Në Shqipëri, të paktën 1 person mbeti i vdekur dhe 8 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pasdite pak pas orës 16.00, në një kapanon në ndërtim, në zonën industriale të qytetit të Lushnjës. Mes të plagosurve është dhe deputeti socialist Bujar Çela, në pronësi të të cilit, mendohet të ketë qenë dhe kapanoni ku ka ndodhur shpërthimi.
Sipas policisë, shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një manovër e gabuar e drejtuesit të një vinçi, i cili aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë, duke provokuar dhe shpërthimin.
Personi që ka humbur jetën mësohet të ketë qenë drejtuesi i vinçit. Ndër të plagosurit, 3 janë në gjendje të rëndë, me djegie dhe plagë të ndryshme. Deputeti socialist po ashtu i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirugjikale, por mësohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.