Zyrën e drejtoreshës së Financave e bëri WC për vete!
Projektet e zbatuara prej Isait lënë shumë për të dëshiruar
Erion Isai nuk u pëlqye nga kolonjarët as ditën e parë të mbërritjes së tij në qytetin e Erskës si kryetar bashkie i Kolonjës. Shumëkush e pa pa ndonjë pëlqim. Me të zbritur nga automjeti, Isai u përpoq të bënte humor, ndoshta për të krijuar një përshtypje më të mirë dhe më shumë afërsi me kolonjarët, por edhe kjo përpjekje i rezultoi e dështuar, sepse kolonjarët dëshironin ta prisnin si kryetar bashkie dhe jo si njeri që bën njerëzit për të qeshur. Tashmë kërkesa e kolonjarëve ishte që Bashkia e Kolonjës të tregonte më shumë vëmendje ndaj halleve të njerëzve dhe t’u jepej zgjidhje problemeve dhe halleve të tyre, por edhe kjo gjë nuk u bë e mundur. Kolonjarët kishin patur të drejtë, ishin ata që nisën të qeshnin me bëmat e aktorit Erion Isai, sepse bëmat e gjëmat e tij nuk paten dhe nuk kanë të sosur as sot, ato do t’i rrëfejmë më poshtë.
Kolonjarët: Më lehtë takon Edi Ramën sesa Erion Isanë!
Pa kaluar shumë kohë nga ardhja e tij si kryetar bashkie, gjithçka rezultoi hap edhe zhgënjim, – rrëfejnë shumë banorë të Kolonjës, pasi jeta e tyre u rëndua edhe më shumë, situata ekonomike u vështirësua së tepërmi, hallet dhe problemet e tyre nuk gjetën zgjidhje, përkundrazi u bënë edhe më të shumta. Tashmë prej 5 vjetësh jeta e kolonjarëve është bërë për t’u qarë hallin, askush prej tyre nuk shpreson në përmirësimin e jetës së vet, sepse Erion Isai i tillë kishte qenë që nga dita e parë e ardhjes së tij. Madje tashmë zotëria në fjalë nuk konsultohet më as me punonjësit e Bashkisë, dhe nuk pranon takime pune me ta. “Më lehtë takon Edi Ramën sesa Erion Isanë!” – shprehen kolonjarët. Gjithashtu, banorët e Kolonjës kujtojnë se Erion Isai i tillë paskësh qenë si karakter edhe pa mbërritur në Kolonjë, madje nuk kishte simpati as për qeverinë që e kishte nxjerrë nga gjiri i vet.
Erion Isai: “Kjo është qeveri skifterësh, po shqyejnë Shqipërinë”.
Me këtë rast po kujtojmë fjalën e tij më 1 nëntor 2018 në televizion, ku u shpreh konkretisht kështu: “Kjo është një qeveri oligarkësh, një qeveri skifterësh që po shqyejnë çdo ditë Shqipërinë!” Nëse dikush nuk beson që kjo shprehje të ketë dalë nga goja e kryebashkiakut Erion Isai, mund t’ua servirim edhe në video, madje me zë dhe figurë. Kurse pas 4 muajve, pasi mori teserën e PS, nisi të shprehej: “Jam socialist i thekur!”. Por kolonjarët tashmë nuk ia vënë më veshin, sepse janë të sigurtë, nëse ndryshon situate, edhe Erioni ndryshon bindjet e veta. Nuk e ka problem të kthejë gunën nga fryn era. Kjo mënyrë sjelljeje me kthesa të herëpashershme e zhvlerësoi figurën e tij si kryebashkiak, sot ai ka një autoritet të rrenuar. Ai fitoi si kryetar bashkie më 30 qershor 2019, ndërsa më 10 korrik 2019 ende pa marrë detyrën nisi të bënte presione psikologjike. Pyetja e tij ishte: “Çfarë kini bërë 6 muaj, nga 1 janari deri më 30 qershori?!” Kjo mënyrë komunikimi na la të kuptojmë se ai ishte foshnjor në administrimin e punëve të Bashkisë, dhe nuk kishte faj, ai ishte thjesht një aktor dhe asgjë më shumë. Detyrën si kryetar e mori në datën 29 Korik 2019.
Ligji u shkel që ditën e parë
Më 29 korrik, ditën e hënë bëri betimin dhe po atë ditë shkeli ligjin sepse bashkoi njësitë administrative: Çlirim + Mollas; Barmash + Novoselë; Njësinë administrative Leskovik fshat + me Leskovik qytet, të cilat bëhen me VKB ose me VKM. Madje disa njësi administrative prej shume kohësh i la pa administrator. Dhe “më e bukura” kryetari i vetëm në 61 bashki që ka vendi Erion Isai, vendosi shiritin e kryetarit të Bashkisë mbrapsht. Për këtë arsye u ironizua nga të gjithë kolonjarët, ndaj që nga ajo ditë kryetari i Bashkisë nuk e ka vënë më shiritin që prej 5 vitesh, sepse i kujtojnë vendosjen mbrapsht të shiritit. Megjithatë, edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk e vuri shiritin as kur erdhi Luigji Soreka, as kur erdhi kryeministri, as kur erdhi ministri i Brendshëm; po kështu, shiritin nuk e vendos as në ditët festash, si: 5 maji dita e dëshmorëve, 6 korrik djegia e Borovës, 15 maj çlirimi i Leskovikut, 20 maj krijimi i batalionit “Hakmarrja”, 20 tetor çlirimi i Ersekës, 28-29 nëntor ngritja e flamurit të Pavarësisë dhe çlirimit të atdheut, etj. Dhe jo vetëm kaq, më 28 nëntor të vitit të kaluar, nuk denjoi të vinte fare në qytetin e Ersekës për ngritjen e flamurit, madje edhe lapidarët dhe pllakatet përkujtimore i ka inat dhe po i heq si rasti i Rehovës, dhe pllakatin në Bashkinë Ersekë të dëshmorit Ilirjan Arapi, ndaj me këtë rast po i kujtojmë thënien e Petro Nini Luarasit “Vramëni po gjakun mblidhmani se do t’u duhet nipërve dhe mbesave të shkruajnë gjuhën shqipe”.
Vlen më shumë paraja se gjaku i dëshmorëve
Ka folur keq për qeverinë Rama
Për kryebashkiakun e Kolonjës duket se vlen më shumë paraja se gjaku i dëshmorëve. Erion Isai është një kryetar bashkie që projektet dhe investimet përkatëse i realizon në mënyrën më të dobët. Edhe frekuentimin në Bashki e ka tejet te ulet 43% po dhe 57% jo. Vjen një ose dy ditë në javë. Ka shumë projekte të zbatuara që e kompromentojnë; heq nga puna punonjës me status dhe për një vend pune paguan dy veta; vë në punë punonjës pa status vetëm e vetëm që t’i ketë nën vete dhe t’i urdhërojë ata si të dojë; falsifikon urdhëra çemërimi në punë, çdo gjë e bën në shkelje të ligjit; dhe është një kryetar bashkie që për 5 vjet ka ndërruar 3 makina shumë të mira “Renxh Rover”, “Benz” AA 099 ZU, “Benz” AB 090 AP dhe një “X5”- a, që nuk i dihet as nami dhe as nishani. Dhe jo vetëm kaq, si kryetar ka folur keq edhe për qeverinë Rama; mashtroi se do të instalohej familjarisht në Ersekë dhe nuk respekton asnjë datë të shënuar me shiritin e kryetarit edhe pse e ka detyrim ligjor; kryen shpenzime marramendëse me benza dhe naftë. Shume e shpenzimeve për karburant kapërcen shumën 200 milionë të dala nga taksat e kolonjarëve.
Zyrën e drejtoreshës së Financave e bëri WC për vete
Po, është një kryetar bashkie që ka hequr 9 nënkryetarë (vlen edhe për librin Gines); heq dhe vë në punë si t’ia dojë qejfi me një të rënë të lapsit sepse e kundërshtojnë duke u bazuar në ligj. Donte të hiqte edhe lapidarian në hyrje të qytetit, por hasi në rezistencën e kryetarit të veteranëve të Ersekës dhe gjithë veteranëve; gjithashtu ka zbatuar projekte të dyshimta në drejtimin financiar si ish-Komiteti partisë, Bashkia, rrugët etj. E pra, kush dëshiron sqarime më të shumta, jemi të gatshëm t’ia ofrojmë saktësisht siç kanë ndodhur dhe me dokumente të sakta, foto dhe video të cilat e implikojnë në shumë gjëra. Kolonja ka vajza, djem, burra dhe gra të zotë që të japing ujë në bisht të lugës dhe që dinë të drejtojnë dhe jo të bëhen gazi i botës, si kryetari aktual Erion Isai, i cili nuk ka pelqyer as qeverine nga ka dalë ai vetë. Kaq për këtë radhë… Të vetmen gjë që kolonjarët “i pëlqyen”, ishte Zyra e drejtoreshës së Financës të cilën e bëri WC për vete, gjë që komentohet edhe sot si në kuptimin figurativ dhe në atë real. Kjo është qeverisja bashkëkohore e kolonjarëve nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Isai.
Erion Isai: Kam vënë në rresht artistë të mëdhenj!
Për ju s’e kam problem!
Në datën 10 mars 2022, e enjte, kryetari i Bashkisë Kolonjë, thirri një grup punonjësish prej 4 vetash dhe nisi t’u bënte presion psikologjik me largim nga puna. Njerit prej punonjësve i bëri presion duke i thënë: “Unë kam vënë në rresht një prej artistëve më të mëdhenj të vendit, ndërsa me ju nuk e kam problem të marr vendimin që dua”. Emrin e artistit të madh, kolos i skenës dhe kinematografisë shqiptare nuk po e përmendim sepse mënyra si u shpreh kryebashkiaku ishte tejet e ulët. Arsyeja e zemërimit të kryetarit të Bashkisë ndaj 4 punonjësve ishte mosdërhyrja tek shtëpia e dy të moshuarve për prishjen e një muri ndarës, dhe e vërteta është se ai mur me të drejtë nuk është prishur as sot. Kjo mënyrë sjelljeje, – pohojnë punonjës të Bashkisë Kolonjë, – është atakuar edhe nga emisioni satirë-investigativ (“Stopi”, dt. 22.11.2021 e mërkurë). Ndërsa një punonjësi të IMT-së kryebashkiaku iu drejtua me fjalët: “Kërkoj që kur t’i të dalësh me bllok në dorë, kolonjarëve t’u shpëtojë shu..r…a”.
Pse ndodh kështu?
Sipas punonjësit që u këshillua nga kryebashkiaku si t’i trembte kolonjarët, shpjegoi si më poshtë: Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai është kundër bizneseve, madje më shumë se 18 biznese janë kërcënuae për prishje të objekteve të biznesit pa marrë parasysh faktin që kjo kategori biznesmenësh ushtrojnë aktivitetin e vet që prej 20-25 vitesh, paguajnë rregullisht taksat dhe mbajnë me punë një pjesë të familjeve të qytetit të Ersekës. Rasti më i fundit u shënua në dt.12 shkurt 2024 dhe nëse urdhëri i tij do ishte zbatuar, për kolonjën do të ishte një maskaradë neveritëse, gjë që nuk ka ndodhur në bashki të tjera. Bëhet fjalë për stallën e të imtave në Borovë. Dhe ishte po ky njeri që pasi nxori urdhërin e prishjes së stallës, pas 3 orësh nxori urdhërin e mosprishjes duke e shtyrë prishjen për tre muaj, deri më 25 prill. Dhe nuk është çudi që edhe më 25 prill urdhërat e tij të jenë po kaq të çuditshëm, gjë që të bën të mendosh se ai është i paqendrueshëm në veprimet e veta.
Arsyeja e mosprishjes
Gjithashtu duhet thënë që arsyeja e mosprishjes së objektit i ishte shpjeguar kryebashkiakut Isai nga inspektori i IMT-së Ersekë, Paqësor Cane. Arsyeja e shtyrjes ishte bërë me dije që më dt. 8. 2. 24, dhe numër protokolli për të gjitha arsyet që janë cituar më sipër. Kjo për gjithë kolonjarët u konsiderua si shou nga ana e kryebashkiakut, sepse atij nuk i rrihet pa bërë për të qeshur banorët e Kolonjës… Nga aksioni i ashtuquajtur i “madh” që organizoi kryetari I Bashkisë, vetëm një gjë do të veçojmë: Policia e shtetit Ersekë dhe Korçë që ishin njoftuar u treguan shumë korrektë, të qetë dhe profesionalë Dhe megjithatë, nga gjithë kjo maskaradë, viktimë mbeti ispektori IMT me status që e largoi nga puna. Po përse e largoi nga puna? Për prishje të objektit, apo për mosprishje të objektit, kur prishja dhe mosprishja u vendos nga vetë kryetari Erion Isai.
Gjithsesi në vijim ne do të sjellim fakte te reja lidhur me punët në Bashkinë e Kolonjes Madje nga një SMS që kemi siguruar, ish-ispektori i IMT-se e ka ftuar publikisht z. Erion Isai në debat televiziv ku të dojë vetë ai, por kësasj ftese kryebashkiaku deri më sot nuk i është përgjigjur. Që të gjitha këto tregojnë se qendrimi në punë i punonjësve të Bashkisë, varet nga humori i kryetarit të Bashkisë. Madje, nisur nga të gjitha këto që kemi numëruar më sipër, mundet të themi se ky kryebashkiak duhet të zërë “një vend nderi” në Librin Gines.