Në vitet e fundit vërehet një sjellje e pahijshme ndaj Bullgarisë nga ana e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama. Kryeministri i shtetit shqiptar disa herë ka hedhur akuza të pabazuara kundër Bullgarisë se gjoja ky shtet e penguaka Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, duke përdorur edhe një gjuhë jodiplomatike (rasti i fundit ishte para disa ditësh në 17 shkurt 2024 në Mynih)! Sa i përket eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë duhet të dimë disa fakte të pamohueshme:
1) Bullgaria i mbështet kërkesat e komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e këtij komuniteti në kushtetutën e vendit dhe për garantimin e të gjitha të drejtave të bullgarëve, përfshirë edhe identitetin bullgar, sipas akteve normative të shtetit maqedonas. Bullgaria dhe bullgarët vendës nuk kërkojnë ndryshimin e modelit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, thjesht kërkojnë të drejta të barabarta me komunitetet e tjera në këtë shtet. Këto kërkesa të bullgarëve të Maqedonisë së Veriut, mbështetura edhe nga Bullgaria, janë pranuar nga institucionet e BE-së, nga të gjitha vendet anëtare, por edhe nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut që kanë nënshkruar dokumentet relevante. Prandaj, është e çuditshme që kryeministri i Shqipërisë nuk ka mirëkuptim për qëndrimin bullgar, kur dihet me çfarë përkushtimi i mbron të drejtat e pasardhësve të komunitetit çam ose ato të shqiptarëve të Luginës së Preshevës;
2) Autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut më shumë se 30 vjet refuzojnë të heqin dorë nga doktrina e tyre raciste, nga gjuha e urrejtes, nga falsifikimet, nga shkatërrimi i trashëgimisë kulturore bullgare, nga diskriminimi i bullgarëve etj. Edhe pas nënshkrimit të Traktatit të miqësisë me Bullgarinë në vitin 2017, dhe sidomos pas hyrjes së Maqedonisë së Veriut në NATO, autoritetet në Shkup nuk realizuan asnjë prej obligimeve të tyre, por të kundërtën – kanë filluar fushata edhe më agresive antibullgare. Nëse z. Rama ndërhyn në marrëdhëniet bullgaro-maqedone dhe sillet si lider me përmasa rajonale dhe globale, atëherë le t’i dënojë edhe doktrinat raciste serbo-maqedone kundër bullgarëve dhe shqiptarëve;
3) Fillimi i negociatave me një shtet nuk garanton automatikisht reformimin e tij, në këtë rast nuk e garanton fare mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut – shihni, Ju lutem, shembullin e Serbisë që 10 vite negocion me BE, por nuk ka hequr dorë fare nga politika serbomadhe – bën spastrim etnik në Luginën e Preshevës dhe rrezikon integritetin territorial të Kosovës, të Bosnjës, të Malit të Zi. Madje edhe anëtarësimi i një shteti në BE nuk e garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut – shihni shembullin e hidhur me të drejtat e komunitetit çam në Greqi. Për këto arsye të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet të garantohen para fillimit të negociatave;
4) Në këtë situatë, kur mungojnë garancitë dhe autoritetet në Shkup nuk heqin dorë nga avazi jugosllav, Bullgaria i përdor instrumenet legjitime në nivel të BE-së për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Se këto veprime të Bullgarisë janë legjitime mund të shihet nga aktet e institucioneve të Unionit Europian në lidhje me kandidaturën e këtij shteti për anëtarësim (shih p.sh. Rezoluta e Parlamentit Evropian të datës 19 maj 2022). Mund të rikujtojmë se shqiptarët në këtë shtet në vitin 2001 e kanë përdorur armën për mbrojtjen e të drejtave të tyre, kur ato shtypeshin në mënyrë brutale;
5) Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një kontest dypalësh dhe për “përplasje nacionalizmash”, si thotë z. Rama, por për vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian, sepse Kriteret e Kopenhagenit tregojnë qartë se të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e komuniteteve joshumicë janë ndër kushtet kryesore për procesin eurointegrues. Bullgarët në Maqedoninë e Veriut diskriminohen, përndiqen nga gjykatat, rrihen, klubet e tyre sulmohen.
6) Republika e Maqedonisë së Veriut vetëbllokohet tashmë një vit e gjysmë, sepse kuvendi i këtij shteti e votoi ashtuquajturin Propozim Francez (pra, kushtet e BE-së për fillimin e negociatave), me të cilin shteti maqedonas u detyrua që ta përfshijë komunitetin bullgar në Kushtetutën e tij. Në momentin, kur do të ndryshohet Kushtetuta dhe të drejtat e komunitetit bullgarë do të garantohen, Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i fillojë automatikisht negociatat për anëtarësim në BE (shih pikë 39 nga Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 12 dhjetor 2023 – Ka kaluar një vit e gjysmë, por ndryshimet e Kushtetutës nuk votohen. Bullgaria nuk ka asnjë faj për këtë vetëbllokim dhe do të ishte mirë kryeministri i Shqipërisë t’i bindë politikanët në Shkup, duke e përdorur peshën e tij politike;
7) Kur z. Rama akuzon Bullgarinë për “bllokimin” e Shqipërisë për shkak të Maqedonisë së Veriut, duhet të dimë se askund në aktet normative të Bashkimit Evropian nuk ka kusht ose detyrim që dy ose më shumë shtete të jenë së bashku në rrugën drejt BE-së. Nëse nuk më besoni mua, Ju lutem, shihni intervistën me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut në lidhje me këtë çështje: https://lajmpress.org/osmani-askund-nuk-shkruan-se-shqiperia-duhet-ta-pres-rmv-ne-video/
8) Në këtë kontekst, Bullgaria nuk ka asnjë faj për strategjinë e gabuar të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, i cili zgjodhi paketimin krejt artificial me Maqedoninë e Veriut, kur edhe liderët e këtij shteti ishin kundër rrugës së përbashkët me Shqipërinë.
9) Është krejt e pakuptimshme që të akuzosh Bullgarinë për “bllokim” të Shqipërisë, kur në dhjetor 2023 Shqipëria u bllokua nga Greqia për shkak të “çështjes Beleri”. Pse atëherë z. Rama nuk e “sulmon” Athinën zyrtare? Sepse e di shumë mirë se Greqia do të reagojë në mënyrë të ashpër në një rast të tillë, derisa liderët bullgarë gjithmonë sillen me respekt ndaj popullit shqiptar. Z. Rama e keqpërdor këtë dashamirësi, por ndërkohë tregon se ai, si kryeministër i Shqipërisë, nuk i ka kapacitetet që t’i zgjidhë problemet reale të Shqipërisë në plan ndërkombëtar dhe bën përpjekje të kota me akuza false ta mbulojë paaftësinë e tij;
10) Bullgaria e ka mbështetur dhe e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe jo vetëm, por kryeministri aktual i Shqipërisë i ka refuzuar të gjitha nismat bullgare për përforcimin e bashkëpunimit rajonal. A Ju bën përshtypje mungesa e kryeministrit Edi Rama nga disa samite në Sofje gjatë viteve të fundit? Ju siguroj se nuk është për shkak të mungesës së ftesës bullgare;
11) Z. Rama ka një “strategji interesante” që t’i “fshehë” dështimet e tij në politikën e jashtme. Kur në qershor 2022 ai i vërsulej Bullgarisë, këto veprime kishin për qëllim që të “mbulohet” dështimi i tij në mbrojtjen e interesave esenciale të Shqipërisë, sepse më 18 korrik 2022 u publikua korniza negociuese për Shqipërinë dhe u bë qartë se Greqia i ka përfshirë të gjitha kërkesat e saj ekspansioniste ndaj shtetit dhe shoqërisë shqiptare – pretendimet për kufijtë, për minoritetin grek e kështu me radhë;
12) Bullgaria nuk ka asnjë faj që z. Rama e ka lidhur Shqipërinë me projektet serbomadhe në Ballkan (“Ballkani i hapur” dhe jo vetëm) dhe tani në panik kërkon rrugëdalje, por nuk e bën në mënyrën e duhur dhe mllefi antibullgar nuk e ndihmon dot. Pse kryeministri i Shqipërisë nuk ka qenë në Bruksel dhe në disa kryeqytete të rëndësishme evropiane që të kërkojë vendim të drejtë për vendin e tij gjatë këtyre viteve, por tërë kohën solidarizohet me Shkupin (ku nuk dëshirojnë të ndjekin vlerat evropiane për të drejtat e njeriut) dhe me Beogradin (ku qeverisja serbe me politikën e saj proruse është në konflikt të hapur me BE-në)? Pse kryeministri i Shqipërisë e pastroi fytyrën e Vuçiqit (bashkëpuntorit të Millosheviqit) në plan ndërkombëtar duke e legjitimuar si “partner i besueshëm”, me të cilin mund të “kërkohet zgjidhje” për problemet rajonale? Është për keqardhje ta shikosh kryeministrin e Shqipërisë si një “avokat” i politikës serbe në rajon.
Edi Rama qeveris Shqipërinë gati 11 vjet dhe i ka në dorë të gjitha instrumentet institucionale për formimin e politikës së jashtme të shtetit të tij.
A u përmirësua pozita gjeopolitike e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit gjatë këtyre viteve? A ka përfitime të rëndësishme për Kosovën, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shqiptarët në Mal të Zi falë punës së z. Ramës? Shpresoj se shqiptarët, përfshirë edhe votuesit e z. Ramës, do t’u japin përgjigje të sinqerta këtyre pyetjeve.
Gjithsesi, marrëdhëniet bullgaro-shqiptare do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme dhe madje edhe një kryeministër nuk mund t’i prishë. Bullgaria do të vazhdojë me mbështetjen e pakursyer ndaj shtetit të Kosovës, dhe do ta mbështesë Shqipërinë jo vetëm në rrugëtimin e saj drejt BE-së, por edhe në të gjitha nismat rajonale dhe euroatlantike, sepse shteti dhe populli bullgar kanë dobi strategjike nga përforcimi i faktorit shqiptar në rajon dhe në Evropë. Por përforcimi i një shteti varet nga kapaciteti i liderëve të tij, si edhe nga aftësitë të kuptosh cilët janë miqtë e tu.