Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Bühler, ka thënë se sulmi në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ishte terrorist dhe se në të janë të përfshira edhe institucionet e sigurisë së Serbisë.
Gjenerali gjerman një deklaratë të tillë e ka bërë në një intervistë për televizionin publik kroat, HRT.
“Ajo pjesë e Evropës, jo vetëm Kosova, u destabilizua pas fillimit të luftës ruso-ukrainase. Sulmi në Manastirin e fshatit Banjska ishte padyshim një sulm terrorist. Me sa di dhe mund të gjykoj, nuk është e mundur që ata ta kenë kryer sulmin vetëm. Disa institucione të forcave të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira. Të paktën ata e dinin për sulmin dhe e mbështetën atë. Ndryshe, nuk mund të ushtrohen në terrenin zyrtar të forcave serbe. Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta”, tha ai.
Sa i përket kërcënimit të ri, ai tha se nuk ka informacione të tilla, por që me siguri i kanë shërbimet e inteligjencës.
“Kosova është në pozitë shumë të mirë. Në Kosovë ka forca ushtarake me mandat të Këshillit të Sigurimit. Ata shqetësohen për sigurinë e Kosovës. Paqeruajtësit janë tashmë atje. Janë 6000 ushtarë nga vendet tona: nga Kroacia, Gjermania, SHBA etj. Nëse e dimë këtë, nuk ka arsye të vazhdojmë me atë retorikë luftarake, nga të dyja palët”, tha ish-komandanti i KFOR-it.
Ai shtoi se nuk është e pranueshme që të përkrahet një grup terrorist dhe as që është e pranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovën dhe të kërcënojë Kosovën.
“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Por gjithashtu nuk është e nevojshme të flitet vazhdimisht për luftë. Është një pengesë në zhvillimin e të gjithë rajonit. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës”, tha ai.sn