(Më 10 Mars 1799, Napoleon Buonaparti masakroi 4000 jeniçerë shqiptarë që iu dorëzuan në Besë.)
Kjo nuk është masakër si të tjerat më parë,
Këtu Napi bëri “dasëm” me 4 mijë shqiptarë.
Kur dëgjoi se po i sillnin 4 mijë robër,
U bë si i xhindosur, i iku mëndj’e kokës.
“Ç’janë këta njerëz që më sillni të gjallë?
Me çfarë t’i ushqej, a menduat vallë?”
Dhe i dënoi të vetët që treguan mëshirë,
Se kjo lloj mëshire s’ishte gjë e mirë.
I vendosur t’i hiqte qafe sa më shpejt,
(Sado që Kleberi i tha: “S’ke të drejtë”)
Urdhëroi të rrethohen robërit e uritur,
Të çoheshin të lidhur tek një vend pak i ngritur.
Pasi turma u nis drejt kodrës në marshim,
Boni shkoi vetë të bënte inspektim.
U duk se ktheu mëndje, sikur hoqi dorë,
Se do ishte më mirë të mos bëhej mizor.
Mes turmës së lodhur me pluhur mbuluar,
Bonit i zë syri një jeniçer të moshuar.
Me nënqeshje fodulle dhe vështrim dinak,
“Po ti, i thotë, ç’do këtu mor’ plak?!”
I kthehet jeniçeri pa iu dridhur qerpiku,
Pa dashur t’ia dijë cili është armiku:
“Këtë pyetje, zotëri, nuk e prisja nga ju,
Po përgjiem duke pyetur: Po ti, ç’do këtu?
Dhe unë si zotrote, kam ardhur tek ky vënd,
Ti shërbej sulltanit, si ti sulltanit tënd.”
Një burrëri e tillë ngriti zemrat peshë,
Të gjithë ndalën frymën dhe po mbanin vesh.
Shiko! Dhe vetë Napit i qesh buza, të vrarit,
Duket i pëlqeu përgjigja e shqiptarit.
Kjo, pëshpëritën disa, është shenjë e mirë,
Por ishin gabuar, nuk ishte e tillë.
Jeta s’iu kursye as këtij trimi të ndjerë,
Që e ndau fatin me vëllezërit e tjerë.
Napo trimi u largua para se të fillonte,
Dhe nga largësia shfaqjen po shikonte.
Sinjali u dha, mushqetat s’kanë të pushuar,
Mbi trupat e pambrojtur të shqiptarëve të dorëzuar.
Napi ndiqte shfaqjen si teatër, me dylbi,
“Bravo!” brohoriti kur s’mbet në këmbë njeri.
Ushtarët e tij “humanë” dhe “kreshnikë”,
Kë gjetën të plagosur, e shkuan në thikë.
Ktheu në shqip: Beqir Skreli
Jeniçerët shqiptarë që ishin në mbrojtje të Jaffas (sot pjesë e Tel-Avivit, Izrael), në atë kohë nën Perandorinë Osmane, iu dorëzuan në besë të dërguarve të Gjeneral Buonapartit me kusht që t’iu falej jeta. Përndryshe ishin gati të luftonin deri në vdekje.
Me justifikimin se nuk kishte me çfarë t’i ushqente, Napoleoni i cili nuk ishte bërë akoma perandor, megjithë kundërshtimin e general Kleber, i masakroi shqiptarët deri tek i fundit. Historianët kanë provuar më vonë se pretendimi i Napoleonit ishte i rremë.
John Ashton
1888