Që kur mori mandantin e tretë, në prill të vitit 2021, qeveria ka tenderuar përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar rreth 58.5 miliardë lekë ose afro 570 milionë euro për ndërtim rrugësh në rang vendi. Nga këto mbi 55 miliardë lekë janë investuar në akse rrugore që shtrihen nga Tirana e poshtë. Ndërsa vetëm 3.5 miliardë lekë kanë shkuar në veri.
Analiza e të dhënave mbi investimet publike në infrastrukturën rrugor tregon një Shqipëri, të cilën buxheti e ka ndarë thuajse me thikë. Fondet shkojnë në Jug, ndërsa Veriu duket i lënë pas dore në mëshirën e koncesioneve private apo projekteve hekurudhore që duhet ende të tenderohen.
Investimet
Nga buxheti i parë i mandatit të tretë, që ishte ai i vitit 2022, e deri më sot, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratat ose ka shpallur 22 tendera të mëdhenj për ndërtim rrugësh. Nga këto, vetëm 3 akse shtrihen në rajonin e Veriut të Shqipërisë. Madje edhe ato janë në funksion të koncesionit për rrugën e Arbrit.
Bëhet fjalë për rrugën Qafa e Buallit-Martanesh, aksin Ura e Cerenecit-Peshkopi si dhe rivitalizimin e skarpatave në Shkallën e Tujanit. Fati i dibranëve, që janë nën juridiksionin politik të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Nëse Edi Rama nuk do ta kishte deleguar Ballukun në Dibër, ndoshta i gjithë veriu mund ta mbyllte mandatin e tretë të socialistëve me zero investime publike në rrugë.
Përtej këtyre tre investimeveve, të cilat kanë një kosto totale 3.4 miliardë lekë ose rreth 33 milionë euro, të gjitha projektet e tjera zbresin nga Tirana e poshtë deri në kufirin Jugor të Vendit.
Që nga tenderat gjigandë për Tunelin e Llogarasë apo zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, deri ato të Superstradës Tiranë-Durrës, aksi Korçë-Ersekë dhe Berat-Ballaban, pjesa e dërrmuese e buxhetit të shtetit ka shkuar për investime në gjysmën e poshtme të Shqipërisë.
Edhe pse aktualisht rajoni me infrastrukturën më të dobët rrugore dhe ai me trafikun më të rënduar në Shqipëri është Veriu, paratë publike nuk shkojnë atje. Pothuajse i gjithë veriu i vendit është në kaps. Por qeveria ka vendosur që akset rrugore sipër Tiranës të ndërtohen me koncesion kundrejt pagesës.
I pari, ai i segmentit Thumanë-Kashar pritet të përfundojë pas dy muajsh. Por veriu do të vazhdojë të mbetet i mbërthyer nga trafiku i rënduar, teksa vazhdimi i Korridorit Blu qëndron në kalendat greke. Segmenti tjetër ai nga Miloti në Balldrenë mbetet ende në sirtarët e qeverisë, edhe pse ministrja e Infrastrukturës pati premtuar tenderimin e tij brenda vitit që lamë pas./Kapitali.al/