Ky mëngjes pranvere erdhi me një kumt të zi. Poetja Lindita Ahmeti nuk do të jetë më në mesin tonë fizikisht.
Vdekja e papritur na e mori, për të na lënë gjithë peshën e dhimbjes.
E humbëm edhe një poete, studiuse, përkthyese të telentuar, rrugëtimi krijues i së cilës shoqërohej me cilësinë e shkrimit dhe të ndikimit në sferën tonë publike-kulturore.
Me Lindita Ahmetin ishim kolegë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe ishim në konsultim e sipër për të zhvilluar disa veprimtari shkencore-hulumtuese në kuadër të Departamentit të Letërsisë si dhe disa projekte e botime me karakter të veçant. Ajo ishte shumë korrekte dhe bashkëpunuese dhe tani kur jemi të detyruar të shkruajmë për shuarjen e saj, e kemi vështirë të pajtohemi me boshllëkun që po lë ajo.
E kemi vështirë ta pranojmë se me Linditin nuk do të mund të bisedojmë më për letërsinë, folklorin, antropologjinë, gjuhësinë. Me të, tash e tutje, do të komunojmë vetëm përmes veprave cilësore që la ajo, si një trashëgimi letrare që pritet ende të lexohet dhe studiohet.
Si një intelektuale me erudicion të pasur, si një poliglote, Lindita Ahmeti na lë të tronditur me gjithë pikëllimin që sjell vdekja e papritur.
Emrin dhe veprën e saj do ta ruajmë me xhelozi nga dhëmbi i harresës, kurse Xhabir Ahmetit, mikut tonë të shtrenjtë dhe babait të saj, i premtojmë se humbjen e së bijes do të mundohemi ta kompenzojmë me kujtimin dhe kujdesin maksimal ndaj vlerave që la pas ajo. Lindita Ahmeti ishte dhe mbetet emblemë krenarie e një kohe…. / EA
Lindita Ahmeti ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga babai i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti, në Facebook, në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.“Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”, shkroi Ahmeti në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkup, ajo vazhdoi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Shkupit, ku u specializua në filologjinë klasike. Me një pasion të flaktë për letërsinë, ajo ligjëroi letërsinë antike në Universitetin e Tetovës dhe punoi në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.Gjatë karrierës së saj Lindita Ahmeti shkroi poezi në gjuhën shqipe dhe maqedonase, duke lënë gjurmë që nga fillimi i viteve ’90. Ajo publikoi disa vëllime me poezi, duke shquar talentin dhe ndjeshmërinë e saj në shprehjen poetike.
Përndryshe, Lindita është vajza e shkrimtarit dhe profesorit Xhabir Ahmeti dhe motra e aktorit tashmë të ndjerë Luran Ahmeti.