Ishte vetëm 11 vjeçe kur pa me sy tmerrin e nënës së saj. Forcat serbe tërhoqën zvarrë atë dhe disa gra të tjera.
“Unë dhe motrat e mia nuk donim ta lejonim të shkonte… E tërhiqnim nga rrobat, por paramilitarët e morën me forcë”, thotë Flutura.
Sot 36 vjeçe, ajo shpërthen në vaj teksa kujton ditën kur e ëma iu përdhunua gjatë luftës në Kosovë, më 1999.
“Dua gra të bukura”, ishin fjalët e ushtarit serb, që thotë se i ushtojnë ende në vesh.
Bashkë me rreth 100 persona të tjerë – kryesisht gra e fëmijë – ajo me nënën dhe motrat po strehoheshin në një shtëpi të madhe, për t’u mbrojtur nga sulmet.
Ishte një lloj taktike e luftës e ushtrisë serbe që burrat t’i ndanin nga gratë. Nuk e kujton saktësisht se sa qëndruan të sigurta në atë shtëpi, por thotë se “shumë shpejt” e bastisën.
Thirrjet e fëmijëve përreth “mami, nënë, gjyshe…”, kur ata ndaheshin nga personat e dashur, i sillen ende në kujtesë.
“Nënën time e morën të dytën. Një grua tjetër e morën të parën… Pastaj, i morën edhe gjashtë gra të tjera”, tregon Flutura.
Për katër orë thotë se dëgjoi britmat e grave që përdhunoheshin e rriheshin vetëm pak metra jashtë shtëpisë. Atëkohë thotë se nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte.
“Tash e di. Kur erdhi pas katër orësh, nëna ishte e zhveshur, vetëm me një gjë në krah”, kujton Flutura.
Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ulur pranë i qëndron nëna. Me shikimin e ngrirë në një pikë, ajo nuk dëshiron të flasë shumë.
“Kam hequr shumë… Jam frikësuar… I kam pasur fëmijët e vegjël”, thotë 63-vjeçarja.
Ajo është vetëm një nga rreth 20.000 personat që besohet se u përdhunuan gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.
Tash e dy vjet ka edhe statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, i cili i siguron një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si shërbime shëndetësore falas.
Me ligjin në Kosovë, i miratuar nga viti 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.
E, Flutura ishte ajo që e bindi nënën e saj për të aplikuar për këtë status, pasi fillimisht bindi babain.
Ishte ajo që i tregoi babait se nëna ishte përdhunuar, por ai nuk e priti mirë.
“Më ka thënë: a e di se ku jeton, nuk dua të më thonë njerëzit që e ke gruan të dhunuar në luftë”, kujton Flutura fjalët e të atit.
Për një kohë, ajo e kishte lënë mënjanë çështjen, por vetëm fizikisht, e jo në mendje. Dhe, pastaj, bisedoi sërish me babain. Donte me çdo kusht që e ëma të merrte statusin që i takonte.
“Kundërshtimet nga babai vazhduan gjatë, më shumë se pesë muaj, derisa në fund e binda”, thotë Flutura.
Pas miratimit të tij, iu desh më pak kohë për ta bindur të ëmën që kishte mbyllur në vete kujtimin e llahtarshëm. Të dyja bashkë iu drejtuan një organizate, përmes së cilës bëhej aplikimi për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë.
Prej aty e deri te paraqitja përpara një komisioni qeveritar, që bën verifikimin e aplikuesit, Flutura nuk i ishte ndarë në asnjë moment.
“Kur nëna ka dalë para komisionit, jam lutur dhe kam thënë: o Zot, jepi fuqi që të tregohet e fortë”, rrëfen Flutura në vaj.
Dhe, përgjigjen pozitive nga komisioni e morën pas gjashtë muajsh.
“Kur i kam treguar babait se ka pasur sukses, ai ka filluar të qajë si fëmijë”. Edhe pse “shpesh hidhërohet”, ajo shprehet e sigurt se edhe ai ndjen një lloj lehtësimi sikurse nëna dhe gjithë pjesa tjetër e familjes.
Sa persona e kanë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës në Kosovë?
Nga shkurti i vitit 2018, kur nisi aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e siguruan mbi 1.600 persona.
Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të siguruara nga REL-i, në vitin 2023, statusi i tillë iu njoh 54 personave – tetë prej tyre burra, pjesa tjetër gra.
Viktimat e dhunës seksuale aplikojnë për njohje të statusit të tyre përmes disa organizatave të përzgjedhura nga Qeveria e Kosovës dhe miratimin, pastaj, e bën një komision qeveritar.
Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur përdhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore.
Ato kalojnë te komisioni, e nëse komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij.
Organizata joqeveritare, që merren me të drejtat e grave, thonë se shumë viktima hezitojnë ende të aplikojnë për statusin, nga frika e stigmatizimit, përjashtimit dhe paragjykimit.
Por, pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, viktimat nuk mundën të aplikojnë për këtë status edhe për faktin se afati për aplikim të tillë kishte skaduar më 5 shkurt të vitit 2023
Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ky afat është vazhduar deri më 15 maj, 2025.
“Zëri juaj ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet. Guximi juaj në kërkim të drejtësisë e në zbardhjen e së vërtetës është një dëshmi e shpirtit tuaj të paepur. Ne qëndrojmë me ju dhe pranë jush në ndjekjen e drejtësisë”, tha atëkohë Osmani.
Më herët, ajo kishte deklaruar se “afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale duhet të jetë i pakufizuar”.
Të njëjtën gjë e kishte kërkuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke thënë se kufizimi i tillë është në kundërshtim me konventat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Organizata si kjo e kanë kritikuar disa herë edhe punën e komisionit qeveritar , duke thënë se ajo shpesh zhargitet, por vetë komisioni ka këmbëngulur se vepron në përputhje me ligjin.
Gati njëzet e pesë vjet pas luftës, autoritetet në Kosovë dënuan vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq , u dënua në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim, ndërsa në nëntor të vitit 2022 atij iu rikonfirmua dënimi .
Flutura thotë se për nënën dhe familjen e saj, nuk ka rëndësi pensioni që siguron statusi, por “mllefi që ka hequr nëna prej vetes”.
“…sepse kur të del dikush në përkrahje, e largon pak prej trupit tënd”, thotë Flutura, e cila sot është edhe vetë nënë/ Radio Evropa e Lirë © Shkurt 2024 RFE/RL, Inc.