Artisti i madh komik Sten Laurel: Unë nuk e meritoj të përmendem në të njëjtën fjali me emrin e Charlie Chaplinit.
Martin Landau, shkrimtar amerikan: Komikët vërtet të mëdhenj, si Charli Chaplin, të bëjnë të qeshësh dhe, një sekondë më vonë, të qash.
Michail Gondry, shkrimtar amerikan: Unë nuk dua ta krahasoj veten me të. Unë nuk dua që njerëzit të më shohin mua ngjashëm me këtë gjeni të madh- por kur unë i shoh filmat e Charli Chaplinit atje ka një ndërthurje të dramës, naivitetit dhe kuptimi social, të cilin unë mund ta shikoj te vetja, në një tjetër nivel.
Josh Gad, aktor amerikan: Idhulli im ndërsa rritesha ishte Charlie Chaplin. Unë isha i magjepsur pas tij. Unë mbeta i magjepsur me idenë e komedisë fizike.
Jon Landau, producent amerikan: Bob Dylan mund të jetë Charlie Chaplin i rokenrollit.
Jackie Googan: Ne përdorëm formulën e Charlie Chaplinit në të gjithë filmat e mi. Bëji njerëzit të qeshin në gjysmën e parë të bobinës dhe pastaj bëji të qajnë në gjysmën e dytë të saj. Por jepu atyre një shans për t’i tharë lotët përpara se të ndizen dritat.
***
Për ne të dy është hera e dytë që vijmë tek shtëpia dhe pronat e i Charlie Chaplinit. Herën e parë, në verën e vitit 1996, erdhëm me artistin tonë të madh komik Viktor Gjoka. Asgjë nuk pipëtinte. Prej 19 vitesh i zoti i shtëpisë i mungonte kësaj bote. Edhe zonja e shtëpisë prej pesë vitesh prehej pranë tij në varrezat Coursier-de-Vevey. Erdhëm, pamë nga jashtë shtëpinë e Chaplinit, kompleksin e studiove, lëvizëm përgjatë fermës, bëmë foto prej aty deri në brigjet e Liqenit Liman, ku ndodhet shtatorja e Chaplinit, me bastunin e tij në dorë, ndërsa përballë, në bordurën që ndan bregun nga uji, është një pirun gjigant.
Ferma, e njohur si Champ de Ban, shtrihet në një sipërfaqe 14 kilometrash katrorë dhe konsiderohet si një ndër parqet më të bukura në Zvicër. Nëpër këto livadhe e këto pemë, secila një monument natyror më vete, Charlie Chaplin shtëtiste vetëm, me zonjën, me miqtë, këtu ai luante me fëmijët e tij.
Viktori nuk pushonte së imituari komikun anglez dhe nuk nuk reshtnim së qeshuri. Dhe e përsëriste: “Nuk mund të më bëhej dhuratë më e çmuar. Kjo është ndër dhuratat më të çmuara në jetën time.”
Vini re: Përdorimi “gjeni i madh” është i pazakonshëm, ndoshta vetmor. Por është i mirëfilltë për një gjeni të aktrimit, një gjeni të regjisë, një gjeni të skenarit (pra, të shkrimit), gjeni të kompozimit për filmat. Edhe nëse bie nëpër hollësitë e secilës fushë, cilësimi “gjeni” do të vijonte: gjeni i pantomimës, gjeni i baletit, gjeni i metafores filmike. Dhe prapë duket sikur mbeten të pathëna të tjera për gjeniun e madh.
Epilog- pasi e kemi mbaruar vizitën në muze
“Chaplin’s World” është një muze me një magji të veçantë. Ndonëse autorët, me një pretendim gjithsesi modest, e kanë quajtur “Bota e Chaplinit”, ata gjithsesi nuk mund t’i shpëtonin ngasjes, nuk mund të mos i bindeshin frymëzimit të tyre për t’i dhënë, nëpërmjet arkitekturës së brendshme, idenë e pafundësisë së këtij muzeu çdo vizitori, për t’i krijuar atij gracka pas grackash, secila më e magjishme. Këtu janë jo vetëm 25 vitet e fundit të jetës së tij të gjatë, por edhe inventari i jashtëzakonshëm i një jete të një artisti të pavdekshëm. Sekush nga vizitorët sjell me vete botën e tij për ta pasuruar me një botë të madhe që e gjen këtu. Ai është i dyndur ndaj informacionit, zbavitjes, shuarjes së kureshtjes. Ne hyjmë këtu, ndoshta, me mendimin se dimë aq shumë për Chaplinin, por, në çdo hap e kuptojmë se na mbetet edhe shumë për ditur. Vetëdijshëm a pavetëdijshëm, ne të gjithë, pavarësisht cilit brezi të sotëm i përkasim, jemi adhurues të Chaplinit, të artit (që është jetë) dhe të jetës së tij (që është art). Pothuaj çdo mjedis, pothuaj çdo eksponat i muzeut sikur të fton e të grish që të mos largohesh prej tij. Sepse të gjitha, qoftë edhe me heshtjen e tyre, të flasin për diçka, të magjepsin dhe të mbajnë të përqëndruar. Gjithçka na sjell një kujtesë nga ndonjëra prej veprave të Chaplinit, na sjell të gjallë një periudhë jete të tij që është e lidhur me një vepër të dhënë, gjithçka të bën të zhytesh në meditime. Gjithkush këtu ka dëshirë të mos lërë asgjë jashtë vëmendjes. Gjithçka të çlodh fizikisht e, pa e ndjerë, të lodh fizikisht. Kjo kundërthënie midis tyre mund të zgjidhet vetëm nëse kemi ndjesinë e duhur për ta pjesëtuar sa më mirë kohën e qëndrimit në çdo mjedis, para çdo ekponati, para çdo objekti muzeal.
Charl Chaplin – shijues gjenial i së bukurës
Ndër të tjera, deshëm të themi, vizitori këtu nuk mund të jetë asnjë grimcë çasti thjeht kundrues pasiv i mjediseve, objekteve, relikteve, sepse është doemos dëshmitar i një kapitulli të madh të historisë së një arti të madh të vendosur në kohë përgjatë Shekullit XX për të jehuar sa më gjatë nëpër shekuj.
Siç e paralajmëruam në reportazhin tonë nga Berna, caku i dytë i udhëtimit do të ishte “Chaplin’s World”, muzeu i vetëm në botë kushtuar atij njeriu dhe artisti, të cilin ne doemos e vështrojmë, megjithatë, si një miniaturë tejet të pasur e të pafundme, të asaj që është “Chaplin’s Universe” e që nuk mund të mbyllet brenda mureve të asnjë muzeu.
Jemi një grup kolegësh nga Apes (Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn, ku ne të dy – Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj- jemi anëtarë aktivë, madje nga më aktivët, prej më shumë se njëzet vitesh- – siç ia vlen ta theksojmë sa më shpesh). Me ne është edhe Presidenti ynë Jean Musy dhe Mr. Swiss Turismus, Federico Sommaruga, organizator i këtij udhëtimi, sikurse edhe i shumë të tjerëve të shoqatës sonë.
Në hartën e Botës, në pafundësinë e Universit, Charli Chaplini zgjodhi pikërisht Zvicrën për të shijuar lirinë dhe, në hartën e Zvicrës, për ta shijuar jetën në liri, ai zgjodhi pikërisht këtë bukuri buzë Liqenit Leman, mes vreshtnajës së Lavaux, prej vitesh Pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO, ndër më poetikët e botës, dhe kundruall Alpeve Zvicerane, më të përkryerat në bukuri. Ishte shija gjeniale ndaj bukurisë së lirisë ajo që e ndolli Chaplinin gjer këtu. Në shtator 1952 ai po promovonte filmin Limelight në Evropë kur iu bë e ditur se i revokohej viza për SHBA.
Rezidenca e tij Manoir de Ban, e ndërtuar më 1840, mirëpriti banorët e rinj prej 6 janarit 1953. I zoti i ri i shtëpisë, para se të vendosej përfundimisht, e rinovoi atë dhe i riorganizoi mjediset e brendshme. Shtëpinë në Hollivud e shiti dhe mobiljet i solli në shtëpinë e re. Ona, e bija e dramaturgut Nobelist Eugene O’Neill gruaja e fundit me të cilën qenë martuar kur ajo ishte 18 vjeçe ndërsa ai 53 vjeç, ishte në pritje të ëmbël për fëmijën e tyre të pestë nga tetë sa patën gjithsejt bashkë. Chaplini tre fëmijët më të mëdhenj i pati me tri gra të tjera.
Manoir de Ban ka 19 dhoma në tri kate. Bodrumet e dikurshme të verës i përshtati për arkivat e tij. Ne na shoqëron këtu Caroline Duy. Na pret në holl vetë i zoti i shtëpisë, prej dylli, me fytyrën e qeshur, me sytë e tij tërë dritë, në një pantomimë të pafundme çapliniane në sfondin e një foto të mrekullueshme të Onës. Të gjithë duam të bëjmë foto me Chaplinin, askush nuk i lë radhë as hapësirë tjetrit. Në katin e parë është zyra e punës, biblioteka, dhoma e ngrënies e tjerë. Në një kënd janë të gjitha revistat ku ai është në ballinë dhe të gjitha gazetat ku ai është në faqen e parë. Ngjitim katet, qëndrojmë më gjatë në dhomën e tij të gjumit me dritare që shikojnë nga Alpet. Pastaj lëvizim nga kthina në kthinë. Në një kend ndejtje ku gjithçka është e rregulluar me art shfaqet violina, aty në kënd piano.. Virtuoz edhe si violinist dhe pianist. Telefon ka vetëm në zyrën e tij në katin e parë. Nuk do asgjë që mund t’ia prishë qetësinë. Fëmijët e vegjël i futen në studoi por ai është aq i përqendruar sa nuk i vë re. Qëndrojmë në sallën e kinemasë të familjes. Shikojmë një video të shkurtër ku ai ka zënë vend në krah të Onës e cila mban kreun e tavolinës me familjen e tij të madhe. Situatat gazmore e shoqëruan e Chaplinin në çdo hap të jetës dhe të artit, në ditët e tij më të vështira dhe në ditët e tij më të lumtura. Dolëm në taracën prej nga ai, teksa pinte kafenë dhe lexone gazetën, nuk ngopej duke parë Alpet: “Sa i lumtur ndjehem duke i vështruar pafundësisht këto pamje kaq të bukura.” Ai është gjithnjë e më i kënaqur nga qëndrimi në Zvicër: “Këtu unë ndjehem çdo vit e më mirë!”
Ajnshtajni: e+Chaplin’sfriendship=mc2
Në njërën nga banjot e shtëpisë, në mes shkrimesh pa fund të zezë në të bardhën e mureve, mund të gjesh edhe formulën e mësipërme të Ajnshtajnit, sipas të cilit, gjithçka tjetër është relative, përfshirë teorinë e tij të relativitetit, por miqësia e tij me Charl Chaplinin është absolute. Miqësia e gjenive lindi më 1931 në SHBA. Siç thonë mediat “Charlie Chaplin ishte i vetmi person në Hollivud të cilin Albert Ajnshtajni donte të takonte.” Nobelisti i fizikës gjeti rastin të merrte pjesë në premierën e filmit CityLights në Los Anxhelos. Në kujtesën e të gjithëve ka mbetur ky dialog mes gjenive: “Einstein: ‘Më i admirueshmi në artin tënd është universalizmi i tij. Ti nuk thua asnjë fjalë dhe prapë bota të kupton ty!” Chaplin: ‘E vërtetë. Por lavdia jote është edhe më e madhe! E gjithë bota të admiron ty, megjithëse askush nuk e kupton një fjalë nga ato që thua ti!”
Në “Chaplin’s World” është një mjedis, relativisht i ngushtë, që falë teknologjisë dhe falë fantazisë së realizuesve të muzeut, ngado të hedhësh sytë, poshtë, lart apo ansh, duket i pafundëm si një hapësirë qiellore. Është plot me ekrane, ku, mjafton të zgjedhësh një pamje të vogël, ta prekësh me gisht dhe aty të të shfaqen skena të filmuara nga takimet e Chaplinit me personalitete të artit, të kulturës, të shkencës, të politikës nga e gjithë bota gjatë karrierës së tij. Për të shuar kureshtjen këtu nuk do të mjaftonin as orë, as ditë të tërä, por vizitori, siç e theksuam më herë, duhet të ketë patjetër sensin e masës.
Charlie Chaplin gjatë 25 viteve të tij në Zvicër, ka pritur këtu që nga Albert Ajnshtajni, Uillson çërçilli, Marlon Brando, Truman Capote, Federico Fellini, Sophia Loren, Majkëll Xheksoni, Roberto Beninji. Paolette Goddard e plot të tjerë. Janë përjetuar në përmasa natyrore me shtatore dylli në një mjedis të posaçëm në formë piste vetë Chaplini dhe Ajnshtajni, Xhekson, Loren, Fellini etj.etj.
Intermexo e gjatë – sa tingëllim aktual
Nga tetori 2020 deri verën 2021 Muzeu “Chaplin’s World” kujtoi 80 vjetorin e filmit ikonë ‘Dikatori i madh’
Me sloganin #LETUSALLUNITE (LE TË BASHKOHEMI TË GJITHË)
Që nga tetori i vitit 2020, deri në verën e vitit 2021, muzeu Chaplin’s World ka organizuar festimet e 80 vjetorit të një prej filmave ikonë të Charlie Chaplin: “Diktatori”. Në përkujtim të këtij filmi, Chaplin’s World dhe Fondacioni i Muzeut Charlie Chaplin filluan fushatën #LETUSALLUNITE: një projekt afresk njerëzor i klasit botëror për t’i dhënë nderim filmit, artistit e për të bashkuar qytetarët e botës rreth vlerave universale.
Ishin 2.326 pjesëmarrës nga 69 vende të ndryshme të botës që formuan shkronja të cilat u përdorën nga artisti zviceran NOTsoNOISY Guillaume Reymond, për të riprodhuar të gjithë fjalimin përfundimtar të filmit “Diktatori”, i cili mbeti i ekspozuar në një kanavacë afresk banderolë të instaluar më shumë se 37 metra të gjatë në murin rrethues të Chaplin’s World si dhe në faqen e tij në internet; duke e bërë kështu edhe veprën e tij dhe nderimin për aktorin dhe kauzën të arritshme për të gjithë.
Chaplin’s World është një muze i krijuar në kujtim të jetës dhe veprës së Charlie Chaplin, i themeluar në Zvicër, në Corsier-sur-Vevey, pikërisht aty ku ka jetuar aktori i madh nga 1953 deri në vdekjen e tij në 1977. Ky muze u krijua nga Philippe Meylan, Arkitekt dhe sipërmarrës zviceran dhe Yves Durand, muzeograf nga Quebec, në partneritet me Muzeumin Grévin, që zyrtarisht u hap më 16 Prill 2016.
Ekspozita e përkohshme, “Chaplin and the Dictator”, u inaugurua në pranverën e 2020 duke përkujtuar këtë film kryevepër që u shfaq në kinematë amerikane në vitin 1940. Në atë ekspozitë u shfaqen foto të panjohura më parë, si dhe skena të prera gjatë xhirimeve të njërit prej filmave më emblematikë në historinë e artit të shtatë.
Ekspozita ishte një kujtesë për rëndësinë e kësaj vepre vizionare. Chaplin, që kaloi jetën duke mbrojtur të drejtat e njeriut, kishte filluar të mendonte që në vitet 1930 për pasojat e ardhjes së nazizmit. Përtej kontekstit të tij historik, filmi mbetet tmerrësisht aktual duke treguar shkatërrimet e një diktature.
“Që në atë kohë Charlie Chaplin ishte një nga regjisorët e paktë që kritikoi Hitlerin dhe Nazizmin. Atij iu desh të përballej me kërcënime me vdekje si dhe me një presion të madh, veçanërisht nga qeveria amerikane, për të mos e bërë filmin e tij. Ai e financoi atë vetë për të provuar se ishte i lirë dhe se nuk e lejoi veten të ndikohej”, ka treguar për shtypin zviceran Eugène Chaplin, një nga djemtë e mjeshtrit të kinemasë së heshtur.
Filmi një parodi saterike e nazizmit, i pari film me zë i artistit të madh, që fut në shenjestër direkt Adolf Hitlerin, u shfaq premierë më 15 tetor 1940 në New York, me skenar, regji, muzikë, producent dhe dy rolet kryesore të interpretuar nga Charlie Chaplin. Por në shumë vende të tjera të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, ky film u shfaq nëpër sallat e kinemave vetëm pas përfundimit të LDB.
Filmi “Diktatori i Madh”
“Më shumë se në çdo gjetje komike”, do të shkruante Orwell për filmin “Diktatori i Madh”, “hijeshia e Chaplin qëndron në aftësinë e tij për të riafirmuar të vërtetën – të mbytur nga fashizmi dhe gjithashtu, disi komikisht, nga socializmi – se vox populi është e barabartë me vox Dei dhe se gjigantët janë krimba”.
“Diktatori i Madh” tregon historinë e një berberi hebre që nuk e pranon shtypjen e regjimit të Adenoid Hynkel, një karikaturë e Adolf Hitlerit, por që është fizikisht identik me diktatorin. Dhe pikërisht në këtë ngjashmëri fizike realizohet filmi. Në fund të filmit puna shkon aty, sa që berberin e ngatërrojnë me diktatorin dhe kështu shkëmbehen vendet, diktatorin e çojnë në Geto, ndërsa berberi përfiton nga situata për të mbajtur një fjalim të tolerancës dhe paqes në fund të filmit, që titullohet Let’s all Unite:
Lexuesit po ua sjellim këtë fjalim të hatashëm që ka aq tingull aktual. Mos harroni se “Diktatori i Madh” është shfaqur në tetor 1940, ndërsa SHBA kanë hyrë në luftën e Dytë Botërore pas sulmit në Pearl Harbur, në dhjetor 1941.
Fjalimi mitik tek “Diktatori i Madh”
“Më vjen keq, por nuk dua të jem perandor. Kjo nuk është puna ime. Unë nuk dua të sundoj ose të pushtoj askënd. Do të doja t’i ndihmoja të gjithë – nëse është e mundur – hebrej dhe, johebrej – të zinj e të bardhë. Të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Qeniet njerëzore janë të tilla. Ne duam të jetojmë nga lumturia e njëri-tjetrit – jo nga mjerimi i njëri-tjetrit. Ne nuk duam ta urrejmë dhe përçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka vend për të gjithë. Dhe toka e mirë është e pasur dhe mund të sigurojë për të gjithë. Mënyra për të jetuar mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.
Lakmia ka helmuar shpirtrat e njerëzve, ka barrikaduar botën me urrejtje, na ka tërhequr në mjerim dhe gjakderdhje. Ne kemi zhvilluar shpejtësinë, por kemi mbyllur vetveten. Makineritë që japin bollëk na kanë lënë në skamje. Njohuritë tona na kanë bërë cinikë. Mënçuria jonë të ashpër dhe jo dashamirës. Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë shumë pak. Më shumë sesa makineritë, kemi nevojë për njerëzimin. Më shumë se për zgjuarsinë, ne kemi nevojë për mirësinë dhe butësinë. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe të gjitha do të humbin…
Aeroplani dhe radioja na kanë afruar së bashku. Vetë natyra e këtyre shpikjeve thërret për mirësinë tek njerëzit – bërtet për vëllazërinë universale – për unitetin e të gjithëve. Edhe tani zëri im po arrin miliona në të gjithë botën – miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar – viktima të një sistemi që i bën burrat të torturojnë dhe burgosin njerëz të pafajshëm.
Atyre që mund të më dëgjojnë, u them – mos u dëshpëroni. Mjerimi që është tani mbi ne nuk është veçse kalimi i lakmisë – hidhërimi i njerëzve që kanë frikë nga rruga e përparimit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët do të vdesin, dhe fuqia që ata morën nga njerëzit, do të kthehet te njerëzit. Dhe për sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të vdesë kurrë …
Ushtarë! Mos e pranoni t’i bindeni egërsisë – atyre që ju përçmojnë – ju skllavërojnë – që e fusin në regjimente jetën tuaj – që ju tregojnë se çfarë të bëni – çfarë të mendoni dhe çfarë të ndjeni! Kush ju detyron – ju trajton si bagëti, ju përdor si mish për top. Mos pranoni t’iu bindeni këtyre njerëzve të pashpirt – makineri – me mendje makineri dhe zemër makineri! Ju nuk jeni makineri! Ju nuk jeni bagëti! Ju jeni burra! Ju jeni njerëz! Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemrat tuaja! Ju nuk urreni! Vetëm urrejtja urren! Ushtarë! Mos luftoni për skllavëri! Luftoni për liri!
Në Kapitullin e 17-të të Shën Lukës është shkruar: “Mbretëria e Zotit është brenda njeriut” – jo një njeri, as një grup njerëzish, por te të gjithë njerëzit! Tek ti! Ju, njerëzit keni fuqinë – fuqinë për të krijuar makineri. Fuqinë për të krijuar lumturi! Ju, njerëzit, keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, për ta bërë këtë jetë një aventurë të mrekullueshme.
Atëherë – në emër të demokracisë – le ta përdorim këtë fuqi – le të bashkohemi të gjithë. Le të luftojmë për një botë të re – një botë të denjë që do t’u japë njerëzve një shans për të punuar – që do t’iu japë të rinjve një të ardhme dhe pleqërisë një siguri. Me të tilla premtime, brutaliteti dhe shëmtimi janë ngritur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk e përmbushin atë premtim. Ata kurrë nuk do ta bëjnë!
Diktatorët mendojnë për lirinë e tyre, por ata skllavërojnë popullin! Tani le të luftojmë për ta përmbushur atë premtim! Le të luftojmë për të çliruar botën – për të hequr barrierat kombëtare – për të hequr dorë nga lakmia, nga urrejtja dhe intoleranca. Le të luftojmë për një botë me arsye, një botë ku shkenca dhe përparimi do të na çojnë në lumturi të gjithëve ne, të gjithë njerëzimit.
Ushtarë! Në emër të demokracisë, le të bashkohemi të gjithë! Let us all unite!”
*****
Cikloni Chaplin
Charlie Chaplin është cikloni më jetëgjati i kinematografisë botërore. Si askush tjetër, gjeniu i madh e përshkoi artin botëror në gjithësejt tetë dekada të Shekullit XX. Arti i vërtetë dhe liria janë të përjetshëm, eternel.
Chaplini i dha kinematografisë Sharlotin, figurën e Vagabondit, në të vërtetë figurën e çapkënit që nuk linte gur pa lëvizur, nuk linte pa tallur, pa vënë në lojë kënd t’i shkrepej atij në kokë.
Me regjitë e tij, me skenarët e tij, me lojën e tij aktoreske, Chaplini i dha kinematografisë botërore metaforikën e pasur dhe të përkryer, e cila do ta bënte kinemanë në përgjithësi të heshtte kur duhej të heshtte dhe të fliste kur duhej folur, të heshtte sa suhej heshtur, të fliste sa duhej folur.
Me baletin e tij ai u bë i pari njeri hënor, shumë para se Michael Jackson të shpikte kërcimin e njeriut në Hënë. Këtu buron edhe adhurimi i lindur i Machael Jacksonit për Charli Chaplinin.
I pyetur për qëndrimin e tij politik, ai qe vetpërkufizuar si anarshist. Koha, edhe pas jetës së tij, ka provuar se, në të vërtetë, as më shumë e as më pak, ai e dashuronte së tepërmi lirinë, ishte një dashurues me tepëri i lirisë.
Pikërisht dashuria pas lirisë e solli në Zvicër. Këtu më 1957 përfundoi së realizuari filmin “Një mbret në Nju Jork” me temën e makartizmit, filmi i tij i parafundit, i vetmi ku luajti djali i tij Michael. Këtu, më 1964 , përfundoi autobiografinë 500 faqesh “Historia e jetës sime”, e cila u bë menjëherë bestseller në gjithë globin. Këtu më 1966 përfundoi së realizuari filmin e tij të fundit “Kontesha e Hong Kongut”. Këtu më 1966 shkroi skenarin për filmin “Freak”, i vetmi që nuk u realizua asnjëherë. Këtu kompozoi kolonat zanore të disa prej kryeveprave të tij. Këtu ua zëvendësoi kolonat zanore këtyre filmave, i rivuri në qarkullim dhe mori pronësinë e të drejtat e autorit të të gjithë filmave të tij.
Në fund të viteve pati ’60 një goditje të lehtë në tru. Kjo ia ngadalësoi disi ritmet e punës dhe të jetës, por nuk ia ndërpreu ato.
Më 1972, pas 20 vitesh, u kthye në SHBA, ku do të merrte Oskarin e dytë të nderit (të parin e kishte marrë më 1929), me motivacionin “ndikimi i pamasë që ka pasur ai në filmat dhe në formën e artit të këtij shekulli”. Publiku e priti me 12 minuta ovacion i ngritur në këmbë, çka thyente rekordet historike të ovacioneve. Chaplini foli me lotë në sy, i mallëngjyer dhe i mrekulluar. Ne e pamë regjistrimin e këtij momenti në video disa herë gjatë vizitës sonë në “Chaplin’s World” dhe ishim të rrëmbyer për të qëndruar aty e për ta parë edhe kushedi sa herë të tjera. Më 1973 mori çmimin Oskar për kolonën zanore të filmit “Limelight”. Ua kutojmë lexuesve se ai ka pasur shtatë nominime për Oskar për regji, për skenarë origjinalë e tjerë.
Më 1975, mori nga Mbretëresha Elizabetë II Urdhrin e Kalorësit. Kishte pësuar goditje të tjera në tru dhe tashmë lëvizte në karrocë invalidi. Që atëherë ai do të jetë Sir Charlie Chaplin. Për këtë urdhër ishte propozuar më 1956, por për shkak të qëndrimeve të tij politike, nuk i ishte miratuar. Më 1952, ia jepte Italia një çmim të tillë, ndërsa më 1971 ia jepte Franca. Nderimet, vlerësimet, çmimet vërshuan në të katër anët e botës. Shumë prej tyre vizitori mund t’i vështrojë në origjinal.
Në origjinal mund t’i vizitojë skenat më të famshme të filmave të tij kryevepra të cilat gjenden në kompleksin e studiove të “Chaplin’s World”. Janë mjedise prej të cilave vizitorit nuk i bëhet të largohet. Janë hipnotizuese. Ndërsa kinemaja në hyrje të kompleksit transmeton vazhdimisht filma të tij. Teksa i shikon të duket sikur peronazhet e filmit, Sharloti me të tjerë do të dalin nga sheshi i xhirimit dhe do të vijnë në radhët e spektatorëve.
Gjeniu i madh u nda nga jeta më Ditën e Krishtlindjeve të 25 dhjetorit 1977. Pasditën e vigjiljes së festës, ai e kishte porositur të shoqen, Onen, ta linte hapur derën e shtëpisë, në mënyrë që të hynin tingujt e festës. Në orën 4.00 të mëngjesit, teksa ishte në gjumë, ai dhe frymën e fundit të kësaj jete dhe nisi frymën e parë të përjetësisë.
Varrimi u bë në mënyrë private në varrezat e Coursier-sur- Vevey. Vërshuan vlerësimet nga personalitetet më të mëdha botërore. Regjisori i madh René Clair shkroi: “Ai ishte monument i kinemasë, i të gjitha vendeve dhe i të gjitha kohërave.”
Fotot Peter Kenny
Të dehur me verën dhe peisazhin nga Hotel Leman
© Peter Kenny
Në Hôtel du Léman
Caku i tretë dhe i fundit i këtij udhëtimi është Hôtel du Léman, në Vevey – Montreux Riviera (Rivierën e Montrësë) vazhdim i Rivierës Zvicerane.
Është një bukuri mahnitëse e natyrës. Poshtë nesh krejt i gjelbër është Liqeni i Lemanit. Përballë nesh, krejtësisht të bardha, Alpet Zvicerane. Mes tyre, hapësira me ajër krejtësisht të lehtë, krejtësisht të kthjellët dhe krejtësisht të kulluar.
Nga presin dy zonja: Tiffany Duc, e komunikimit me mediat, dhe Lusi Wüthrich, koordinatore projekti. Hôtel du Léman është një nga përkryerjet e raporteve mes njeriut dhe e natyrës, një histori e bukur e harmonisë mes veprës së njeriut dhe veprës së natyrës.
Zonjat na tregojnë se, në shekullin e 18-të një manastir i quajtur Saint-Laurent. Vizitorët ende mund të admirojnë qemerët dhe muret shumë të trasha të manastirit në Carnotzet. Më pas, historia është paksa e errët, por dihet se ishte një familje e ardhur nga Kanadaja që e bleu pronën në liqenin e Gjenevës rreth vitit 1920. Pronarja tjetër ishte zonja la Comtesse de Schneour. Më në fund, në vitin 1930, zonja ua shiti të gjithë pronën prej rreth 51 000 m2 kooperativave të konsumit (aktualisht Coop Suisse). Më 1965, Hôtel du Léman ndërmori zgjerimin, modernizimin e kuzhinës dhe dhomës së ngrënies, si dhe ndryshimin e funksionit të Villa Praz Verdan si një vartësi e Hotelit. Kompleksi mund të strehojë rreth njëqind klientë dhe të qëndrojë i hapur për publikun.
Gjatë verës, turistë nga e gjithë bota vijnë në Jongny për pushime me afate të ndryshme kohore. Nga vjeshta në pranverë, në Qendrën e Trajnimit Coop organizohen kurse, të destinuara si për punonjësit e tyre ashtu edhe për ata të organizatave private. Përballë kërkesës vazhdimisht në rritje nga kjo e fundit, Qendra duhej të modernizohej dhe zgjerohej edhe një herë. Në fund të viteve 1990, Villa Praz Verdan iu nënshtrua rinovimeve të mëdha. Aktualisht, një pjesë e ambienteve të saj janë marrë me qira nga Bâloise Assurances dhe Allianz Assurances, të cilët kanë krijuar qendrën e tyre të trajnimit atje. Në vitin 2011, për t’i dhënë një drejtim më të madh industrisë së hotelierisë dhe restoranteve, menaxhmenti vendosi të riemërtojë kompleksin “Hôtel du Léman and Seminar Center”.
Në prag të largimit, ne duam të bëjmë foto. Nuk dimë cilin kënd magjepsës të zgjedhim më parë që ta kemi për sfond të këtij udhëtimi kaq mrekullues e mbresëlënës.