Mbushet 1 vit nga ndarja nga jeta e inxhinierit dhe gjeologut, personalitetit të shquar të inteligjencës së naftës shqiptare, z. Nuredin Skrapari. Kontributi i tij mbresëlënës në kërkimin dhe zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës, u ndërlidh tragjikisht me dramën e tij njerëzore, i arrestuar dhe i dënuar politik nga regjimi komunist, në vitin 1974. Nuredin Skrapari u lind në fshatin Bubullimë të rrethit të Lushnjes, në maj 1944 dhe kreu shkollën e mesme (“Teknikumi i Naftës”), në degën “Gjeologji”. Në vitet 1962 – ‘64 u punësua në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Kuçovë, me grupet e rilevimit për zbulimin e vend-burimeve të naftës dhe gazit.
Në vitin 1969, ai mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Gjeologji-Miniera, me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar “Inxhinier Gjeolog”, për të punuar menjëherë pas diplomimit në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe Gazit në Kuçovë dhe më pas në Fier, me grupet e studimit gjeologjik, deri më 15 mars 1974, ditën kur u arrestua. Nuredin Skrapari është bashkë autor i përgatitjes së hartave gjeologjike dhe projektimit të puseve të thella të naftës, në Skrapar, Finiq (Sarandë), Delvinë, Cakran (Fier) etj.
Punës së tij voluminoze dhe cilësore në dobi të zbulimit të vend-burimeve të reja të naftës, regjimi komunist i dha fund, duke e arrestuar dhe dënuar, më 10 maj 1974, në gjyqin e zhvilluar në Kuçovë, me 10 vjet burgim, për agjitacion dhe propagandë dhe thyerjen e portretit të diktatorit. Nuredini e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Më 22 shkurt 1979, u arrestua për herë të tretë dhe u ridënua me 18 vjet burg, me motivacionin “Pjesëmarrje në organizatë kundërrevolucionare e revizioniste, për përmbysjen e pushtetit popullor”.
Në maj të vitit 1984, Nuredini u transferua në burgun e Qafë-Barit, ku luajti një rol të rëndësishëm në revoltën e njohur të të burgosurve politikë të këtij burgu. Revolta u shtyp me terror dhe i dënuari Nuredin Skrapari, u torturua barbarisht dhe pas spitalit-burg, u dërgua të vuante dënimin në burgun e Burrelit. Me këtë shkrim-homazh, duke u përkulur me respekt përpara kujtimit dhe kontributit të tij, kam nderin të jap disa konsiderata për veprën e tij studimore: “Tragjedia e inteligjencës së naftës”.
Shumëkush mund të ketë lexuar për “grupet armiqësore sabotuese në ekonomi” gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Por libri i Nuredin Skraparit, me titull “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, shkëlqen për nga vërtetësia, faktet e shumta, nxjerrjen lakuriq të regjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së ajkës së shkencëtarëve e specialistëve shqiptarë, që bënë të mundur zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës në Shqipëri.
Ishte kontributi i tyre që shpimi i puseve dhe prodhimi i naftës mori një trajektore rritëse, në vitet 1968-1972, për të arritur në shifrën rekord prej 2.5 milion tonë naftë. të prodhuar në vitin 1976. Bazuar në çmimet e bursave ndërkombëtare të kohës, kjo sasi nafte. ishte e barabartë me vlerën e një çerek miliard dollarë. Por diktatura nuk njihte kushtin teknik të shpimeve të pa efektshme. në morinë e puseve të hapura.
Ndërsa në SHBA-ës, pranoheshin rreth 50 mijë puse të hapura shterpë në vit, për disa dhjetëra të tillë të hapur në Shqipëri, diktatura ngrinte akuzat për sabotim dhe vepër të agjenturave të huaja. Pastaj, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, sajonin me një zell të jashtëzakonshëm spiunë, agjentë e sabotatorë, mes njerëzve më punëtorë e atdhetarë që ka njohur historia e Shqipërisë, në vitet 1945-1990.
Botimi “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, libër i ndarë në pjesëza të vogla me nëntituj interesantë, siç dinë të shkruajnë inxhinieret, përshkruan me një vërtetësi rrëqethëse ngjarje e fakte mbi tragjedinë e inteligjencies së naftës, nga vitet 1946, deri në vitin 1991. Autori i librit, nuk ishte më shumë se 32 vjeç, kur u arrestua publikisht me akuzën absurde: sabotator. Shkencëtari Koço Plaku, i akuzuar si kreu i grupit, në një nga seancat, i drejtohet hetuesit: “Po këta të dy, Nuredin Skraparin dhe Kadri Ramën, pse i keni arrestuar?! Janë djem të zgjuar dhe specialistë të zotë në fushat e zbulimit dhe kërkimit të naftës. I nxirrni këta nga burgu…”!
Kjo lë të nënkuptohet se sa premtonin ky specialist gjeolog i ri dhe shoku i tij vlonjat dhe se çfarë kërdie po bënte diktatura komuniste me marrëzitë e saj në radhët e inteligjencës së sprovuar dhe me eksperiencë të naftës shqiptare dhe të asaj të re që po lindte. Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që realisht përbënte një gjenocid ndaj inteligjencës së naftes, fillon me dënimin e dijetarit, gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber në vitin 1947.
Profesori polak, Zuber, la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë, të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos, në vitin 1942, ai arriti të nxjerrë naftë industrial, në zonat ranore. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, ai do të arrestohet si agjent i italianëve dhe do të lihet të vdesë në burg nga shkelmat e gardianit, në mënyrën më shtazarake.
Sidoqoftë, me hartat dhe studimet e tij të shumta, u vazhdua puna në gjeologji, duke u zbuluar vend-burime mineralesh e hidrokarburesh, madje edhe vend-burime të ujit të pijshëm. Në këtë kohë (viti 1947), dënohet grupi i parë i inteligjencës së naftës, me personalitete si; Profesor Zuber dhe inxhinieret Riza Alizoti, Thoma Pojani, etj.(për më tepër, për Prof. Zuber, Nuredin Skrapari dhe autori i këtij shkrimi homazh, rekomandojmë të lexohet libri i Prof. Arqile Tetës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së profesorit të shquar polak).
Pas largimit të specialistëve rusë, në vitin 1961, gjeologët shqiptarë arritën të zbulojnë tre vend-burime të reja në Visokë; Patos më 1963, Ballsh 1964, Gorisht më 1967. Sipas Nuredin Skraparit, autori i këtyre zbulimeve me vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, ishte Koço Plaku, i mbështetur nga kolegët e tij; Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Akademik Teki Biçoku, Kadri Rama, Nuredin Skrapari, Thanas Nasto, Niko Goxhobashi, etj.(shih faqet 77-78 në libër), të gjithë të arrestuar e dënuar si sabotatorë, pas vitit 1974.
Pas prishjes me kinezët, ekonomia shqiptare përfundimisht filloi të merrte të tatëpjetën. Qeveria dogmatike nxori teorinë shkatërruese, të mbështetjes në forcat e veta, pa ndihmë nga jashtë. Në vijim të bunkerizmit të Shqipërisë, prodhimi i naftës që filloi të quhet “ari i zi” u bë jetik për ekonominë shqiptare. Kërkuesit e naftës dhe punonjësit e Institutit të Kërkimit të Naftës, u vunë para një trysnie të pazakontë: Me çdo kusht të zbulohen vend-burime të reja! Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, nxori dhe një vendim të posaçëm lidhur me rezervat e saj. Por nafta, nuk mund të nxirrej me vendime partiake.
Në vitin 1970, prodhimi i naftës po shkonte në rreth 2 milionë tonë. Enver Hoxha, ulërinte në mbledhjen e Byrosë Politike: “Duam naftë”! Lidhur me këtë, inxhinieri Nuredin Skrapari shprehet: “Diktatori Enver Hoxha, aty nga fillimi i marsit 1975, priti në një takim prej 10 minutash, drejtuesit kryesore të naftës, Lipe Nashin, Drejtor i Përgjithshëm i Naftës, gjeologun Beqir Alia, në detyrën e Drejtorit të Institutit të Naftës, gjeologet Protoko Murati, Milto Gjikopulli (shefa sektori), gjeologun Koço Plaku, si shef i kabinetit të përgjithësimeve, i projektimit të puseve të thellë – (fq. 32 në libër, fragmenti i fundit)”…Enver Hoxha ishte mosbesues ndaj nesh dhe Lipja këtë e kuptoi, kur ai nëpër dhëmbë kishte mërmëritur dy fjalë shokuese, siç i kishte zbërthyer Lipja: “O planin, o xhanin”!
Byroja Politike nxori në atë kohë thënien famëkeqe, se: “Shqipëria lundron në naftë, por nuk kemi specialistë ta zbulojnë”. Ekonomia kërkonte naftë dhe prishja e marrëdhënieve me Kinën e rëndonte më shumë problemin. Atëherë, Enver Hoxha ri-shpiku ekzistencën e grupeve armiqësore në naftë dhe, si ndodhi në vitin 1947, “zbuloi” grupin e dytë armiqësor në naftë. Në librin e tij, Nuredin Skrapari shkruan: “Në datën 15 mars 1974, unë Nuredin Skrapari, u arrestova në mënyrë publike.
Jeta ime u përmbys plotësisht. Më 25 mars 1975, arrestohen Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Koço Plaku. Katër muaj më parë, më 29 nëntor 1974, Lipe Nashi dhe Koço Plaku, kishin marrë titullin: ‘Hero i Punës Socialiste’. Kjo gjueti vazhdoi me arrestimin e dhjetëra specialistëve të tjerë, nga më të mirët dhe të aftët, në nxjerrjen e naftës. Numri i kaloi 80 personat”.
Absurdi i gjyqit arriti kulmin, kur Prokurorja dhe Kryetarja e trupit gjykues, do të deklaronte: “Vend-burimet e naftës nuk i keni zbuluar ju armiq dhe sabotatorë, por partia dhe shoku Enver”. E gjitha kjo i ngjante një gjyqi të inkuizicionit mesjetar, me Prokurorë të vërtetë Haki Toskën dhe Kryetar real të trupit gjykues, Adil Çarçanin.
Filloi një kalvar i gjatë vuajtjesh, për të gjithë ata shkencëtarë-heronj, që ishin krenaria e inteligjencës shqiptare, me punën e bërë në zbulimin e vend-burimeve të reja, deri në atë kohë. Akuzat ishin të rënda; “agjentë të shërbimeve të huaja, që qëllimisht sabotonin ekonominë shqiptare, për të dështuar ndërtimin e shoqërisë socialiste në Shqipëri”. Thjesht, pa fjalë të tepërta, qetësisht, pa urrejtje, gjeologu i shquar Nuredin Skrapari, tregon torturat në hetuesi, për të pranuar se ishin grup i strukturua, në shërbim të agjenturave të huaja.
Autori i librit tregon, se duke qenë më i riu, mbi të u ushtrua trysni e madhe për ta thyer, që të pranonte akuzat dhe të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Ai tregon: “U kërkua të pranonim akuzën si sabotatorë. Isha 10 vjet më i vogël se shefat e mi. Më bënë një ofertë: Je i ri. Mendo për familjen. Nuk do të bësh më shumë se katër vjet, nëse bashkëpunon me ne”.
Nuredin Skrapari nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor. Fisnik nga shpirti dhe me karakter te paepur, ai pranoi më mirë, një jetë të zezë me faqe të bardhë, sesa të fundoste kolegët e tij. I lodhur nga torturat e vazhdueshme në hetuesi, ai do të pohojë në libër: “Më në fund firmosa ridënimin tim. E shkretuara jetë sa e shtrenjtë paska qenë edhe në vrimën e miut ku kisha përfunduar, më dukej e dhimbsur! Isha vetëm 32 vjeç” shih faqet 32-34 në libër).
Kjo i kushtoi 16 vjet e gjysmë burg, me punë të detyruar në minierat e Spaçit e të Qafë-Barit. Për drejtuesin dhe udhërrëfyesin e tij në kontributin për naftën shqiptare, shkencëtarin e njohur, Koço Plaku, me adhurim për qëndrimin e tij burrëror në hetuesi dhe në gjyq, Nuredin Skrapari shkruan në libër: “Koço Plakut, kur i kërkonin në hetuesi të pranonte se ishte agjent i KGB-së, pohoi: Tani radhën e kam unë. Pastaj vijoi me zë të ulët: Do të doja që atdheu të na donte, ashtu sikur e deshëm ne”!
Kërdinë me intelektualët e naftës, e stigmatizon vetë Nuredin Skrapari, kur shprehet: “Ata hapën një lumë me naftë, Enver Hoxha hapi një përrua me gjakun e tyre” (po aty, shih faqet 32-34 ne libër). Me tej, autori i librit vazhdon: “Koço Plaku u përgjua në hetuesi. Në fund të monologut të tij, ishte regjistruar: Enver Hoxha e mbushi Shqipërinë me varre…”! Grupet armiqësore në naftë dhe fusha të tjera të ekonomisë, do të vazhdonin. Për ironi të fatit, në vitin 1977, arrestohen ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, si sabotatorë dhe dënohen me vdekje e burgim të gjatë.
Makineria e diktaturës, vazhdoi të hante bijtë e vet. Më 1986-ën, u arrestua grupi i tretë armiqësor, ku përfshiheshin; Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Arapi, Petrit Sadushi dhe Luan Këlliçi, të gjithë me grada shkencore. Ishte e trishtueshme të mendojë se ndonjë nga këta, kishte shërbyer dhe si dëshmitar kundër shokëve të vet në gjyqin e vitit 1974. Fisniku fal. Nuredin Skrapari i përmend telegrafisht dhe i fal specialistët e naftës, ata që dëshmuan kundër tij dhe gjeneratës së intelektualëve të viteve ’70-të.
Gjuha e tij në libër, si dhe në jetën e bardhë që bëri, nuk kishte asnjëherë tone urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Si një intelektual i vërtetë, që e do dhe i dhimbset Atdheu, libri i z. Skrapari “Tragjedia e inteligjencës së naftës” përfundon me shqetësimin dhe bindjen e tij, se në Shqipëri ka naftë dhe kjo mund të zbulohet. Në libër ai konstaton se prodhimi i naftës, vijoi të binte me shpejtësi.
Autori i librit shkruan: “Në vitin 1991, prodhimi i naftës ra në 900.000 ton, ndërsa në vitin 1976, ishte viti i prodhimit më të lartë, me 2.5 milionë ton naftë”. Porosia e tij, si një amanet i lënë nga ata që s’janë më dhe për ata që do të vijnë, është: “Në Shqipëri, ka ende vend-burime nafte të pazbuluara, që presin mendjen, aftësinë dhe intuitën e gjeologëve të kualifikuar shqiptarë, për t’u zbuluar. Qeverive iu bëj thirrje. për ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, Mineraleve etj.”.
Kështu e përfundon inxhinier gjeolog, Nuredin Skrapari, librin e tij prej 120 faqesh: “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Migeeralb”, në vitin 2016, të cilin ne si Kontrolli i Lartë i Shtetit e promovuam rreth një vit e gjysmë më parë, së bashku me autorin dhe vëllain e tij të vuajtjeve e të profesionit, z. Kadri Rama. Është një tezë që përkon plotësisht edhe me rekomandimet që si KLSH, që nga viti 2014, i kemi adresuar qeverisë shqiptare, për ri-ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, si një domosdoshmëri për gjetjen e vend-burimeve të reja, por edhe një administrim më të mirë të burimeve ekzistuese.
Me një forcë pene të veçantë, autori shprehet: “Kështu e ‘shpërbleu’ diktatori Hoxha, trurin e inteligjencës së naftës. Shpata e përgjakur e Enver Hoxhës, u ka marrë jetën shumë gjeologëve. Përbindëshi mori jetë intelektualësh rezultativë, të cilët mund të them se kanë hyrë në hierarkinë e kontributit të vlerave dhe të rezultatit, që bashkë me naftëtarët dhe minatorët, mbajtën mbi supe mbijetesën e shqiptarëve në atë izolim ogurzi. Nga mjeshtrit e kërkimit të naftës, ne më të rinjtë, u jemi mirënjohës që duke punuar përkrah tyre, morëm një dhuratë të madhe, përfituam një eksperiencë të papërsëritshme, shprehitë praktike dhe aftësinë e abstragimit”.
“Sabotatorët”, ishin një grup gjeologësh kërkues nafte atdhedashës, të cilët zbuluan vend-burime të mëdha nafte, por me përfitime kolosale që përvetësoheshin nga shteti i diktaturës. Ato konvertoheshin në përfitimin e një shtëpie, rroge mesatare dhe shkollimin e fëmijëve. Gëzimi i jashtëzakonshëm që sillte zbulimi i vend-burimit, na shtonte pasurinë shpirtërore, ishin ngjarje të jashtëzakonshme, përveçse konfirmonin saktësinë e dijeve tona profesionale, ndërsa shtetarët e kthenin në vend pelegrinazhi dhe e vlerësonin rezultat i “punës kolosale të partisë”.
Vija “e kristaltë” e partisë edhe në ekonomi, dështoi, veçanërisht pas rrafshimit të inteligjencës së naftës, madje edhe brezin e dytë. Mizoria e tij nuk arriti të shfarosë përvojën rezultative të arritur me aq mund e sakrificë nga gjeologët shqiptarë, për 45 vjet me radhë, e fituar nëpërmjet një kostoje të kripur, e cila do të sjellë përfitime të mëdha dhe për kohën e sotme.
Marrëzia e Enver Hoxhës ndaj inteligjencës së naftës, nga Stanisllav Zuber në 1947, deri tek Koço Plaku, në vitin 1976 (viti i pushkatimit), e më pas tek të ndëshkuarit e tjerë, buronin nga paniku që i shkaktonin atij varësia prej nesh, zotërues të shkencës së naftës që, në dukje, kishim në dorë rubinetet e naftës, pushtetin ekonomik, por ai kishte jetën tonë.
Akuza, nga ana racionale, ishte e paargumentuar, por e motivuar prej smirës dhe mërisë së tij ndaj nesh. Ai dhe besnikët e tij të paaftë, i trembeshin madhështisë së arrirë në sajë të aftësisë sonë, që buronte nga përkushtimi në fushën e kërkimit të naftës, ku kishin shfaqur aftësi të veçanta”! (Fq. 95-96 të librit). Vepra “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës” e z. Skrapari, sa informuese dhe shkencore, është po ashtu po aq politike dhe me vlera të spikatura historike, e vlefshme të lexohet nga të gjithë, sidomos nga brezi i ri.
Gjeologu dhe inxhinieri i talentuar Nuredin Skrapari, zgjodhi një jetë të zezë (të nxirë nga diktatura), me faqe të bardhë, se sa një jetë të bardhë, me faqe të zezë, sikurse do të shprehej poeti i pushkatuar, Vilson Blloshmi. Në cilësinë e Kryetarit të KLSH, i kam përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kërkesën për akordimin e Urdhrit “Nderi i Kombit” intelektualit të shquar Nuredin Skrapari, pas vdekjes.
Shpreh bindjen se Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, do të mundësojë në një të ardhme të afërt akordimin e këtij vlerësimi të lartë, për një nga përfaqësuesit më fisnikë dhe domethënës të plejadës së intelektualëve të naftës shqiptare, të rinj e të vjetër, të zotë, punëtorë të palodhur dhe patriotë të mëdhenj .Nga Ing. Nafte, Bujar Leskaj Memorie.al