Forcat politike pro-ruse dhe pro-serbe kanë shtuar retorikën në mbështetje të Moskës dhe Beogradit, gjë që sipas analistëve do të bëhet pengesë e Malit të Zi drejt integrimit të shpejtë në BE. Analistët vlerësojnë se këto përpjekje të politikës pro-serbe dhe pro-ruse po e rrezikojnë seriozisht marrëdhëniet ndëretnike dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Rusia prej kohësh në Mal të Zi po përdor lajmet e rreme për të riorientuar Podgoricën drejt ndikimit të saj. Së fundmi Moska ka fituar një aleat kyç në një pozicion të fuqishëm në qeveri, siç janë partitë pro-serbe dhe pro-ruse.
Analistët vlerësojnë se ndikimi rus dhe serb në Malin e Zi pritet të rritet edhe më shumë muajve në vazhdim.
Profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç tha se ndikimi rus në vend ka qenë i vazhdueshëm, por i kontrolluar.
“Ndikimi rus në Malin e Zi ka qenë konstant, por i kontrolluar. Viteve të fundi ky ndikim është i kanalizuar përmes forcave politike serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe ku është forcuar dhe dukshëm është bërë më i rrezikshëm”, tha zonja Osmanoviq.
Analisti dhe studiuesi Nail Draga po ashtu thekson rolin e forcave politike serbe në ringjalljen e nacionalizmit.
“Me dekompozimin e skenës politike në Malin e Zi, ku në pushtet janë forcat serbe dhe pro-ruse ndikimi i politikës ruse po vazhdon dhe çështja është se kjo politikë a do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në fazën kur Mali i Zi tenton të jetë pjesë e familje evropiane”, tha zoti Draga
Ndërsa retorika e qeverisë për politikën e jashtme të Malit të Zi dhe synimet drejt integrimit në BE shfaqen të palëkundura, në anën tjetër forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi kanë shtuar retorikën e mbështetjes së Beogradit dhe pengesën e mundshme të Malit të Zi drejt Bashkimin Evropian.
Zonja Osmanoviç merr si shembull rastin e votimit të përfaqësuesit malazez kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Deputetja e Malit të Zi në Këshillin Evropian ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian. Nëse i thërrasim kujtesës, këtu e 25 vite më parë, Mali i Zi i ka hapur dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë kosovarë dhe një veprim i tillë është tërësisht në kundërshtim me politikat pro-evropiane dhe me interesat evroatlantike”, tha zonja Osmanoviç.
Kjo lëvizje e Malit të Zi, sipas analistit Draga është një përpjekje që ky shtet i vogël në Adriatik të bëhet pjesë e botës serbe, gjë që do të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë në rajon.
“Politika ruse është e pranishme përmes partive pro-serbe që janë të dirigjuara nga Beogradi dhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila në fakt është filiale e Kishës së Beogradit. Duke marrë parasysh të kaluarën, këto forca, kanë pasur interesa strategjike që Mali i Zi të jetë pjesë integrale e Serbisë së Madhe”, thotë analisti Draga.
Në këtë kuadër zonja Osmanoviç kritikon forcat politike shqiptare, të cilat edhe përkundër shkeljes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes po i legjitimon këto politika duke heshtur ndaj këtyre dukurive.
“Interesante është të shohim reagimin e partive politike shqiptare në Malin e Zi. Nëse ato nuk janë në gjendje të ndikojnë në proceset vendimmarrëse në qeveri, atëherë prania e tyre vetëm sa i legjitimon këto politike regresive”, thotë profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç.