Më 28 Mars SPAK mori nën arrest dhe me detyrim për paraqitje 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës duke e quajtur dosja “5D”. Ata janë rrethi i ngushtë ose më të besuarit e Kryetarit Erion Veliaj të cilët po hetohen për korrupsion (nënkuptoni përvetësime, përfitime dhe influencë zgjedhore), përmes lëvrimit të disa projekteve milionëshe të pushtetit vendor në një zinxhir sipërmarrjesh private me paratë publike ku në krye të listës renditet Inceneratori i Tiranës. Në kohën kur të respektosh demokracinë dhe ku kuptohet se zyrtarët e zgjedhur veç transparencës duhet t’i shprehin publikut thellësisht qëndrimet dhe të ballafaqohen me performancën brenda të zgjedhurve të Këshillit Bashkiak, më e rëndësishmja është kostoja dhe përgjegjësitë politike e morale pa e infektuar shërbimin e përditshëm të administratës publike për shtetasit. Kjo me Bashkinë e Tiranës prej disa vitesh nuk ka ndodhur, dhe madje që pas zgjedhjeve të 14 Majit 2023 kryeqyteti që ka 27 njësi drejtohet nga një kryetar jo që qeveris administratën vendore, por si kreu i një organizate që ka rekrutuar mes 1700 punonjësve, më profesionistë të skemave të përfitimit dhe grabitjes së fondeve publike.
Në cilat prej këtyre çështjeve qëndron integriteti dhe besueshmëria e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj?
Ky “kryetar” është zor të kapet sepse ai preferoi mbrojtjen politike bashkë me shëndetësimin pas ndërhyrjes kirurgjikale. Veliaj i rikrijoi besimin vetes që të propagandojë me nxënës të ekselencës të një shkolle të mesme të kryeqytetit dhe ditë pas dite vijoi agjendën lokale propagandistike, u mbulua nga media për ngritjen e një imazhi deri sa në një mbrëmje gjatë një studio televizive kërkoi disa herë mundësinë për t’u dëgjuar për shkak të sakrificës shëndetësore dhe të mos ngacmohej ritmikisht me pyetje (“nuk ja dal dot me fuqinë fizike dhe se penjtë e plagës do t’i hiqte të nesërmen”). Pra edhe i qepur, Veliaj njihet se rrëshqet dhe njëkohësisht e zotëron artin e mashtrimit sepse ai në çdo dalje publike ashtu sikurse edhe me të vetët, përgjigjet që i kërkohen të drejtpërdrejta i adreson në disa mënyra; 1-duke mohuar, 2- duke bërë të paditurin, 3-duke luajtur viktimën politike dhe më shumë se këto 4- duke krahasuar numrin e shumë punëve e mira në raport me ato punë të tjera që janë gjetur me “pak gabime” dhe 5- jemi e vetmja forcë që mund të na besohet kur zgjedhësit na krahasojnë me kundërshtarin.
Këto të gjitha janë shmangiet nga pyetja e drejtpërdrejtë logjike se cilët janë këta anëtarë të skuadrës, pra bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë sot janë vënë përpara drejtësisë për miliona euro dëm ekonomik?
Në kronologjinë e ngjarjeve pra me 28 Mars, 2024 kur SPAK merr nën arrest dhe me detyrim për paraqitje 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës të quajtur dosja “5D”, një ditë më pas Erion Veliaj thyen akullin dhe del në Asamblenë e PS të Tiranës. Këto lëvizje janë lehtësisht të monitorueshme mediatikisht sepse përbëjnë tashmë fakte, janë qëndrime dhe deklarata nga një figurë publike, zyrtar i zgjedhur dhe politikan karriere që duhet të përballet me sfida të rëndësishme njerëzore dhe morale pa arritur ende tek pozicioni i administrimit të financave të qeverisjes. Për këtë arsye Veliaj ka nevojë për një kalendar faktik mbi detyrat dhe përgjegjësitë.
Dita e parë pas veprimit të SPAK-ut, mediat pranë dhe pro qeverisë dhanë asnjë lajm. Madje të nesërmen Veliaj i “pa shqetësuar” nga ndodhitë brenda organizatës, tubon mes mbështetësve dhe militantëve të Rilindjes Socialiste dhe jep deklaratën e sigurt përpara Asamblesë së PS Tiranë se si fitohen zgjedhjet e vitit 2025. Aty, ai nuk është i vetëm, por përkrahet nga funksionarë të lartë partiak, të qeverisë dhe Kuvendit, një mbulesë politike e nevojshme. Duhet veçuar në këtë rast se në këtë Asamble mori pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi i cili e lartësoi Tiranën e Erion Velisë dhe u shpreh tha se kjo është një nga strukturat që prodhoi më shumë volum pune gjatë fazës së dytë të rienergjizimit politik: “… fazën e dytë, në të gjithë Shqipërinë ne ia dolëm që të anëtarësonim në strukturat e Partisë Socialiste plot 29,255 anëtarë të rinj, duke shënuar një përmirësim strukturor të të gjithë strukturës partiake në çdo qelizë të Partisë Socialiste”, ose për t’i shkuar deri në fund qëllimit duhet të cilësohet se PS synon me shpejtësi anëtarësimin e 50,ooo shqiptarëve nga të gjitha rrethet e vendit deri në çeljen e fushatës.
Nga ky këndvështrim publiku dhe opozita përballë kësaj gjendjeje duhet të marrin urgjentisht masat e kundërpërgjigjes ndërgjegjësuese pasi ky numër prej 50 mijë anëtarësh të rinj ka një të panjohur të madhe ende të pa zgjidhur. Rilindja Socialiste ka drejtuar një thirrje rekrutuese që ne ende nuk e gjejmë dot arsyen, por qëllimi i fshehtësisë nuk është më një rastësi, por strategji e lexuar. E parë me syrin e zhvillimeve që priten, ky numër 50 mijë anëtarë të rinj, mund të konsiderohet edhe si një bonus i artë zgjedhor. Është një numër magjik që siguron një fitore të pastër nga ana e pozitës duke ua mbyllur gojën kundërshtarëve brenda vendit dhe opinionit ndërkombëtar me faktin se zgjedhjet fitohen ndershëm me rezultat bindës dhe pa makinacione. Rilindja Socialiste po blen kështu kohë deri në mbajtjen e Kongresit Socialist të shpallur në muajin Qershor ku pas spastrimeve të nevojshme që do të ndodhin dhe sipas të gjitha përllogaritjeve, elita e korrupsionit do të forcojë pozitat brenda kësaj force politike duke kërkuar mandatin e katërt dhe duke propaganduar edhe njëherë një zotim politik që kjo elitë udhëheq bazën rilindase dhe Shqipërinë. Në këtë kuptim nuk ka pse heshtja me Census-in dhe shtyrja e rezultatit të dhënave të jetë lënë si pa u programuar për muajin Qershor. Ushqimi me statistika dhe arritjet e Kongreseve janë rienergjizimi i gjithë ideologjisë puniste që Rilindja është përshtatur në për ta mbytur një sistem të ekonomisë së tregut të lirë dhe të demokracisë . Këto forma dhe konceptime moniste ka kohë që po e gërryejnë shoqërinë shqiptare dhe duke goditur njëkohësisht në opinion opozitën me këto mjete, PS po përpiqet të ndërtojë momentin kulmor dhe avantazhin për votat do të numërohen në zgjedhjet e ardhshme. Pra atë që fitorja me anë të zgjedhjeve të lira do të legjitimojnë një mandat të katërt të Rilindjes edhe në sy të ndërkombëtarëve, por nga qeverisja e dalë populli do të jetë humbësi i madh përballë një regjimi të korruptuar të drejtuar prej partisë-shtet që ka për të instaluar një regjim tërësisht autoritar.
Dita e dytë, e tretë dhe e katërt dhe të tjera më pas veprimit të SPAK-ut, janë jo thjeshtë zhurma e marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë, por ato tregojnë edhe për një veprim të pjesshëm të drejtësisë megjithëse kryebashkiaku është shprehur disa herë me zell “se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nuk ka ndërmend të largohet jashtë vendit”. Pikërisht për këtë qëndrim ai mori menjëherë “garancinë” e kryeministrit dhe njëkohësisht të kryetarit të partisë Edvin Rama se Erion Veliaj ndodhet në rrugë të drejtë dhe gjendet në pozita të pafajshme.
Por për dëmin financiar disa vjeçar që bashkia ka kush mban përgjegjësi?
Dita e dhjetë pas veprimit të SPAK-ut, marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë është vetëndjerja se “çështjet janë sheshuar” dhe kreu i bashkisë pasi mbjell fidanë gjendet edhe pranë shtresave në nevojë me paturpësinë më të madhe në një kohë kur i ka mbyllur dyert Këshillit Bashkiak dhe nuk ndjen detyrimin më të vogël për t’u ballafaquar dhe të dialogojë me forcat e tjera politike pikërisht nga ku kjo administratë jep llogari dhe tregon transparencë për qytetarët. Kryeqyteti 1 milionësh po shkatërrohet nga shtrenjtësia dhe taksat duke mos ju ofruar shërbimet më minimale. Pluhuri, plehrat, uji dritat dhe rrugët sa herë vërshojnë shirat nuk janë ato që do ta bënin Tiranën të lakmueshme për turizmin ndërkombëtar pasi nuk janë banorët dhe popullsia vendase ajo që fiton. Fiton propaganda e Rilindjes që gllabëron ç’të mundet duke e kthyer në financim të pushtetit, pasurimit personal dhe propagandës. Pikërisht në këtë luks propagande dhe shpenzimesh ku kryeqyteti nuk ka lënë emërtim dhe etiketë të re pa marrë, çifti bashkiak Rama-Veliaj rrëmbejnë përmes propagandës dhe në interes të fasadës së ndryshimit dhe turizmit punën e disa vjeçare të fotografisë nga ajri. “Tirana from Air” është një produkt dokumentar dhe artistik i ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti, por mbi të pushteti i Ramës dhe Velisë shohin hapësirën për reklamë “të punës” për Rilindjen Socialiste duke shrytëzuar gjithë Shqipërinë. Pakënaqësia qytetare e mbështetur në të drejtën e protestës janë mjeti që i kujton pushtetit standardet demokratike të drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit. Minimalisht në këto kushte për zemërimin qytetar rruga më e pranueshme është dorëheqja dinjitoze dhe me letra të hapura para drejtësisë. Kjo e fundit, pra dorëheqja e cila njihet pak në politikën shqiptare ka mundësi të mos zgjasë për arsyen e vetme sepse ky aplikim në pushtetin vendor të një qyteti që strehon më shumë se 1/3 e popullsisë do të ishte një goditje vendimtare për qeverinë Rama. Çdo përllogaritje lëvizjesh dhe forcash brenda Partisë Socialiste për ta mbajtur pushtetin jashtë nivelit të korrupsionit është e pamundshme. Kjo situatë do të zvarritet deri në zgjedhjet më të afërta qofshin këto edhe të parakohëshme.
Dita e njëmbëdhjetë pas veprimit të SPAK-ut, marrjes nën arrest dhe me detyrim për paraqitje të 9 lojtarëve të skuadrës së Velisë ndeshet me protestën qytetare. Ajo është rritur dhe vazhdon presionin e qëndresës së Këshilltarëve Bashkiak të cilët prej gati dy javësh nuk dëgjohen në kuvendin e bashkisë. Protesta qytetare duhet të vazhdojë dhe të mbështetet paqësisht pasi shtrembërimi i saj me mjete dhune favorizon pushtetin dhe propagandën e tij. Vetëm atëherë se kur qeveria do t’i tregojë shtetasve se sa qindra milionë lekë janë shpërdoruar nga buxheti i shtetit dhe nga taksat e qytetarëve nga krimi i organizuar ekonomik, shqiptarët do të kuptojë se thirrjet “duam paratë tona!” të Shqipërisë së varfër në kohën e firmave piramidale janë një pikë uji në raport me skemat e përfitimit që ka instaluar elita e Rilindjes Socialiste në këto 10-11 vite qeverisje plot korrupsion.
Kjo situatë e vështirë përmes fakteve po tregon se Bashkia Tiranë është kolona e thyer e qeverisë së kryeministrit Rama. Sistemit të Drejtësisë i duhet shumë punë për të bërë përmes ligjit për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokracinë në Shqipëri.
11 Prill, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)