Nuk ka nevojë të kesh tituj e poste, mjafton të jesh Njeri prej veprash e aktesh njerzore e të përditëshme që të të duan përjetësisht.
Këtë mesazh ma riformatoi përpara syve Mri Dedaj e Mernaçajve.
Kisha dëgjuar shumë për të , por nuk e kisha takuar kurrë. Kur ajo erdhi në tavolinën tonë ( në gëzimet e familjes Belliu) rreth saj u mblodhën dashurisht Miqtë. Ishte një demostrim i natyrshëm nderimi e dashurie; Nazo i puthte duart, Xhemilja nuk ngopej duke e pyetur, ndersa Alma nuk iu nda më .
Iu afrova edhe unë , desha ti dëgjoja zërin.
Seç kish diçka hyjnore portreti i saj , pak nënë , shumë fisnikëri dhe mirësi pafund Gruaje.
Ne i kemi të gjallë portretet që asnjë e keqe nuk i tjetërsoi dot . Ç’bekim !
Dhe pasi ndjek këto skena dashurie që pak njerëz në këtë jetë munden ti poseidojnë me një klikim të thjeshtë mund të kuptosh pse është shkruar aq bukur rreth saj. Sepse pa dyshim ajo është nga ato lloj legjendash të gjalla ku prek histori të vërteta, të përjetuara që kryefjalë kanë dinjitetin.
—————
Ja disa prej tyre ( marrë nga Jozef Radi e Pertefe Leka)
Nga rrëfimi i Mrìsë…
Nanën Mri e bindën me tregue për jetën e saj: Un, Mri Dedja, e bija e Dedë Gjon Bajraktarit edhe e mbesa e Gjon Lucit, jam le n’vjetin 1939, me 12 Mars. (Mueji i pagëzimit tim, rituali asht krye prej padër David Picit.)
Fisnikja Mrì ka shumë me thanë…
Me historitë e saj u ndërtue një vepër dokumentare, nga arkitekti i fjalës bukur, shkrimtari e sociologu i gegnishtes letrare Jozef Radi. (I lindur e rritun internimeve nga prindër intelektualë, ai ka ecë në rrugën e të atit, Dr. Lazër Radi, ku me nji punë titanike, po plotëson kolanën e gjatë të botimeve, babë e bir Radi) Si mik i familjes Merrnaçaj, ai pati vullnetin e dëshirën me i ndigjue ndodhitë nga goja e një Malsoreje sojnike, që u rrit në Majat e Alpeve, në Kelmendin e përmendun, në Vuklin e trimave. Zoja e Madhe rrëfen me gjuhën e të parëve, të pastër si uji i bjeshkëve, flet me krenari për ata që nderuan Fisin e Derën. Mburret me trimat që trimnisht mbrojten katund e malsi.shkruan (Pertefe Leka)
***
Mrìa në kujtimet e saj nuk harron vitin 1945
“Dimni i ardhjes së komunistëve në Kelmend ka qenë i tmerrshëm, nji dimën me borë, ngricë e fortunë!”
Këtu fillojnë edhe vuejtjet e pesëvjeçares Mrì…
I jati Dedë Gjoni, me vllazën e të tjerë kanë dalë në grup, mos me pranue shkje e komunistë në Kelmend, sepse ishin në dijeni për krimet e tyne. Përballja me ta, solli pasoja tragjike për fisin e Bajraktarit.
Mrìa u rrit jetime me gjyshen në shtëpi, e martuen të re, pa mbushë 16 vjet. Doli nuse pa stoli nusënie, iku me krye mbrapa, tue lanë shpinë e pasuninë të djegun me babën mbrendë… “Gjysë nuse” – i tha gjyshja, por mori me vete visaret e traditës, që i gjeti dhe i mësoi edhe ma shumë në fisin e Merrnaçajve.
U rrit në shtëpinë e Merrnaçajve, ku u përshtat sepse aty gjeti po ato zakone si në shtëpinë e vet. Gjeti cilësitë ma themelore të familjes patriarkale; me ndigjue të urtët, me ruejtë nderin e konakut; me besë, bujari e mikpritje, me pasë guximin dhe përgjegjësinë për punën dhe me i mbrojtë ato cilësi të mira për dinjitetin vetjak e të fisit. Gjeti kunatën e madhe, Dranden, që e këshillonte e i rrinte afër si nanë, e cila i mësoi të punonte edhe Xhubletën, që ja shtonte shumë vlerat si nuse në konak të ri. At relike të trashigueme që e ruen edhe sot. Në harmoni me të gjithë pjesëtarët, ajo eci bashkë me to në rrugë të vështira, në shtigje të rrezikshme, afër apo larg, nga një vend në tjetrin: nga Vukli në Pshtan te Merrnaçajt, nga Trieshi në Tuz, deri larg në NY… Besonte në vendimet e burrave, kur i gjykonin vendimet bashkarisht. Mrìa e shumëvuejtun në gjini, pa mbushë 20 vjet, e martueme me dy fëmijë fillon maratonën e ecjeve të gjata, largohet familjarisht pa e ditë se ku, mes terrorit, për jetë a vdekje, kur bota festonte Krishtlindjet e vitit 1959. Me djepin në shpinë, ecte në acarin e atij dhetori, për të mbërritë diku… E dinte se në çdo shteg, që do të kapërcente do ta nxirrte në trojet shqiptare, në Triesh, tokë përtej kufinit shtetnor e marrun padrejtësisht.
Kudo ku shkuen me familjen e madhe, ruejtën kodin e familjes. Fisnikja Mrì pati fatin, sepse gjeti në atë familje me disa kunorë sjelljen e burrave të njerzishëm, ku përmendej me respekt emni i grues. Edhe kur ishin vetëm me fëmijët, vazhdonin marrëdhanjet familjare, t’i mbanin si të shejta ato vlera të traditës, të përshtatuna me kohën dhe duke e forcue edhe ma shumë kultin e mirënjohjes e të bamirësisë. Kështu Mrìa e Marashi përballuen së bashku ditë të mira po edhe të vështira.
Çifti Mrì-Marash u banë nji. Në momentet e fundit të jetës, Marashi si nji orakull u la amanet fëmijëve, Zojën e shpisë, burrneshën siç e respektonte Ai vetë, nanën e tyne hallemadhe dhe shumë këshilla të vlefshme për harmoninë familjare… Zojës së vet i kërkoj të mbajë edhe mbas vdekjes së tij, dy filxhanat e kafes mbi tavolinë, stafetë e vazhdimësisë. Kafet t’i pinte ajo vetë, se aty do të shihte hijen e gjallnisë të Marashit; Kështu e dyzueme me nji barrë detyrash do t’i drejtonte punët e familjes me mbarësi, ashtu sikur ishin bashkë në nji dashni, që nuk do të shterronte edhe mbas vdekjes tij.)
Mrìja iu përshtat edhe kushteve të vendeve, ku shkoi e jetoi, pa lanë mënjanë zakonet dhe traditën e kulturës saj, duke ruejtë at pasuni shpirtnore nga vendlindja. Shtëpia e saj larg vendlindjes në NY, ishte si nji Institucion. Te Merrnaçajt hynin e dilnin personalitete të mirënjohun nga Kosova, që zoja e shpisë, i priste e i përcillte me zemër të bardhë, i rrethonte në sofrën e ngrohtë, me “bukë, krypë e zemër”. Ata nuk vinin me hjekë mallin e “kaçamakut tradicional”, por mblidheshin me bisedue për problemet e kombit. Mrìa mësonte nga bisedat e tyne edhe kur iu shërbente si amvisë e papërtueme.
Si malësore e traditës dhe bashkohore, si bashkëshorte e besës, Zojë shtëpie e palodhun, gojambël e mikpritëse, edhe kur e gëzoi Zoti me 6 fëmijë dhe i shtoheshin punët, ajo s’e ndali zakonin, mbeti derëhapun gjithmonë. Me fjalën e mikpritjes në gojë: “Mirë se ju ka prue Zoti!” me buzën në gaz, priste e përcillte jo vetëm miq të rrethit familjar, por edhe shumë mysafirë të dobishëm nga trojet Shqiptare. Aty ulesh kambëkryq Anton Çetta, humanisti i pajtimit, i Urti Dr. Rugova, shkrimtari Pjetër Arbërori, që i rezistoi gjatë kalvarit komunist…
Miku i familjes Merrnaçaj, i persekutuem me burg e internim nga regjimi i kohës, Dr. Lazër Radi, në atë familje bani nji punë të vyeme. Aty gjeti të ruejtun nga Marashi librin e anmikut ma të egër të shqiptarëve, Mark Milanit, i cili i përgatitun mirë ushtarakisht, luftoi ballë për ballë me malsorët që nuk kishin mbarue akademi ushtarake, por kishin shpirtin trimnor tradicional të lirisë, kishin besën e nder në mbrojtje të trojeve mijavjeçare. Këto beteja e banë Mark Milanin të njihte bukurinë fizike dhe forcën e karakterit malsor, virtytet e nalta: Besë, Trimëri, Nder e Harmoni Fetare.
Kështu Merrnaçajt e mbajtën të ngrohtë vatrën familjare edhe në mërgim, banesa e tyne dallohet me dy flamuj, at shqiptar dhe atë amerikan, që valviten në ballkonin e shtëpisë. Këto simbole kombëtare i banin ma të lidhun me problemet e komunitetit.
***
Nga tregimet e Mrisë njohim se familja e saj dhe vetë ajo ishin institucion bamirësie, mirënjohjeje me etikën e mikpritjes të trashëgueme.
Ajo nuk ishte as gjeografe as historiane, por prej saj, njohim emna vendbanimesh në Malësi, emra fisesh të përmendun, personazhe historikë, ngjarje dhe data të shënueme.
Njohim zakonet e trashëgueme, kodin e familjes patriarkale, ligjet e kanunit në evoluim, bashkjetesën fetare. Njohim etikën, e përshëndetjeve të bukura, që shprehin respekt me amëlsinë e të folunit, randsinë që i japin fjalës me mend në bisedat e disiplinueme, në odat e kuvendeve, njohim egërsinë e luftës klasave që solli doktrina sllavokomuniste deri në kundërshtime të mëdha sociale me rrëmbime të pasunive private. Njohim vitin e mbrapshtë 1997, nji luftë e nxitun prej atyne që përherë kanë krijue trazime, me përça shqiptarët. Nji luftë ku pati viktima, siç tregon Mria, ishte plagosja e Markut, i lindun e i rritun internimeve. Si gjithmonë, shpirtmirësia e Mrì-Marashit, të gatshëm e të pakursyem, bajnë ma të mirën me tërhjekë nipin familjarisht në NY… e shpëtuen prej asaj dalldisje të shfrenueme me vra njerëz të pafajshëm. Por mbi të gjitha nga tregimet e Mrisë njohim Demokracinë Amerikane, që shqiptarët e të tjerë ndihen të barabartë në SHBA: ngrejnë famurin shqiptar, dalin në protestë të bashkuem e demostrojnë për liri e drejtësinë e vendeve nga vijnë, hapin shkolla në gjuhën e tyne, krijojnë shoqata patriotike, publikojnë gazetat në gjuhën shqipe për problemet kombëtare. Ndihen të barabartë ku u vlerësohen meritat dhe nuk i ndalon askush që të ngjiten me zotësitë e tyne në instancat ma të nalta drejtuese.
Marrë nga shkrimi i Pertefe Lekës e referuar nga vepra e Jozef Radit “ Mri Dedja e Marnaçajve, zonja e hekurt me shpirt florini”