Ushtria ukrainase e ka pranuar se ka sulmuar një poligon stërvitor në Hersonin e pushtuar, ku trupat ruse po përgatisnin një sulm ndaj një ure në Krinka në bregun e majtë të lumit Dnjepër. Ky ishte sulmi i dytë gjatë kësaj jave që ka lënë të vrarë dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë ruse.
Në të njëjtën kohë, Kievi ka mohuar pretendimin e ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, se forcat ruse kanë marrë nën kontroll urën ukrainase në Krinka.
“Kanë qenë të paktën tri sulme të përqendruara te trupat ruse që gjendeshin në poligonin stërvitor afër Novaja Kahovkës”, tha për Radion Evropa e Lirë më 22 shkurt, Nataliya Humenyuk, zëdhënëse e forcave mbrojtëse në jug të Ukrainës.
“Ushtria ruse po përgatitej të sulmonte Krinkën, që ata veçse pretendojnë se e kanë kapur… Sipas të dhënave paraprake, komandantët e grupit të Dnjeprit [të forcave ruse] ishin aty. Informacioni ende po verifikohet”, shtoi ajo.
Në një deklaratë të ndarë dhënë për Suspilne, Humenyuk tha se të paktën 60 ushtarë rusë ishin vrarë gjatë sulmit.
Rusia nuk ka komentuar për sulmin, për të cilin paraprakisht u raportua në kanalet ukrainase dhe nga blogerët pro-Rusisë në Telegram, të cilët thanë se ka pasur humbje të mëdha. Një video e sulmit të supozuar, ku shihen tri sulme ajrore, është publikuar në kanalet në Telegram.
Megjithatë, ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Në një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, më 20 shkurt, Shoigu tha se Krinka “është pastruar”, por ushtria ruse tha se deklarata e tij ishte “falsifikim i fakteve”.
Forcat ukrainase në nëntor të vitit 2022 kishin çliruar qytetin e Hersonit dhe pjesën tjetër të rajonit në bregun e djathtë të Dnjepërit, duke i dëbuar trupat ruse përtej lumit. Vitin e kaluar, trupat e Kievit po ashtu arritën të krijonin një urë në anën e majtë të Djepërit, që ka qenë nën sulme të vazhdueshme ruse.
Sulmi i raportuar ukrainas ndaj forcave ruse në Herson, ishte i dyti në ditët e fundit, kur një numër i madh i forcave ruse raportohet se janë vrarë.
Më 21 shkurt, BBC në gjuhën ruse raportoi se nga sulmi ukrainas në poligonin stërvitor në Donjeckun e pushtuar nga Moska, ishin vrarë të paktën 60 trupa ruse.
As Rusia e as Ukraina nuk kanë komentuar për këtë raportim.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore ukrainase, Yuriy Ihnat, tha më 22 shkurt, se që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë, Moska ka gjuajtur mbi 8.000 raketa dhe ka lëshuar 4.630 dronë – nga të cilët 3.605 janë rrëzuar – në caqet brenda Ukrainës.rel