Poezinë e Lindita Ahmetit e kam lexuar me vëmendje, kërshëri e kënaqësi të veçantë, që nga libri i parë, “Mjedra dhe bluz”, botim i Flakës, Shkup, 1993. Pas botimit të librit të pestë poetik “Nga mështeknaja e babait”, Portalb, Shkup 2015, sfondi ku ngjizet dhe përshfaqet natyra krijuese e saj, mbetet i njëjti, por tani në mozaik-përbërjen përfshin univers, kohor e hapësinor sidomos, më të gjerë, me depërtim më të thellë, tutje në horizont, si një penetrim përtej, në përmasa të pakapshme; nuk të shqitet ndjesia e përmasave të veçanta që sjell poezia për ekzistencën, për jetën, për hadin, për dashurinë, për at’ e atësi, për etni, ngarkuar mitologji e histori, tjera raporte yllësi-botë, tjetër komunikim mes perëndive dhe tokësorëve, fate e fatalitetet; tjetër kontekst simbolik i kopshtit, i pyllit, mështeknajës së babait emblematik, tjetër perspektivë përgjërimi për të nesërmen, – pezull, jo të sigurt të tij, të atmesë…, në këtë hark kohor – fundshekulli njëzet dhe fillim shekulli në rrjedhë; me mallëngjim brengosës, shqetësues, përthith vizionin e babait për të sotmen, për të nesërmen e kërcënuar pas shpinës, larg patetikës dhe shtirjes; ndryshe vigjilojnë me dhjeta engjëj perëndish mitologjike mbi kokën e hapësirës ku rritet e çel lulja iris illyrikum, i ndryshëm familjarizimi me to, me natyrshmëri të përsosur komunikimi, jep e merr, i përcjell e ndan me to shqetësimet, makthin përballë orakujve fatkob dhe, mbi të gjithë, është kurdo e kudo një vetmi planetare e zërit poetik të Linditës, vetmi e pangushëllueshme; tërë këtij universi poetik ajo i bie pashmëpashë, i bën bashkë në pleksje e çpleksje me lehtësi dhe natyrshmëri estetike të përkryer; ajo përgjon penetrimthi, përmes refleksit ndriçues, të brendshëm, përtej tavaneve, iluminohet oreçast duke mëtuar të marrë përdore fanar-perënditë zeusiane sferave ku tokësorët e kanë të ndaluar hyrjen…; zë e zemër, imagjinatë e refleks që vërvitet përtej thellësive dhe mistereve tokësore, përftojnë e prijnë drejt përmasave kohore dhe hapësinore, tjera tërmetesh të brendshme, tjera makthesh për pasigurinë e qenies së babait, të kopshtit atëror, të lules iris illyrica, të etni-familjes, të universit njeri, duke shijuar edhe hapësira homerike dhe danteske nëpër të cilat përftojnë shtresa qiellore të hapura pafund… Mbase, vetëm kur bëhen një fuqia krijuese dhe vetmia kësi përmasash, si arti i këtij zëri, artikulimi arrin maja poetike që vihen edhe në shërbim e vigjilim të mështeknajës së rrezikuar të atësisë, në mburojë engjëllore të babait, simbolik, qendror, tërë universit lirik dhe ilirik, universal…
Mos vallë sëmundja e bashkëlindur që ia kufizon lëvizjen fizike tek poetja në këtë rast shndërrohet në fuqi shtesë talenti, mos vallë ajo koprraci natyre kompensohet në dhunti krijuese? Siç dihet, shkenca pranon se një shqisë e penguar për aq fuqizon një tjetër, përkatësisht ajo e lëvizjes fizike dyfishon pushtimin e hapësirave përmes imagjinatës, dyfishon përmasat e hapësirave të ndriçuara, sidomos në çaste përftimi iluminizimi të brendshëm. Poetët me këtë shkallë dhuntimi, krijues dhe metafizikë, tërhiqen nga prirjet drejt vizionit kërkimor, pa synuar dhe pa u kënaqur nga një objektiv, cak i pushtuar, por pas tij synohet ai i radhës, proces që rri i hapur në mënyrë konstante. Lexuesi këtë lloj poezie e përjeton ndryshe nga ajo që artikulon dhe përcjell imazhe tokësore në sfond, konfiguracion, topose reale dhe që, përmes kësaj poetike përkapin lëvizjet e brendshme të botës së njeriut; përkundrazi, pamjet që sfondojnë fluturimet e imagjinatës komunikojnë, përpleksen dhe plotësohen a përjashtohen duke bërë bashkë tokeqiell, duke e nxitur lexuesin të vërë vesh e të përgjojë tërmetet e brendshme të poetes.
Sytë e brendshëm të poetes, në përftime tehesh të mprehta, qëndrojnë fanarë mes mirësisë dhe ligësisë, mburojë e së parës nga e dyta. Lidhur përjetë pas karrocës, fron emblematik i krijimtarisë së saj, tani e njëzet vite, Lindita Ahmeti, e strukur në një kënd të hapësirës-odë mysafirësh të babait, në shtëpinë bujare të tij, përkap e përthith tërë atmosferën mes të pranishmëve, zbërthen, zhvesh dhe vesh çdo fjalë e frazë, të secilit e për secilin, peshon në rëntgen drite nuancat më të holla të lëvizjeve, shkëndijime e trazime të brendshme, hije-dritat e shpërfaqura në timbër dhe shikim, rrezatim mrroljet dhe hapje dhe, në fund përshfaq në dritë të diellit miqtë dhe “miqtë” e babait… I alarmohet tërë qenia, sidomos kur e ka fare të qartë se njëri nga ata që në kthesën e parë të sokakut do t’ia kurdisë kurthin… Është shqetësim i parë i zërit, prandaj, mbrojtja e babait, e mështeknajës atësore është vigjilimi konstant i alarmuar, artikuluar art poetik; është përgjërim-lutje perëndive për t’i ardhur në mbrojtje kopshtit atëror, për t’iu bërë mburojë lules iris illyrica, lules të cilën, që nga fillimet e ka shtyllë frymëzimi, krahas ëndrrës intime, asnjëherë të shuar, që përfton qiejve sa karrocash pegaziane sa flatra apollonësh dhe paridësh që poezisë lirike shqipe i sjellin frymë fare tjetër.
Vigjilimi trazues i zërit lirik është konstant valë të pashkëputura gjithë me synim të rehatojë babanë dhe mbi këtë sfond, në ecje e sipër të shkëputet fluturimthi ëndrrave afroditiane, sa në shoqëri me zana, sa në shoqëri me birin e Kadmit, sa me çunin e gjitonit; në komunikim të përhershëm është sa me perëndi të yllësisë antike, që ja behin në çdo thirrje të saj, sa nga mbi deti Jon dhe Mediteran, sa nga ai pers dhe mesopotamik apo egjiptian, i atropomorfizon duke formuar bashkësi personazhesh me lehtësi dhe natyrshmëri të besueshme sa nga më të çuditshmet në poezinë tonë; shumica e këtyre dhjetëra e dhjetëra personazheve qiellorë vijnë miqësorë e ogurbardhë për mështeknajën e babait, për dallim nga ata që vijnë bubullimthi e ogurzi. Të rralla janë shkëputjet përftuese të zërit, edhe pse, në poetikën artikuluese të poetes, janë fluturime prehëse e lumturore sa nuk do të përfundonin kurrë; siç është ai i karrocës pegaziane që noton mbi blunë e Liqenit të Ohrit, ngarkuar krushq drejt Shën Naumit, noton zog qielli e nuk do të mbërrijë kurrë…
Nuk i shpëton asgjë, asnjë lëvizje, rrotull e në ajër, asnjë dridhje e brendshme në hapësirë syrit të saj të brendshëm. Arti i saj poetik ngjizet dhe starton në fillim të decenies së fundit të shekullit njëzet dhe shtrihet brenda dy decenieve të shekullit vijues, sado duket, kjo poezi, ky zë lirik se është i shkëputur nga koha dhe hapësira, sado poetika e saj vjen univers mitologjik, perëndish e engjëjsh qiellorë, tabani ngjizës i frymëzimit është fuqishëm i pranueshëm. Fjala është për 30 vitet e fundit, hark kohor historikisht nga më të rëndësishmit në hapësirën shqiptare. Mështeknaja e babait, apo gështenja atërore, kulla e babait ku ka lindur ajo është rrëzë malit Sharr, bri Pollogut, mbi pullazin e të cilës, në kapërcyell të shekujve, shpërthenin gjyle topash në faqemalin prej nga rezistonin luftëtarët e lirisë… tërë atmosfera, përthithur nga shpirti dhe mendja e poetes fare të re, atmosferë ngjeshur me pasiguri për qenien… trazira që në hapësirën shqiptare janë ende të pambyllura… Sa debate, të shkruara a të shqiptuara ka thithur bota krijuese, super e ndjeshme e poezisë së saj, gjatë këtyre viteve.
Bota krijuese e Lindita Ahmetit përngjan në një çark prore të ngrehur që vigjilon përthithshëm vibrimet e dukshme dhe të fshehta, nga më të hollat, krijon ngarkesën e sampos poetike të saj…, lundruese mes syprinave sa te qeta, sa valëve të frikshme dhe thellësive të errëta përftuar iluminime të zërit, që përfut, përbluan prurje të pandërprera nga gjithësia, përfshirë tokeqiell të artikuluar art majash. Botë krijuese që me vendim perëndish i ndalohet ecja në këmbët fizike, pos kur babai e merr hopa me gjithë karrocë, ajo me dhuntinë e talentit, imagjinatës, i bie pashëmëpashë, oreçast, kësaj gjithësie, për t’i ngarkuar vargjet e veta reflekse universale; dhuntia vizionare e saj e ka të natyrshëm aluzionin dhe thellësinë figurative të pontimeve, të përgjithësimeve filozofike mbi jetën, ekzistencën, lumturinë, ëndërrimin, tragjiken…
Zatën poezia, ashtu siç e kam përmendur edhe më parë, në kuptimin e gjerë të saj, përkatësisht edhe në kontekst të poetikës së Aristotelit, larg nga fushëveprimet e tjera, prek dhe përfshin më thellësisht botën shpirtërore, shtrihet drejt shtresave të thella dhe të reja filozofike, dhe ajo që më në fund është bindje e përhershme në fushën e krijimtarisë artistike përgjithësisht, që nga antika, është: të vërtetat që sjell arti poetik, janë më të vërteta, më të besueshme nga të gjitha narrativat që sjell historia, e cila, duke qenë përherë e hapur për rishikim, për riplotësim, për rivlerësim, të tillë e ka dhe besueshmërinë e saj. E vërteta e poezisë, që nuk vjen jo vetëm dëshmi reale, dokument, është e vërtetë e nxjerrë nga thelbi i qenies njeri, nga natyra e sjelljes së tij në të gjitha situatat, gjendjet, kontekstet përballë gjithë përvojës së tij që nga ekzistenca, përballë gjithë sfidave, ëndrrave, shpresës, dashurisë… Prandaj arti poetik-letrar, duke e përballuar arbitrin kohë shndërrohet vlerë universale për njeriun, e njeriut: lexuesi i nënshtrohet natyrshëm, duke e pranuar të vërtetën e saj si të vërtetë të tij, edhe atëherë kur ato vijnë përmes fluturimeve më fantastike, më jashtëtokësore… Mbetet e vërtetë absolute thënia e Aristotelit se e vërteta e poezisë është më e vërtetë se ajo e historisë, e që, sot e tërë ditën, mbetet bosht mbështetës i të gjitha teorive narratologjike, ndër shekuj, sa herë ndërrohen, me të drejtë, perspektivat perceptuese. Relacioni realitet-mimesis mbetet bosht referencial, ai thelb i poetikës antike.
Poezia arrin të kalojë përtej hapësirave realisht të pushtuara, të njohura të mendjes, të dijes e të ndërdijes, ajo, poezia, që nga fillimet, arrin të vërvitet lartësive përtejqiellore, të shfaqë udhë të pashkelura, të parrahura, por të ëndërruara të njeriut, njësoj siç ndodh edhe me poezinë e Lindita Ahmetit. Poezia e saj qartë, natyrshëm dhe me kreacion, i bën të besueshëm edhe imazhet ngarkuar me tisin magjik, mistik bashkë. Zëri lirik në këtë botë krijuese, e ndjen dhe parandjen të sotmen dhe të nesërmen e babait, gëzimin, shpresën, vuajtjen; veshsyri i brendshëm i saj dëgjon monologun e brendshëm të tij, dialogun me botën përreth dhe në gjithësi gjatë ecjes, gjatë përhumbjeve të tij përsiatëse, gjatë ecejakeve si somnambul korridoreve të errëta e pafund, gjatë prehjes shtrirë në kënd divani…
Libri më i fundit i Linditës, siç e thashë, mban titullin “Nga mështeknaja e babait”. Është pylli atëror, i mështeknës, drurit që rritet në klimë të ftohtë, trupdrejtë, lëvere të bardhë, të lëmuar, gjethe të dhëmbëzuar, dhe që, nga pamja që kanë, në popull personifikohen si të kreshpëruara, si flatrat e shpendit kur u bën mburojë zogjve nga grabitqarët; acarimi i tyre stinor, i gjetheve, bashkë me tiparet e tjera të drurit, artikulojnë një figurë metaforike nga më ekspresivet në poezi; e përplotëson gjeturia e brendshme e drurit mështekne, që ka të palosura, palimpsest rrathët e lashtësisë atërore; mjeshtri nxjerr dërrasat nga ai trup, orenditë e shtëpisë së babait, dekor hijeshie, të mështeknajës së babait, metaforën e zgjeron në hapësirë dhe kohë rrezatimin kuptimor dhe estetik.diç vështronte në gjysmëterr përmbi shkretëtirë. unë e hetoja praninë e ftohtë të një frymë, por s’mund të shihja gjë përveç dridhmave të natës që rënkonte. e hapa dritaren e kullës që ta pikas syrin përgjimtar, sërish nuk pashë gjë përballë meje. pastaj ia dha era dhe e hoq pluhurin e harresës që mbante peng të kaluarën, hijen e dyshimit dhe gjysmëterrin që rëndonin mbi të tashmen, duke zbuluar një dru me kurorë të madhe i cili, ndonëse jepte përshtypjen e diçkaje joreale, ishte krejtësisht i vërtetë dhe këtë e kuptova nga lulet
iris illyrica
që kishin çelur dy-tri hapa përtej rrethit që e kap kurora, nga poleni që ma solli era dhe nga oaza që shkëlqeu.
(Gështenja)
Krahas mështeknës, poetja sjell edhe simotrat apo sivëllezërit, gështenjën dhe rrapin, që, në poezi dhe bimësi janë familje e gjerë, në strehën e përbashkët të mështeknajës, simbol etnie. Vendosur brenda këtij konteksti hapësinor bie fjala, Gështenja, poezia me të njëjtin titull, vjen rrëfim poetik, përfshirë brenda 15 shkallëve lëvizëse. Me lëvizje të kursyera ajo sjell pamje mes ëndërr-zhgjëndrrës, vendosur surealisht tokeqiell, brenda një nate të trazuar të zërit lirik; në gjysmë terr, diku mbi shkretëtirë, intuita krijuese ndjen një si prani, pranë e gjithandej që përgjon, – ndihet fryma e gjësë së pranishme, si drithërime terri, ajri, pezull, e padukshme; e hap dritaren, kot, se mos mund të dallojë gjë zëri lirik dhe, s’mungon shfaqja e re: nga thellësitë e harresës, një dru kurorëmadh, aty pranë edhe lulja, tanimë emblematike iris illyrica; shenja që, duke qenë në krahët e ëndrrës, zëri e bind veten se është brenda realitetit. Druri dhe gjithë pamja madhështore i zgjon kujtim-gjelbërimin nga femëria…; është gështenja, simbol i lashtësisë që e gjallëron, i jep shpirt visit (atëror) në evokim e në prani të këngës së nimfave… nga krejt pamja mahnitëse, zëri lirik, për një çast mbetet pa fjalë – krejt nën hijen madhështore të drurit, mbi dhe në qendër të një hapësire thuaja të thatë, shtrirë e mbuluar rërë… Ja edhe prania e Drijadës, gjysmëperëndia antike që i jep gjallëri gjithësisë gjelbërim, tani e plagosur e mbështetur në hijen e drurit, në përpjekje për të rrezatuar krenari. Në këtë mozaik, pamjet lëvizin me shpejtësi, shkrepje të befasishme, ndër të cilat edhe grimca femërie, ja beh erosi – në shaminë mbështjellëse të fytyrës së zërit. – gjest erosi për t’ia larguar vetminë, djali i fqinjëve, i ëndrrave, me një tufë lule iris illyrica dhe një vërvitje nga ëndrra në ikje tek ajo e radhës, tani artikuluar përmes vargjeve, në hyrje me një pyetje (bosht i poezisë); a thua i ka për mua?
Në një pjesë të krijimtarisë së saj, fare i veçantë tek ne, i vetmi ku autorja shërbehet edhe me shenjat e pikësimit dhe, ku frazat brenda pikave zëvendësojnë vargjet, të shtrira horizontalisht, kjo pjesë tek poezia Gështenja, që në hapje shfaq vetminë planetare të zërit; në mbërthim acari të brendshëm me rrathë shtrëngues pas ikjes shtegut të djalit duke lënë pas daravitje ëndrrash, baule ngarkuar kujtime, që do thahen bashkë me lulen iris…
Çdo gjë merr rrokullimën humnerisht, rrjedhë stuhi që rrëmben përpara çdo shpresë duke lënë vetminë planetare, nën një yllësi pafund, pa frymë njeriu; treti çuni i bukur i fqinjëve, çdo gjë përfshihet në shtjellë universi – edhe filizat fluturues të gështenjës, boçat, kokrrat, çuni e sekush kokë më vete, pa ku, pa pse, dorëzuar stuhisë së verbër brenda një hapësire pafund… në këtë rrëmujë trishtuese, çudia; të jetë i pranishëm Kupidoni (variant i mitologjisë egjiptiane i erosit…), nën hijen e gështenjës, nën madhështinë e tij a në qëndismën e shamisë së bardhë; a mund ta përballojë ai, Kupidoni, visin në rërë e thatësi…
* * *
dita ka dalë e zezë
rënkon ujëvara e përroit kristal
furtuna e pushton pyllin me krahjeta
shtohen drithërimat e linit
dhe fundoset zëri i tij i papërsëritshëm
(Tregimi i zi)
Ja pse ka shumë zi në hapësirën e përditshmërisë të këtij zëri poetik, përditshmëri në të cilën, zëri përjetë mbërthyer në karrocën e gurtë, është në përballje të pandërprerë me personazhe perëndish, që i sfidon dhe e sfidojnë pa ndërprerë, ditenatë e nateditë, nga të gjitha statuset dhe perspektivat…; aterojnë në fronin suprem të poetes herë të ngarkuara bubullima e gjëmime kërcënuese, për atmen e saj sidomos, herë për të kurdisur gjëma, e shpesh, e më shumë, për të qëndruar engjëj mbrojtës të atmes dhe për të ndërhyrë drejtpërdrejt… në të mirë të mështeknajës së babait, për fatin e saj për të cilën e ka dhuntuar qielli atë, poeten.
Krejt ky mozaik poetik është dëshmi se kemi të bëjmë me një shfaqje, prurje fare ndryshe në poezinë tonë; fatprerët e Olimpit, një zot perëndi a gjysmë perëndi, i kanë caktuar, prerë asaj të bëjë përpjekje për t’i zbutur mëritë, zemërimet e tyre, për blatim të merituar dhe për të vënë në mburojë të kauzës poetike; herëpashere edhe për të tërhequr vëmendjen e Adonisëve, Erosëve, të paktën sa për të hedhur ndonjëherë shikimin këndej…; betejë titanike, sa për t’ia bërë të qartë kurdisjen e pas-shpinave babait, sa për ta vetëdijesuar shenjash e sinjalesh ngarkuar shqetësim e frikë, sa për t’u bërë syeveshë vigjilimi, për tu shndërruar engjëll vigjilues, krah e në shoqërim të perëndive ogur-bardha.