“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj çdo javë?”…
——
Mëngjes i zhurmshëm, kush grindet me borinë e makinës, dikush tjetër me këmbësorët e këta me njëri-tjetrin.
Në trotuare fëmijë e adoleshentë që shkojnë në shkollë.
Duke shkuar drejt periferisë, Tirana bëhet e qetë.
Më thellë e qyteti është më i heshtur, e akoma më tej heshtja merr forma varri.
Tufinë, varrezat publike.
Mëngjesi i shkurtit këtu është therës. Dajti ftoh ajrin e deri në mesditë ruan në zemrën e tij diellin.
Në çdo parcelë gjen 2-3-4 fëmijë ulur buzë bordurave të varreve e presin.
Janë fëmijët e varrezave, të padukshmit nga shoqëria, shteti, Bashkia.
I gjen cdo mëngjes pranë varreve, o gropave të hapura gati për t’u mbyllur pas pak orësh.
Kanë filluar ditën e punës ndërsa moshatarët e tyre, në qëndrën e zhurmshme, kanë nisur mësimin.
Presin me durim sa mbaron takimin me pllakën e mermerit, derisa kokën e vë drejt mbi shpatull e sheh qiellin.
“Zoti t’lehtësoftë dhimbjen, t’pastë lënë ymrin, qoftë i xhenetit”, e një lumë urimesh dëgjon të vijnë pas.
Është një djalë rreth 10 vjec, buçko me një felpë të kuqe që i mbron kokën nga i ftohti, nga ku i dalin një tufê flokêsh biond.
Mbi trup mban veshur një xhup lëkure, burrash.
I rrinte i gjatë deri te gjunjët, poshtë të cilëve dukeshin çorapet ku kishte futur tutat.
Fliste ngadalë me fjalët e një të rrituri, dhe dorën e një vogëlushi zgjatur lëmoshë.
“A do të ta pastrojë cdo ditë?”, “Më jep sa të duash”, “Bo sevap”.
Ai zë i njomë kishte marrë ngjyra të rrituri e jepte këshilla se si buqetën e luleve duhej ta hapja, t’ua prisja bishtat për të mos i vjedhur. Lulet ishin shtrenjtuar në dyqane e i merrnin mbi varre për t’i rishitur.
Në parcelën ngjitur rrinin 2-3 fëmijë të tjerë. Po ndjekin me sy një automjet që vjen nga lart. Sapo ndaloi u drejtuan tek ai.
U ulën disa metra larg e me durim presin sa takimi shpirtëror të mbarojë e të thonë;
“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj cdo javë?”…
Fëmijët e varrezave i gjen çdo ditë mes heshtjes së varreve e heshtjes së shtetit.
“A shkon në shkollë?”
“PO, POOO”, thërret buçko biond e pêr pak sekonda nuk e sheh më gjëkund.
Fëmijët e varrezave janë të padukshmit e shoqërisë, Bashkisë e institucioneve.
Nuk dihet sa janë.
Nuk dihet në janë viktima shfrytëzimi o fatkeqë të familjes?
Varret janë vendloja e tyre.
Harresa, loja e preferuar e shtetit.