A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?
S’e kam fjalën a dinë të vrasin
më mirë,
tani që janë më të pasur
dhe merren
me biznes dhe jashtë shtetit,
jashtë fatit.
Të zbardhur ushqejnë macet, qenin e zi.
(Kafshët e urta rrinë dhe me ta.)
I përkëdhelin
sikur qetësojnë një mëkat
të (pa)harruar.
Herë pas here çezmat e tyre rrjedhin
gjak
e kur dëgjohen trokitje,
seç kanë një frikë
të papërcaktuar…
çojnë gratë të hapin derën. (Gjithmonë ato kanë prirë.)
(Si flakë e shuar pishtarësh
në korridoret
e errët).
(…kanë filluar të besojnë në fantazma…).
A janë bërë më të mirë vrasësit tanë,
se të vrarët e tyre s’dinë të bëjnë asgjë,
as të edukojnë.
Bruksel, 18. III. ’94
————————————
Është shkruar në Bruksel, në zemrën e Europës, 30 vjet më parë, në mars, kur besohet se dimri ka ikur, me shpresat që mbase vazhdojnë për shumëkënd të jenë të mëdha…
Poezinë e botova së pari në gazetë, në “Tiranën me tiranë”, kështu e kujtoj, pastaj e futa në librin tim “Mbjellja e vetëtimave”, në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, për ne: e Jugut, patën jehonë ndër lexues jo vetëm libri, por dhe veçmas kjo poezi, “A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?”.
Siç duket, në një ish/vend socialist, edhe pse në ish/Jugosllavinë liberale, ajo ndjesi e kësaj poezie përçohej ndër lexues dhe në atë copë vend. Pastaj poezia u botua dhe në Rumani, socialist kishte qenë dhe sistemi i tyre, diktaturë, jo si jona dhe sot janë në Bashkimin Europian, poezinë e përktheu Dr. Luan Topçiu në librin “Flatër e mundur”, u kuptua qartë dhe e recituan aktorë të Teatrit Rumun. E ndjenë si të tyren, thanë.
Por poezia është botuar dhe në Itali, vend kapitalist, ndër më të bukurit në botë, me poezinë po aq të bukur, e përktheu Prof. Elio Miracco në librin, që ka dalë atje para ca vitesh, “Confessione senza altari”. Madje përmbledhjes donin t’i vinin titullin “A janë bërë më të mirë vrasësit tanë?”, por iu duk i rëndë…
Vetëm në Shqipërinë tonë nuk i vjen rëndë askujt, asnjë pendim a kërkim ndjese, përkundrazi persekutorët janë bërë më të egër e dinakë, mbështetësit e tyre dhe lehësit e tyre u vërsulen sërish të persekutuarve dhe nga që janë fytngjiruar nga lehja e pandërprerë, vijuese nga një epokë në tjetrën si nga gazeta në gazetë, thonë se kanë vuajtur dhe ata, shefi s’i kishte me sy të mirë në komitetet e Partisë, të kthyera në bashki si ata në demokratë; burgu politik infernal i tjetrit s’është asgjë, sipas tyre, madje faji nuk ka qenë dhe aq i atyre që futnin nëpër burgje, por i atyre që e pësonin, e viktimave, e kundërshtarëve dhe vazhdojnë të jenë “në anën e atyre që rrihnin dhe jo të atyre që rriheshin”, sipas një poezie të Jevtushenkos, që poeti Rudolf Marku e kishte përkthyer që student dhe ma kishte dhënë në mirëbesim, me miqësi poeti, kështu besoja, por ndokujt tjetër u dridheshin leqet e këmbëve, po t’ia tregoje atëhere, në kohën e lavdishme të trushpëlarjes, madje mund t’i shkruanin dhe enverit të tyre, t’i mburreshin për devotshmëri dhe t’i ankoheshin për shokët, kurse tani duan të bëjnë të pakënaqurin deri në disidencë, perëndimorin, se urrejtja kthehet dhe në dashuri dhe dashuria në urrejtje, apo jo?
Mbijetojnë falë urrejtjes së tyre si me doktrinën gjysmake të luftës së klasave, pra, hibride përbindshërore.
Nuk do të doja të merresha me ta, por janë ata që të perndjekin, kudo të shkosh, i gjen të mbërritur para teje si balta, si ndotës të përditshmërisë, të paqes si një pëllumb, që ata i kanë thyer krahët dhe i hedhin kokrra gruri të vjedhur. Kështu u duket se janë dhe lirikë.
Unë s’kam armë tjetër qëndrese, veç poezinë që ata ma denoncuan, për të cilën më dënuan me 10 vjet burg dhe tani acarohen nga fjala “burg”, se u kujton prapë që kanë qenë në anën e xhelatit dhe jo të viktimës dhe po ashtu kanë mbetur, duke kënduar lehshëm deri në ngjirjen metaforike. E përflasin si llapaqenër burgun e tjetrit… po ai burg mund të jetë i të afërmit tënd siç mund të ishte dhe i babait tënd, vëllait, mikut, shokut, fqinjit, që ti a një si ty e spiunoi, po ai në burg u fut dhe për ty, qëndroi për dinjitetin e të gjithëve, a doni fjalë të shtrenjta, për lirinë, është burg i njeriut, pra, gjithmonë i padrejtë dhe ka një thellësi që ty të merren mendë, i mësuar me moçalin…
Po, po, të përndjekurit e vërtetë e fatzinj janë ata, që i përndjek ligësia e vet, mungesa e dashurisë njerëzore, mostalenti… që u shperthen një ditë si qelbi, paskan qenë të helmuar dhe duan të helmojnë këdo. Kam aq turp nga poshtërsitë që kanë bërë ata… që vetë i tregojnë si bamirësi, aq shumë nuk kuptojnë…
Si një gjë antitoksike për vete, e risolla këtu poezinë e dikurshme, nga që gjërat po duan t’i sjellin si dikur, poezi e thjeshtë, që ka lidhje dëshpëruese me dukurinë, me ideologjinë vrastare që mbartet, por jo me mbartësit, me persona që dhe i njoh që janë dhe paranojakë, idiotë dinakë, cmirëzinj, që paaftësinë e tyre e shohin si padrejtêsi, të bërë nga të tjerët, servilë të stazhionuar ndaj çdo pushteti, aq sa prej tyre dhe etimologjia e fjalës “pushtet” më duket se është “etje për pusht”, por fali, o Zot, se s’dinë se ç’bëjnë, jo, jo e dinë mirë…
Si çdo poezi, edhe kjo s’është për ata, prandaj s’ka pse të acarohen, nëse e kanë me veten, është tjetër çështje, gjithsesi do ta quaja një lloj qortimi, që jam marrë si shumë me ta, u kam hapur rrugë dhe kanë shkuar vetë, të kreshpëruar drejt moçalit të tyre, më janë dhimbur dhe i kam mëshiruar, ndërsa ata vazhdimisht kanë zgjuar bishën brenda vetes. Që duket se është më e fuqishme se njeriu. Po a kanë qenë ndonjëherë njerëz? Maskat e tyre janë më pak të shëmtuara se ajo që mbulojnë. Po le të jenë të qetë, këtë poezi e kam më për lart se ata, për djallin vetë, që mos qoftë as i tyre!