexhep Qosja.
“Baba im ishte i sëmurë, i thashë babi im jam duke punuar për këtë monodrama, hë a të pranoj, bëja disa prova lexuese te shtëpia, tha po shumë çika jeme ime unë edhe nëse vdes ti gjithqysh me lujt këtë monodramë qenka shumë e mire”.
E nëse teatri është komunikim i lirë dhe shumë i vlefshëm për pasurimin e një shoqërie, pse atëherë artistat japin shumë e marrin pak, pse ndodh kjo? Ku është shkaku?
“Ashtu është teatri. Japim shumë prej vetes, dëgjo gjithkush ik prej punës aktori nuk ik, aktori bile bile kërkon rolin mat madh, rolin kryesor. Se rolin kryesor ti mundesh me nxjerr rolin ki kohe me të japësh të gjithë prej vetes e ashtu pak kemi qenë të paguar gjithmonë”.
Jashtë teatrit Shirinën shumëkush e mban mend në emsionin “Pa pengesa”. Ose në serialin Banda e Luta Fukaras të realizuar në vitet e 70. E në teatër ajo njihet nga Hotel Kashta, Makbethi, Gjenerali i ushtrisë së Vdekur etj. Ajo luajti edhe në filmin Era dhe Lisi të Besim Sahatciut. Por ekranit televiziv nuk i mungoi as në serialet vendore si: Cimerat, Kombinati e Pleqt, si dhe së fundmi në Ça ka Shpija.