Dy situata të nxituara që zbulohen nga arroganca e pushtetit dhe standardi i ulët për median u treguan mëngjesin e së Martës, 19 Mars nga kryeministri kur me një gjest nëvleftësues për t’u shkëputur nga pyetjet mediave, Rama prek dhe shtyn gazetaren Ambrozia Meta (Syri-tv). Kjo rrjedhon pas një përsëritshmërie dënimesh, dhune verbale që shkojnë edhe deri tek fyerjet herë të tjera dhe te kjo më e fundit pasi kryeministri është mësuar të presë vetëm pyetje të preferuara, Rama nuk e ka përmbajtjen qytetare dhe profesionale kur qetësia e tij prishet nga pyetjet që e nxjerrin atë jashtë mesazhit propagandistik që ai e mëshon në çdo dalje përpara kamerave.
Mes shumë organizatave të shtypit të lirë dhe mediave të pavarura, UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), shprehu shqetësimin për ngjarjen në fjalë dhe u bashkua me qendrimin e tyre që; funksonarët shtetëror duhet të respektojnë punën e medias për përcjelljen e së vërtetës. Duke patur parasysh edhe rregullat e respektit reciprok në takimet e drejtpërdrejta si edhe ato të organizuara në formën e konferencave të shtypit, të tilla komunikime janë mjeti më i mirë që ndihmon përcjelljen e qartë të informacionit për publikun. Kjo marrëveshje është sa e shkruar po aq edhe e mirëkuptuar me vlerat e etikës profesionale në një shoqëri demokratike. Dhe si të tilla përsa politika do pushtetin e saj, po kështu gazetaria ka përgjegjësinë e vet për t’u informuar mbi faktet dhe ngjarjet.
Ngjarjes mund t’i futemi në detaje dhe ato janë të rëndësishme si për përmbajtjen e lajmit mbi investimet strategjike ku Ishulli i Sazanit u bë sëpari objekt i medias ndërkombëtare me protagonist Ramën dhe kompanitë e huaja ashtu edhe për gjestin fizik të kryeministrit. Por në këtë situatë rreth kohës së pakët që kryeministri i kushton takimeve me median, sjelljet e tij bëhen të ulta. Nga ndodhia e ditës me syrin e shikuesit, kryeministrii i kthen shpinën me një aktrim të dobët disa gazetarëve nga e djathta e tij duke pritur pyetjet nga krahu tjetër i gazetarëve. Pas guximit të pyetjeve të treta (ndërprerjeve), Ramës i ka humbur durimi dhe i vlerëson ato me nervozizëm. Përgjigje me tone hakërruese dhe me një gjest shtytjeje-goditje ç’ka është e tepërt në gjithë atë marrëdhëne. Kryeministri largohet duke futur duart në xhepa (forma e kapadaiut), në një kohë kur shmangia pa përgjigje do të kishte qenë vetë zgjidhja brenda natyrës së tij pa prishur më shumë punë.
Analiza për përmbajtjen e vetë lajmit, gjesti arrogant dhe qendrimi i menjëhershëm i organizatave mediatike janë tre përmbajtjet kryesore të ngjarjes të cilat fare butë mund të sheshoheshin po aty ku ndodhi dhe Rama duke kërkuar ndjesë mund t’u jepte besim dhe respekt gazetarëve për punën e tyre.
Fakti i dytë ishte shqetësimi që buron nga pushteti i cili lidhet me pjesën më pas të ngjarjes ku jehona e një gjesti të gabuar nga kryeministri ndaj gazetares dha klikimet në mediat-sociale patën një reagim të menjëhershëm. Strategjia e mbulimit të ngjarjes nga ana e Ramës u mbyll me një kundërpërgjigje në një njoftim prej ATSH-s (agjencisë së propagandës shtetërore), e cila nuk ka tërheqje, por bëhet me sulm:“Të kërkoj falje?! Të kërkoj falje pas një gënjeshtre krejtësisht të neveritshme,…”
ky justifikim foshnjor para asaj që u pa e bën kryeministrin që shkoj më tej dhe kjo është më e dhimbshme për mënyrën e shtrembërimit të faktit kur brenda pak orësh ai ndërton alibinë duke u maskuar me forcën e pushtetit kur sipas ATSH-s citohet:- “Sa i përket sjelljes ‘të pafalshme’, si një ish-pionier i shtypit të lirë në vendin tim, kur fjala ime e lirë rrezikonte dhe jetën time, ndiej detyrimin të them se organizatat e shtypit duhet të kujdesen për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe integritetit gazetaresk jo vetëm kur këto kërcënohen nga pushteti, por edhe kur minohen nga anëtarët e komunitetit të shtypit. Përndryshe, shoqëritë tona demokratike do të jenë në telash”.
Pra shihet qartë standarti Rama për median. Edhe i humbur ai nuk kërkon falje dhe bëhet edhe më agresor për individët dhe organizatat mediatike duke nxjerrë në dritë përvojën e hershme të mbrojtjes së fjalës së lirë sot në një kohë kur po bëhet ai vetë shkelësi i parë dhe i qëllimshëm i së vërtetës. Për hir të profesionit për publikun duhet shquar ilustrimi vizual i ditës. Janë dy foto dite që interpretojnë gjestin dhe lajmin tuaj mes pyrtjeve të gazetarëve. Këto dy foto të krahasuara shprehin qendrimin tuaj larg gjestit dhe plastikës si dhe tendencën larg vendngjarjes. Ato janë tepër të dallueshme pasi në një krah është pushteti dhe propaganda i fshehur prej frikës së opinionit dhe në krahun tjetër është veprimi dhe lajmi siç ka ndodhur.
Profesionalisht ndjesa publike e kryeministrit Rama përpara bashkësisë së gazetarëve do të ishte veprimi i duhur qytetar dhe ajo do të jepte arësyeshëm një fitim besueshmërie të bashkëpunimit me median. Podkasti i tij dhe rrjeti X apo Facebook do të kishin vlerë për ndjesën që duhej të bëhej sikurse edhe Komisioni i Medias dhe i Edukimit duhej të depozitonte kërkesë dëgjimore mbi ngjarjen. Këto deri tani nuk kanë ndodhur pasi kryeministri bën presion me “mbrojtjen e tij” edhe pse pohon se është një ish-pionier i fjalës së lirë”.
Nga këto zhvillime dhe vlerësime UGSHPD shpreh se; alibia që juve zoti kryeministër zgjodhët dhe ndërtuat përmes propagandës dhe pushtetit brenda ditës janë shprehje të dobësisë dhe frikës nga e vërteta. Alibia gjithashtu ju duhet juve edhe për diçka tjetër më shumë dhe ajo bëhet për t’ju fshehur mbështetësve dhe anëtarësisë socialiste sepse brenda qëllimeve të elitës së Rilindjes Socialiste nevoitet vetëm propaganda, aty ku dhuna verbale dhe arroganca e individit kanë ushqyer dhe mbajnë pushtetin tuaj prej kaq vitesh.
19 Mars 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)