Para disa kohësh më ras tisi të njihja dhe takoja në Milano, në një event biznesi të përvitshëm të rajonit të Mesdheut, një koleg nga Tunizia. Ishte edhe vetë biznesmen i fuqishëm në sektorin e teknologjisë. Kishim një mik të përbashkët nga Italia, organizator i eventit. Si pasojë, bisedat thelloheshin edhe për çështje, që tejkalonin agjendat e forumit.
Pyetja e përhershme e dyanshme ishte për gjendjen ekonomike dhe mjedisin e biznesit në secilin vend. Në takimet që bëheshin të përsëritura çdo vit, pyetjes sime kolegu nga Tunizia i përgjigjej çdo herë, se “është keq” dhe “më keq, se vitin e kaluar”.
Më bënte përshtypje përgjigjja e tij e përsëritur dhe e njëjtë pas çdo takimi në hapësirë 1-vjeçare. Pas disa herësh, e pyeta se cili ishte metri krahasues dhe treguesit, që ai mbështetej dhe dilte në përfundimin, se përse gjendja ekonomike në vendin e tij po bëhej më e vështirë dhe mjedisi i biznesit më i keq vit pas viti. Përgjigjja ishte mbresëlënëse. Po – më tha. – E kemi një vlerësim krahasues të prekshëm. Po ta shpjegoj.
Para disa vitesh, çfarë ishin tendera publikë me mbi 20 milionë dollarë i “fitonte”, me gara të paracaktuara, të gjitha pa përjashtim, familja e Presidentit Ben Ali me rrjetin e kompanive të njerëzve të tij të afërt. Projektet që financohen nga buxheti përzgjidhen pa studime vlefshmërie ekonomike, janë thjesht klienteliste. Tenderat janë me vlera shumë të fryra, vidhet hapur në zbatim, zgjaten pa mbarim në kohë, fryhen buxhetet rrugës, punimet janë të dobëta. Efektiviteti ekonomik dhe interesi publik nëpërkëmbet haptas. Asnjë institucion ekzekutivi dhe drejtësie nuk mund të kërkojë përgjegjësi për sa më sipër. Mediat janë të kapura pothuaj krejtësisht dhe paguhen nga familja presidenciale nëpërmjet oligarkëve të saj ose zotërohen drejtpërdrejtë nga ata. Konkurrenca në ekonomi dobësohet vazhdimisht dhe oligarkët e familjes presidenciale filluan të kthehen në monopolistë të mirëfilltë dhe të pangopshëm. Ka edhe rivaliteti i brendshëm në mes tyre.
Por, ndërkohë për tenderat me vlerë më të ulët dmth., nën 20 milionë dollarë, bëheshin gara pak a shumë të rregullta dhe të hapura, ku mund të fitonin edhe operatorë të tjerë të tregut. Ishte si një rregull i pashkruar, por i pranuar nga palët. Dihej nga të gjithë dhe merrej e mirëqenë edhe nga bizneset dhe qytetarët. Tenderat mbi 20 milionë USD Presidenti dhe grupi i tij, çfarë mbetej, me garë të hapur për të tjerët. Një rregull i tillë vazhdoi për diku 10-15 vite.
Tunizia, më tha, është Republikë Presidenciale. Presidenti Ben Ali është jetëgjatë me mbi 20 vite në pushtet. Ai ka pushtet ekzekutiv dmth., është edhe kryeministër. Pavarësisht, se popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm, fuqia ekonomike personale e grupit dhe familjes së tij, pushtetit, medias dhe grupeve të nëntokës bëjnë që të fitojë në zgjedhje. Opozita formale është e blerë. Dmth., demokracia është vetëm në letër. Nuk ka zgjedhje. Janë vetëm si emër dhe për t’u shfaqur si liberal dhe i bindur me BE dhe SHBA.
Ndërkohë, vitet e fundit më tha kolegu nga Tunizia, po vihet re një dukuri tjetër edhe më e rëndë. Po ulet shumë kufiri i vlerës së tenderave, që familja presidenciale po i merr. Sot që po flasim tha, të gjithë tenderat me vlerë mbi 2 milionë dollarë i marrin pikërisht grupet oligarke dhe monopoliste të lidhura me familjen presidenciale. Uria e pangopësisë i ka futur edhe në rivalitet me njeri-tjetrin. Presidenti është arbitër dhe gjykatës suprem, që i përmban jo pa vështirësi nga përplasjet. Tashmë, tenderat i marrin edhe pa shpallur gara fare. Thjesht i marrin me ligje, që i bëjnë vetë. Dmth., me “kapje të shtetit”. Nuk e marrin më mundimin edhe të aktrojnë. Gjendja ekonomike për qytetarët e thjeshtë është rënduar shumë. Jemi bërë shqetësim edhe për BE me emigracion të paligjshëm të shtuar dhe trafik droge.
Ja, më tha miku tunizian, këto janë arsyet, se përse vlerësoj se gjendja ekonomike është duke u keqësuar nga viti në viti. Jam vërtet shumë i shqetësuar e mbylli shpjegimin.
Ishte viti 2010. Pas më pak se 3 muaj nga kjo bisedë, në Tunizi filluan protestat antiqeveritare. Protesta, që u përhapën në pothuaj në të gjitha shtetet arabe. Në histori hyri me emrin Pranvera Arabe.
Presidenti Ben Ali u arratis jashtë vendit dhe vdiq në mërgim në Arabinë Saudite. Ai u dënua me 35 vjet burg në mungesë për “pastrim parash” dhe “trafik droge”. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij u mbeti oligarkëve, që ai pasuroi.
Ndërkohë që miku im tunizian në atë kohë më tregonte që tenderat me vlerë në 2 milionë dollarë ende mund të shpresohej se mund të fitoheshin me gara të hapura, unë mendohesha.
Mendohesha, sesa ishte kjo vlerë në Shqipërinë e kohës. Më dukej shumë, shumë e lartë. Te ne, mbase mund të ishte diku te disa qindra mijëra dollarë!
Mendohem edhe tani, sesa mund të jetë vlera e tenderave jo të paracaktuar. Mbase, në rastin më të mirë, mund të jetë disa mijëra dollarë! S’dua të pranoj, se me shumë mundësi mund të jetë edhe disa qindarka ose zero!
p.s Çdo ngjashmëri mes zhvillimeve faktike dhe historike Tunizi, Shqipëri dhe Pranverës Arabe është dhe mbase do të jetë vetëm rastësi!