Prehu në paqe, përjetësisht, atje, tek ”Rrugica ime (Jote)”, buzë Vjosës, o NJERIU I VEÇANTË!
Të jesh dhe mbetesh përherë NJERI
Pak fjalë rreth poetit Xhevat Beqaraj.
Shumëkush e sheh tek ecën me atë çaphedhjen e ngadalshme, të lehtë, duke u matur mirë ku, kur dhe si shkel, me sytë e unjur përdhe, tërë përkujdesje, se mos lëvizë padashje ndonjë pllakëz të thyer a sopa mënjanuar të trotuarit nga vendi, a lëndon, ose i pret rrugën ndonjë gjallese, për andej nga ajo është nisur e ka marrë rrugëtimin, a, dhe, se mos shkel mbi qilimin e bukur të barit, duke mos dashur të shtyp,baltos, a pluhuros, qoftë dhe një fije të vetme të tij.
Kokunjur e shohin bashkëmoshatarët e tij tek çapit drejt Bibliotekës Kombëtare apo nga kodrat e Liqenit Artificial, tashmë që po u afrohet të tetëdhjetavedhe, po të tillë, hapngadaltë, e kujtojnë qysh prej rinisë së hershme.
Prej kohësh fjalëpak, zëulët dhe i mbetur po i tillë, pa ndryshuar aspak deri tani.
Përherë rënduar nga mendimet se si të thur ndonjë varg, se si të përdorë ndonjë metaforë, se si të thotë ndonjë fjalë mjaltore për këdo që mund të takojë, qoftë dhe për ndonjë që, i ka krijuar lodhshmëri.Ai nuk dëshiron të përdori kurrë fjalën besdi, shqetësim, ngacmim, shpifje, trillime pas krahësh, pabesi, urrejtje sikur ato të mos ishin pjesë e fjalorit të gjuhës sonë.
Përdor vetëm: ngadalësi, urtësi, dashuri, dhembshuri, miqësi, vllazëri. Po me atë çapmatje të përhershme, pa ndryshuar aspak ritmin, zakonet, pa i shkuar aspak në mend sesi mund të tërheq vëmendjen e dikujt.
Le të themi që ka ca kohë që ajo çapngjitje u ka munguar shkallëve që të çojnë në sallën e katit të dytë, të Bibliotekës, por, që, më së shumti, u ka munguar miqve të sallës së leximit, të cilët, së paku, mua, nuk më ka rastisur të më pyesin aq shumë për mungesën e tjetërkujt se sa për mikun, Njeriun e Mirë, siç dhe e cilësojnë thuajse të gjithë ata të cilët më drejtohen sa vë këmbë e ulem në tavolinën ngjitur ku ai punonte, të mësojnë diçka për mungestarinë e cakohëshme të Mikut tonë të përbashkët.
Të gjithë pytësit, me merakimin e dalluar qartazi në sytë e tyre për mirëshëndetin e dëshirur, pas interesimit dhe marrjes së përgjigjes se ai është mirë shpejtojnë të shtojnë: “Është dhe mbetet Njeri, Njeri i rrallë, I veçantë. Na mungon shumë.Na ka marrë malli. Me zi e presim të bashkëshkëmbejmë nja dy fjalë.”
Dhe këto i dëgjon jo vetëm nga miq të tij të penës, shkrimtarë, poetë, studjues, që nga më të vjetrit e deri edhe tek më të rinjtë, por dhe nga çdo punonjës i Bibliotekës, duke filluar nga pastrueset, rojet, punonjësit e kafeterisë e duke vazhduar me çdo punonjës tjetër të administratës.
Dhe prej të gjithëve e njëjta shprehje: Njeri i mrekullueshëm!
Jeta dhe të ndesh me njerëzit, të përplasë, të bën të prishësh gojë, të ngresh zërin, të bërtasësh, mbase dhe të ulërasësh, të shfrehësh dufin tënd të grumbulluar në gjoks, por tek Ai as e kam ndeshur dhe as e ka ndeshur ndokush ndonjëherë një gjë te tille.
Aq më pak do ta dëgjosh të flasë ai për veten e tij, sikur veta e parë e numrit njëjës të mos egzistonte, kur bëhet fjalë për të të treguar diçka nga puna, përvoja, përpjekjet që ai ka bërë në më shumë se një gjysmëshekulli krijimtari. Vetën e parë do ta dëgjosh ta përdorë vetëm kur do të marrë dhe mbajë mbi shpatulla përgjegjësitë e plota. Qoftë dhe për një presje në korrekturë.
Po ju tregoj një detaj shumë të vogël rreth kësaj. Po punonim bashkë, në të njëjtën tavolinë në Bibliotekë, më pesë dhjetor të vitit 2009, krah njëri-tjetrit.
Papritur ai u ngrit ngadalshëm dhe m’u afrua qetësisht, si të ecte në majë të gishtave duke mos dashur të tërhiqte vëmendjen e kurrkujt dhe, me një fije letër të shkruar me bojë të zezë m’u drejtua që të lexoja nja dy fjalë në dy rreshta. Ishte një dorëshkrim i Isuf Luzit. U mundova po nuk po i kuptoja dot fjalët. Edhe pse, për shkak të profesionittim më se dyzet vjeçar si mesues gjuhe kisha lexuar shkrime nga më të ndryshmet, kësaj here nuk po i lexoja dot fjalët, edhe pse u përqëndrova gjatë mbi to, ndaj, pas pak u shpreha: “Nuk e lexokam dot Isuf Luzin. Nuk e lexokemi dot, qenka i vështirë”,- shtova në shumës aty për aty edhe për të treguar se sa e vështirë dhe e lodhshme, por fisnike, ishte puna që ai kishte bërë dhe vazhdonte të bënte me atë durimtarinë e tij prej titaniku.
“Unë nuk di ta lexoj shkrimin e tij,-ma priti.-Vetëm unë.E lexoj me shumë mundime për shkak të moshës. Dhe nëse nuk arrij ta lexoj aq mirë është puna ime jo e mjaftueshme, ndaj mos thuaj ne, po unë. Unë duhet të përpiqem ta lexoj sa më mirë. Ty ta dhashë ta shohësh që pas shumë vjetësh të thuash: lexova të palexuarën.”
Dhe ai ka bërë dhe bën një punë vërtet të pakarahasueshme duke na e sjell veprën e Luzajt sa më orgjinale duke e stërmunduar veten, por, siç dhe thotë shkrimtari Faruk Myrtaj në një letër të Tetorit 2011:
“Dhe, për fat të kërkuar gjithë jetën, Xhevat Beqarajt iu shfaq Isuf Luzaj tani vonë, si për t’u marrë deri në fund me gjëra të përjetshme.”
E, kokunjur ai nuk është tërhequr por, si ai minatori i galerive të thella, gërmon, kërkon, qëmton fjalë, grupe fjalësh, fjali, vargje, paragrafe, tekste për të na i sjellë në sytë tanë me atë thjeshtësinë, bukurinë, brilantizmin e gjuhës sonë, për ta lexuar cel tekst kushdo dhe kurdo.
Sa për ilustrim do të doja të sillja një fragment nga një letër e ardhur prej së largu, Kanadasë nga Njeriu tjetër i letrave, Faruk Myrtaj sepse përshkrimet e mia rreth këtij Nejriu do të ishin shumë e më shumë të mangëta. Ja çfarë shkruan ai:
“Mbase në letrat shqipe ka pasur shumë shkrimtarë të mençur dhe të suksesshëm, por nuk kanë qenë të shumtë shkrimtarët NJERËZ në ato kohë të vështira. Xhevati e ka shpëtuar veten si ato manushaqet poshtë ferrave, si ato lulet e gdhendura në shkëmbinjtë nën rrëpirat mbi ujrat e klatra të mesdheut, atje ku nuk e arrinte dot askush, atje ka mbajtur frymën miku ynë i rrallë, dhe të tjerëve vërtet ashtu u thoshte: shshshtt…, se shshsshshtt se…dhe…”
Ndërsa Murat Gecaj do të shkruante se: “me atë heshtjen e tij “olimpike” ai ka në mendje e në shpirt vetëm mirësi e poezi”.
Vetëm mirësi i ka buruar e buron nga thellësia e shpirtit.
Ai, Nejriu-Poet që ka qenë, është dhe mbetet më së pari NJERI, edhe në rini, në vitet e ngarkuar me shpifje, trillime, skena e prapaskena, me rrjetthurje merimangore, ka ndenjur me lloj-lloj njerëzish, se puna ia ka dshur të shoqërohet, ka dëgjuar mjaft bllabaritje, dikush dhe i ka falur pak gëzim, ndonjëri dhe e ka mërzitur, ka patur dhe që i kanë dhënë shpresë, ka ndodhur dhe që e kanë trishtuar, por kurrkujt s’i ka drejtuar qoftë dhe një gjysmë fjale të keqe, vetëm ndonjërit, që ia ka prurë në majë të hundës, ka vendosur thjesht të mos rrijë më me të, t’i largohet urtshëm, t’i shtëmanget butësisht, pa e vënë re ai tjetri, po jo ta nëpërgojojë me pastaj.
Ai tërë jetën ka nderuar e nderon dhe sot këdo aq sa meritonte e meriton dhe kurrë nuk i është përulur e përulet cilidoqoftë tjetri.
Kurrë s’i ka parë, sheh e vlerësuar njerëzit nga atje ku janë ulur dhe t’u shfaqet, duket përballë, dhe aq më pak t’u kokëvaret.Kurrë.Këdo e ka vlerësuare vlerëson nga ajo që bën.
Respektoje tjetrin aq sa të respekton, mos e vlerëso më shumë se ç’mendon se është për hir të karriges. Po as mos lejo të nëpërkëmbin ty, këshillon urtësisht.
Nëse të rastis të flasësh me të nuk ngopesh së dëgjuari teksa flet me urtësi, butësi, mençuri dhe qetësi, si për natyrën e bukur duke filluar që nga kujtimet e fëmijërisë, mbushur me rrjedhën gurgulluese të Vjosës së bukur, me fërfëritjene gjetheve të rrapeve në pranverë, me qilimin e artë vjeshtor të gjetheve të rëna, me cërritjen e zogjve mëngjeseve të bukura, për zërin zgjues të cilëve ndjen mall, dhe për gjithçka të bukur që ka natyra.
Natyra me gjithë bukuritë: me drurët, shkurret, barin, lulet, gjallesat e buta dhe të egra është aty në zemrën, sytë, shpirtin, fjalën e tij. Dhe është kjo natyrë që shfaqet në çdo varg, figurë letrare, strofë, poezi, përshkruar me shumë mjeshtëri, bukuri dhe dashuri nga poeti.
Ai, pa frikë mund të them, është një nga mjeshtrit e mëdhenj të përshkrimit mjeshtëror të natyrës.
Edhe në ato vite të vështira, kur shumëkush, jo për faj të tij por të kohës së vështirë që kaluam, shkroi me apo pa dashje vargje, strofa, poema, tregime, romane sipas asaj që ju kërkohej, Xhevati, në laboratorin e tij krijues, me rigorozitet, pa parë shkallëngjitjen, po artin e vlerave, nuk u përgjunj, nëpërkëmb, zvarrit, nuk bëri qoftë dhe njëherë të vetme kompromis në shkelje të vlerave të artit.
Jo.
Vargjet e tij, siç dhe vëren me të drjetë poeti dhe studjuesi Kosovar Xhevat Sylaj, të kujtojnë ato të Lasgush Poradecit, në poezinë për të rritur, kurse në poezinë për fëmijë ato të Vehbi Kikajt.
Unë do të shtoja, sikundër dhe thotë vet poeti,që letërsia s’ka pse ndahet në letërsi për fëmijë dhe të rritur, aq më pak poezia e Xhevatit nuk mund të ndahet si e tillë, sikundër vëren dhe Faruk Myrtaj:
“Xhevati është nga poetët më poet të letrave shqipe e ju që jeni akoma aty,… e ndani pastaj, po të doni, në letërsi për të mëdhenj dhe për fëmijë!”
Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Mjafton të lexojmë me vëmendje poezinë e tij dhe do të ndjehemi mirë mes metaforave të shumta, personifikimeve, krahasimeve, ngjyrave ylberore, të gjalla, të bukura, të ndezura me të cilat na vihet para syve natyra, personazhet, ngjarjet e shumta. Tek vargjet e tij gjejmë gjithçka të bukur të mbidheshme, do të thosha pa e tepruar aspak, që nga fija e barit, sythet e sapo bujisura të pemëve, lulet anash lumit, shelgjet mbi liqen, shegët, milingonat, zogjtë në fluturim apo tek këndojnë ciu-ciu-ciu me zërin si tinguj violinash, detin, burimet e pastra, pellgjet, ujin, shiun, borën, akullin, viçat, qingjat, kecat, por dhe ujqërit, ariun, elefantin, dhelprat, të gjitha të personifikuara, madje të katër stinët e vitit mbushur me lëngun jetësor që ndihet, lëviz, vlon në çdo rresht të poezisë së tij. Dhe me këtë natyrë sheh të shkrirë, njësuar, jo vetëm fëmijët po gjithë njerëzit ashtu siç dhe është në të vërtet. Vlon jeta me të mirat,të bukurat, por dhe të këqiat, të shëmtuarat.
Janë këto dhe shumë të tjera të cilat kanë bërë që poezia e këtij mjeshtri t’i qëndrojë kohës kaq bukur dhe do t’i qëndrojë përherë ashtu: e bukur, e freskët, e mrekullueshme.
Nëntor, 2015, Nju jorku letrar