Nga Kastriot Dervishi
Siç dihet, nëse regjimit komunist do t’i rrezohej pushteti, ishte përgatitur për një valë goditje, që përfshinte vrasje dhe burgosje për të gjithë elementin e konsideruar kundërshtar. Në bazë të direktivës; “Mbi funksionet dhe detyrat e forcave të armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kohë lufte”, udhëzimit, nr. 01 – 34, datë 30. 10. 1986; “Për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar” dhe udhëzimit nr. 01 – 35, datë 30. 10. 1986 të ministrit të Punëve të Brendshme; “Për mënyrën e veprimit të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, me marrjen e urdhrit nëpërmjet shifrës shtetërore për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, Dega e Punëve të Brendshme Tropojë, në vitin 1987, përpiloi planin e veprimeve për kohë lufte, i miratuar nga kryetari i saj, Ibrahim Gjetja.
Rruga e veprimeve të shtatë grupeve është e mëposhtmja. Përfundimi ishte në pikën nr. 33. Të grumbulluarit, të gjithë do shkonin në këmbë, në itinerarin: Fierzë – Iballë – Pukë –Kaçinar – Ura e Fanit (Shpal). Pikat e hapjes do të kryenin funksionin e burgjeve të fshehta, të gatshme për t’u përdorur në situata lufte. Sot kanë mbijetuar fare pak prej tyre.
Këto u ngritën mbi bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme, të datës 6.7.1971. Ndër të tjera, në listën përkatëse, figuron edhe pika nr. 33 (Shpal, Mirditë) e destinuar për repartet nr. 301, 302, 303 dhe 311. Në këtë pike, ishte menduar edhe grumbullimi i personave me rrezikshmëri politike, nga dega e Punëve të Brendshme Tropojë.
Plani i veprimeve të para operative për kohë lufte, i Degës së Punëve të Brendshme Tropojë, i vitit 1987
– Grupi i parë, i drejtuar nga operativi Miti Kurici, zëvendës-përgjegjës Rushan Dervishi, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Bajram Curri, Gri, Geghysen, Bujan. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Teqja e Grisë. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i dytë, i drejtuar nga operativi Naim Muçalli, zëvendës përgjegjës Mark Melani, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Llugaj, Babinë. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Përroi i Dunishës. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i tretë, i drejtuar nga operativi Shpëtim Halili, zëvendës përgjegjës Besnik Musa, duke pasur 6 forca, vepronte në: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Btoshë, Curraj, Tetaj. Do arrestonte 9 persona, duke pasur 9 zinxhirë e çelësa, 27 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te ura e re e lumit Mërtur. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i katërt, i drejtuar nga operativi Veledin Meto, zëvendës përgjegjës, Abedin Et’hemi, duke pasur 4 forca, vepronte në: Margegaj-Dragobi-Valbonë. Do arrestonte 3 persona, duke pasur 3 zinxhirë e çelësa, 9 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te poligoni i qitjes Margegaj. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i pestë, i drejtuar nga operativi Foto Çelari, zëvendës përgjegjës, Xhemal Skoqi, duke pasur 6 policë, vepronte në: Kasaj, Kojel. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 12 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te përroi te Qafa e Mejdanit. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i gjashtë, i drejtuar nga operativi Gjergj Shusku, zëvendës përgjegjës, Gjergj Marku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Pac, Kam, Kepenek, Berishë. Do arrestonte 5 persona, duke pasur 5 zinxhirë e çelësa, 15 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në Radogosh. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.
– Grupi i shtatë, i drejtuar nga operativi Agim Ramici, zëvendës përgjegjës Esat Kulmaku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Rajë, Tpla, Fierzë. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 14 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në pikën e Fierzës. Memorie.al