Kujtesë nderimtare për Poeten e dashurisë
Më shumë se një paraqitje të profilit krijues të autores Enrieta Sina, ky shkrim është një Kujtesë Nderimtare për këtë figurë të njohur të shkrimtarisë dhe kulturës shqiptare. E njohur si veprimtare civile e spikatur, me ndihmesë të dukshme si gazetare dhe botuese, model dashamirësie ndaj talenteve të reja, humaniste e ndershmërisë profesionale, Enrieta Sinën me të drejtë mund ta quajmë Shkrimtarja e Dashurisë, Dritare e Hapur e Poezisë Lirike. Në poezi, e tëra kullon dashuri, në të gjitha rrafshet e këndvështrimet, duke fluturuar hapësirave të kaltra të dashurisë universale deri tek dashuria, si ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër, që lind në zemrat e dy njerëzve të sekseve të kundërta dhe që i bën ta duan me gjithë shpirt e ta adhurojnë njëri-tjetrin; asaj ndjenje të madhe dhe e fuqishme që ushqen dikush për një njeri të seksit tjetër, asaj ndjenje mrekullisht hyjnore që ndez dy buzë, lidh dy brigje e riprodhon jetën bukurisht lumtur. Në poezitë e Sinës gjen e ndjen mall për Atdheun, vendlindjen, Vlorën, Kosovën, detin, lulen, gjethen; krenohesh për nderimin që poetja lirike di t’u bëjë heronjve dhe dëshmorëve; ndihesh mirë kur ajo di të shpreh mirënjohjen për nënë Merjo Balilin e xha Lamen nga Kuçi i Vlorës – bujarët e thjeshtë si Buronjat; e përjeton bukur gëzimin e saj lumturor në botën e virtytshme të dëlirësisë miqësore dhe, po aq trishtueshëm, pezmatohemi me të e bëhemi pjesë e botës së saj, kur thyhet minuti i çmuar nga veset ulta të hipokrizisë, pabesisë, përçarjes së shpirtit, xhelozisë, ligësisë, sharlatanëve të paturp e pushtë. Ajo është shkrimtare e dashurisë dhe e mesazheve humane të mirësisë, sepse kur ajo shkruan e ndjen mall babanë, ligështohet e krenohet me të, ne kujtojmë, ndjejmë mall e krenohemi për babain tonë, që s’e kemi. Ç’poet mund të jemi kur nuk shkruajmë thellësisht bukur, po nuk thurëm me mjalt dashurie vargje për fëmijët, për nipër e mbesa, që na fal perëndia dhe fati. Ajo është poete e dinjitetit të dashurisë familjare, për burrin, për fëmijët, për njerëzit e gjakut e shpirtit. Të gjithë poetët shkruajnë poezi me dashuri për nënat. Veçmas, poezitë e Enrietës për nënën janë të mbushura me kupa me mjalt malli, sepse, sipas autores, nëna u merr dritare qiejve për fëmijët e saj. Poezinë “Mall nëne” të E. Sinës unë ia lexoja Bebesë, nënës time, sa herë shkoja tek ajo, në Tërbaç: “… Po tani… kaq dimër pse të ketë/ Kush ta dha në sy, trup, zemër,/ Apo ndofta gabuar unë jam/ Mallit nuk di t’i vë një emër./ Jam nëna jote në çdo kohë/ Kudo që të ndodhesh biri im,/ Nga fëmijnia jote, mos u largo/ Ndryshe vitet sjellin veç trishtim”… Imë (dritë i pastë shpirti!) kënaqej shumë, mallëngjehej e më thoshte: Pastë uratën ajo bijë, sa bukur i ka qepur ato fjalë. E ka pikur malli. Ia thënçin melaqetë djalit të kthehet te nëna, se na griu marazi”!”… Dëshiroj ta sjell të plotë për lexuesin tonë këtë poezi të mrekullueshme të Sinës – poete dhe nënë. Po ashtu është, vargjet e Enrietës për djalin e vetëm janë musht malli e trishtimi. Për dy vajzat, Fjorinën e Migenën gurgullojnë dashuri nëne, siç di të qëndis vargje shpirti poetja jonë. Nga poezia me katër strofa, mbushur me frymëmarrje yllësore, po sjell vetëm një varg të poetes kushtuar mbesës Glediona: “Mëngjesi ishte brenda gjoksit tim dhe çuçuriti…”. Pa u futur në analizë teksti, shtroj pyetjen “A mund të thuhet më bukur se kaq ndjenja e të qenit gjysh?!”. Gjeografia e motiveve poetike të Sinës është e pasur, ka fizionomi të veçantë stilistike, ku intimitetin dashuror e ka të shenjtë. Në vargjet e saj shfaqet bota e poetes qytetare, ku nëpërmjet vargut të lirë, ritmikisht të çiltër e të tejdukshëm ndihet falënderimi dhe mirënjohja për virtytin human, shoqen e klasës, mikun, mikeshën, mësuesen, mjekun, poetin… “Poetët … janë miqtë e kohërave”. Të gjithë ne, shkruesit e vargut e dëshirojmë pronësimin e kësaj paradigme poetike dhe ajo na e fal dashamirësisht ta shijojmë, por “patenta” është “Made In Sina”. Edhe pse autorja pëlqen autorë si Esenini apo Paul Valery e mund të ndikohet nga ata, por kurrë nuk i imiton, sepse Sina e ka në gjak të qenit poete origjinale, e lindur për liri hapësirash të kaltra, të pastra, dehur në “shi ndjenjash”.
“Impresione nga “Molla e dasmës”.
Kujtoj që më 20 nëntor 1996 në Divjakë nuk u bë thjesht një diskutim libri, por një festë letrare për librin “Molla e dasmës” – novelë. Tek vëllimi me lirika “Trokitje në xham”, autorja ka botuar një poezi lakonike me titullin “Molla e dasmës”: Lëviz një kalë me zemër/ druri/ në tjetër vend/ në, atë zemër unë s’e vendos/ kurrë emrin tënd/ Për shumë vite ermin e rriti/ një pemë mlle/ Molla e dasmës, kujtim/ helen shkruar me dorë [(5.9.1995) zakon vllah, me prejardhje helene, që ditën e dasmës nuse i dhuronin një mollë] … Pata fatin të jem edhe unë pjesëmarrës në këtë gëzim kulturor dhe të shpreh “Impresione nga “Molla e dasmës”, të cilat, me këtë rast, po i botoj për herë të parë, ashtu, thjeshtë, siç i kam shprehur në atë veprimtari mbresëlënëse:
“Autore e katër vëllimeve, tre me novela dhe një me poezi [1996, shën. im – A.H], shkrimtarja vlonjate na reklamohet tashmë me profilin e saj të plotë letrar. Nëqoftëse librit poetik i shkon për shtat titulli “Trokitje në xham”, te novela e fundit, lexuesi i pasionuar vëren me kënaqësi se autorja ka trokitur në zemër, në shpirt, në një jetë, në një dert. Te “Molla e dasmës” përvijohen konturet kryesore të dokeve, zakoneve, kulturës e traditave të një treve të lashtë me rrënjë te malet e Pindit. Pas një hyrjeje të vogël historiko-legjendare, autorja na fut në një botë të ëmbël, që dhemb të vllehëve. Në një segment të shkurtër kohor, ne shijojmë trëndafilishten e vëllezërve tanë të Mëhallës së Ballkanit. Duke thithur aromën e këndshme në 76 petale, na mbushen mushkritë me ajër e gjelbërim, tek shfleton 76 faqet e novelës “Molla e dasmës” të shkrimtares që përgëzojmë sot. Subjekti është interesant. Stili narrativ të rrëmben. Me dashamirësi e sinqeritet them se më duket sikur Spiron, Anën, Elenin, Minellën, Petraqin, Sofikën, Kristianën, Marjanën i kam njohur prej kohësh, diku i kam parë, diku kemi biseduar, por në fakt ata janë personazhe të novelës, që na jep sot shkrimtarja. Histori dhe legjendë, filozofi, trill letrar e fjalë të urta, jetë dhe poezi – ja ç’gjen në këtë novelë të re mjaft simpatike për nga subjekti dhe trajtesa e veçantë, duke mos i përfillur kornizat klasike e të mërzitshme. Mesazhi që tingëllon nga ky libër për vllehët është “rrënjët i kemi në malet e Pindit, atje është molla e dasmës e patharë, si në kopertinën e parë të novelës, paçka se Leni ka ruajtur në sepete disa degët të thara molle. Duke lexuar këtë libër të mirë, gjej bulëza përsiatjesh të fuqishme si te Kadareja në “Dialog me Alain Bosquet”. “Vllehët janë popullsi më e vjetër në Greqi, se vetë grekërit” – u thotë Kristina Spiros e Anës, kur ata shkonin për te shtëpia e gjyshit. Historia trashëgohet si fëmijë. Ajo ka emrin, zemrën dhe gjakun e njeriut. Shkrimtarja meriton përgëzim për portretin e plakës Leni “me rrudhat e faqeve të palosura njëra mbi tjetrën”. Kush e jep më mirë e më thjesht portretin e një plake ballkanike qoftë kjo shqiptare, greke, vllahe?! Ç’ zakon të bukur: ftesa për ardhjen në dasëm. Ish një kokërr molle, ajo sillte dasmorët e gëzimit. Bukur futet një fjalë e gjetur poetike “Hënëzim i natës”. Lirizmi dashuror pikon tis të ëmbël universi. Natyrshëm, në këtë libër shqip janë dhën shprehje vllahe, sidomos dëshirat, lutjet, mënyra e jetesës, kultura materiale e tyre, etj., ku autorja jep ndihmesë edhe në letërsinë etnologjike me ngjyrime antropologjike.
Kam një pyetje retorike: – Ç’do të thotë vllah?! Vëlla i Ballkanit, vëlla i shqiptarëve.
Kam një strofë për trevën vllahe: “Plagë e gjak, dregëz që dhemb,/ aty ngrehu, aty shemb,/ jep mesazhe mirësie/ dhe në troje Arbërie…”. Të ishte gjallë Elena Gjika, do t’i thoshte Enrietës: “Faleminderit, motër!” Thimi Mitko: “Rrofsh, o bijë, që më qetësove shpirtin!”
Ja është sot Kristo Goxhi që e falënderon dhe e mbështet për shpezat e librit të sotëm e të atyre që do të vijnë e do të përkthehen në 4-5 gjuhë. Një lutje Kiços: “Mollën e dasmës”, po munde ta bësh film artistik, me skenar të Enrieta Sinës, do të jesh më fatlum. Palltua jote është bujare, e gjerë.”
Jetëshkrimi letraro-kulturor
Një jetëshkrim (cv) i shkurtër e gazetares, prozatores, poetes Enrieta Sina (Zykaj), lindur në Vlorë, më 30 janar 1953.
Arsimimi: Mbaroi studimet në gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë, me rezultate shumë të mira dhe kryen studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike, në degën e gazetarisë, 1973-1977.
Veprimtaria në krijimtari dhe publicistikë:
Talenti në fushën e krijimtarisë shfaqet herët. Kur ishte trembëdhjetë vjeçe, në klasën e shtatë, në shkollën tetëvjeçare “Naim Frashëri”, në Vlorë, merr pjesë në një konkurs poetik, në emisionin e Radio-Tiranës, ku përfshiheshin krijues pionierë nga gjithë shkollat tetëvjeçare dhe poezia e saj u vlerësua me vendin e dytë. Pas kësaj përfshihet në Degën e Shkrimtarëve të rrethit të Vlorës krahas shkrimtarëve me zë të asaj periudhe si Andrea Varfi, Irfan Bregu, Shefqet Tigani, Hiqmet Meçaj, Maro Pasho, etj. Vazhdoi të krijojë dhe të botojë dhe më pas merr pjesë në Konferenca dhe Kongrese të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë si në qytetin e Korçës dhe në Tiranë. Kur ishte maturante, në gazetën lokale të Vlorës, në një nga faqet e saj shkruhet artikulli, portreti nga redaktori i gazetës “Zëri i Vlorës”, Bashkim Fifo, me titull: “Me vullnet çan përpara”. Në ato vite të shkollës së mesme është aktivizuar në probleme shoqërore, si sekretare rinie por dhe në Komitetin e Rinisë së rrethit. Mbasi mbaroi gjimnazin dëshira e vetme ishte të vazhdonte studimet e larta në degën e gazetarisë. Edhe pse për dy vite me radhë fitoi konkursin e evidentuar kjo (nga juria, e deges së gazetarisë), si ndër më të mirat, u pengoua të vazhdojë studimet për gazetari. Në këto kushte, filloi punë si mësuese e letërsisë në fshatin Kuç, duke ndjekur njëkohësisht dhe studimet me korrespondencë për gjuhë – letërsi, ku doli me rezultate të larta. Këmbëngulja për të vazhduar gazetarinë, bëri të konkurojë përsëri për këtë radhë për të vazhduar studimet në këtë degë. Zgjidhet si kujdestare e kursit dhe sekretare rinie. Bëhet bashkëpunëtore e afërt e Radio-Tiranës, ku u caktua dhe për të bërë praktikat, në redaksinë e kulturës, drejtuar në atë kohë nga Fane Voshnjaku, paralelisht ka qënë bashkëpunëtore e afërt e emisionit “Gruaja e ditëve tona”, drejtuar nga Feruze Bajo. Në këtë periudhë ekspozoi mundësitë e saj krijuese në shumë zhanre, jo vetëm në Radio-Tirana por dhe në disa organe të shtypit, e kryesisht në gazetën “Bashkimi”. Mbasi mbaroi studimet e larta, fillimisht u mendua të emërohej në Radio-Tirana ku kishte bërë dhe praktikën dhe evidentohesh si e talentuar, por më pas për shkak të biografisë (deri në vitin 1957 familja e saj ka qenë pa triskë fronti), kjo u bë pengesë për të mos u pranuar as në gazetën lokale të Vlorës. (Pas një letre mbërritur në ish Komitetin Qendror, nga një veteran, duke u quajtur vajzë tregtari dhe si e tillë nuk duhej të propagantonte vijën e Partisë në atë qytet, ndërkohë familja e saj ka ndihmuar materialisht Luftën Nacional-Çlirimtare dhe për këtë ka patur miqësi me emra si Reiz Malile apo Hysni Kapo që e vërtetonin këtë). Megjithatë ndryshoi emërimi dhe e caktojnë në Skrapar. Aty punoi për 16 vjet nga 1976 deri në 1991, kur u mbyll botimi i gazetës “Jehona e Skraparit”. Në shkurt të vitit 1986, gjatë kohës së punës, përfundoi studimet pasuniversitare për Filozofi. Në Skrapar pasqyroi rolin e saj si gazetare dhe si aktiviste e organizatës së gruas. Vazhdoi të jetë bashkëpunëtore e radio-Tiranës dhe e gazetës “Bashkimi”. Ndërkohë merr pjesë si e ftuar disa herë në Festivalet e filmave shqiptarë ku jep dhe mendime për skenarët e tyre. Zëri i saj dëgjohej me vëmendje në takimet që zhvilloheshin në Kistudion “Shqipëria e Re”. Viti i ndryshimit të sistemit e kthen në qytetin e lindjes, tashmë për të qënë gazetare e një epoke të re, duke ndihmuar në gazetën “Zgjimi”, Gazetën e Bashkisë “Flamuri”, apo dhe atë të Universitetit “Ismail Qemali”.
Në fushën e krijimtarisë botoi novela social-psikologjike, tregime,
poezi dhe roman.
Të tilla janë, në prozë:
“Ndjenjë mashkullore” – novelë, 1994
“Molla e dasmës” – novelë, 1995
“Një grua flet për seks” – novelë, 1995
“Nata e thyer” (novela),
“Krisma ‘97” (roman),
“Lot në vjeshtë” (roman),
“Grua pa lumturi”,
“Hija e shpirtit tim”, novela,
“Trëndafila të ftohtë”, vëllim me tregime,
“Ndjenjë e gjymtuar”, 2015 (dy novela),
“Shkolla një, praktika një plus”, libër studimor në fushën e gazetarisë;
“Një zë në mesnatë” novelë psikologjike;
vëllimet me lirika:
1 /13. “Trokitje në xham”, 1996
2/14. “Minuti i thyer”, 1998
3/15. “Unë, ti dhe deti”, 2004
4/16. “Dy gjysma çudi”, [2008]
5/ 17. “Syri i fjalës”, 2012;
6/18. “Rrënjë të paprekshme” – lirika, 2019;
7/ 19. “Sikur?!…” – vëllimi më i ri me lirika, 2023.
Ka gati vëllimin me tregime “Një ditë tjetër” si dhe vellimin me “200 lirika”. “Kanë mbetur pa botuar per arsye financiare. Me shpresë…” thotë Enrieta.
Por, krahas tyre në këta vite ka bërë librete të Festivaleve për Fëmijë në Vlorë, ku dhe këngët me tekstet e saj kanë zënë vendin e parë në bashkëpunim me kompozitorët vlonjatë Artur Dhamo, Vasil Çuni, Vait Kuçi, etj. Ka marrë pjesë me tekste këngësh dhe në Festivalet e këngës së muzikës së lehtë në Vlorë, Fier dhe Tiranë, ku gjithashtu është vlerësuar me çmimin e parë. Në vitin 1996 ka fituar çmim të parë më këngën “Pyes lotin”, me kompozitor Valentin Veizin dhe kënduar nga Elsa Lila. Në qytetin e Vlorës ka qenë anëtare e Këshillit të Kryqit të Kuq për afro shtatë vite, po ashtu, ka qenë kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, kryetare e shoqatës “Fan Noli”, sekretare e Shoqatës “Gruaja vlonjate dhe progresi”, redaktore e dhjetra librave të krijuesve brenda dhe jashtë vendit. E propozuar nga prof. dr. Isuf Luzi në SHBA, zë vend në edicionin e 16 te sheullit të 20-të në njerëzit e shquar të letrave në Kembrixh. Në SHBA (duke qënë në Filadelfia) në një konkurs poetik, lirikat e saj, me të cilat mori pjesë u vlerësuan me Çertifikatë Nderi dhe u vendosën në Antologjinë e poetëve amerikanë të viteve 2010-2013. Është zgjedhur gjithashtu në Tiranë si “Ambasadore e Paqes”, ku jep dhe kontributin e saj. Nga viti 1992 deri vonë ka botuar gazetën letraro -astrologjike “Horoskopi”, ku ka ndihmuar dhe dhjetra të rinj për të botuar krijimtaritë e tyre letrare. Pas vitit 1997 edhe pse ka “trokitur” për një punë në administratën shtetërore, gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët. E përfshirë në Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi-Albania”, merr pjesë në veprimtaritë e shumta të saj duke u zgjedhur dhe zv/presidente. Është duke botuar 200 lirika si dhe një novel me titull “Një ditë tjetër”.
Ajo ka shumë vlerësime nga shoqëria e shpirtit, kjo horizontalja, ndërsa nga ajo e pushtetit, vertikalja- heshtje, indiferencë. Shkrimtarja e talentuar E. Sina është nderuar edhe me Diplomën “Mirënjohje e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, pa na e kërkuar. Kaq kemi në dorë ne. Ndërkohë, nuk di të kërkojë ndere e privilegje Enrieta, ajo di vetëm të punojë, me ndershëmri profesionale dhe artistike, di të ndihmojë si ajo, të nderojë e të vlerësojë të tjerët.
Enrieta Sina, një poete biolirike
Dy fjalë për vëllimin “Sikur?!”, libri më i ri me lirika i autores E. Sina
E hëna e parë e dhjetorit, 4 Dhjetor 2023, ishte dita e poetes Enrieta Sina, dita e lirikes sonë qytetare, një emër i mbarëdëgjuar në Vlorë për rolin e saj në botën letrare e kulturore, si dhe për ndihmesën e dukshme në gazetari dhe publicistikë, duke ndikuar në emancipimin e shoqërisë dhe zbukurimin e shpirtit njerëzor, kudo ku i ka shkelur këmba dhe i ka shkuar fjala. Në fakt, emri i Sinës, qysh herët ka dalë nga hapësirat e Vlorës, si emër i njohur në rang Kombëtar dhe sot është e regjistruar dhe ndërkombëtarisht.
Na mblodhi këtu, shkrimtarë dhe artisë, studentë dhe pedagogë në strehëzën tonë të ngrohtë, pikërisht tufa e shëndetshme me 110 lirika “Sikur” mblellur në një kopësht të bukur, të larmishëm, me gjeografi shpirti dhe ndjenjash në 170 faqe.
Poezia e Enrieta Sinës ka jetë, frymë, kumbim poetik lartësisht lirik, ka muzikalitet të ëmbël, që të motivon bukur dhe ç’ka shpreh ndihet që sa çel faqen e parë të vëllimit me poezinë “Askush s’të mban peng”, ku të rrëmben magjia e kontrastit të vrullshëm, tipologjik për autoren në vijueshmërinë e logjikës poetike të saj.
Në çdo poezi, ajo të fut në situatë krejt të natyrshme, falë aftësive dhe përvojës letrare dhe vijës së parë si qytetare e emancipimit social, por e pangatërruar me shthurjen barbare, se pastaj, pikas autorja “Dridhesh nga frika e të mbajturit peng”.
Lirikat e Sinës burojnë nga shpirti i pasur poetik me një gurrë metaforash. Siç e shpreha, në poezinë e saj nuk ka tek-tuk ndonjë lule, dmth, ndonjë metaforë në varg, por buisin tufa lulesh, domethënë varge të tëra metaforike. Edhe në këtë libër, më të riun e autores në poezi, por të radhës, jo të fundit, vërejmë shumë poezi sa të ndjenjës, aq të mendimit, ç’ka konturon profilin e pjekur letrar të autores sonë. Ka densitet mendimi, intesitet ndjenjash shprejur figurshëm, ka kontras sfidant: “Jam një re ngarkuar krejt me shi/ jam ai që pa ty s’jetoj dot”. Poezinë “Sonte … jam ndyrshe “ do ta quaja poezi antologjike. Ndërsa “Portet pa qerpik” është një poezi moderne në teknikë, por së pari në motiv, në pasurimin artistik të imazhit jetësorqëna dhuron autorja.
Një poezi elegjiake, aq origjinale e fisnike, që i dhem strofa, vargu, fjal, bashkëtingëllorja, zanorja, poezi e përvajshme, e dinjitetshme, jo mëshirore, që vetëm një shpirt lirik gatuar në epikën e karakterit të poetes origjinale, që vetëm E. Sina di ta thurë me lot, se “Nuk mund të luaj vetja ime”, siç shprehet poetjae lënduar përfundimisht në plotëmrëinë e jetës, “Me fjalë zemre sot nu luaj/ edhe kurrë të pathëna/ ato më mbërrijnë dhe derdhinlot/ si rrezet netëve Hëna”...por e padorëzuar deri në frymë e fundit në këmbë dhe me dinjitet letrar dhe njerëzor.
Kam ndaluar gjatë tek poezia “Dielli i jetës”. Poezia poezi është vërtet art, ndjenjë dhe mendim, por ajo patjetër edhe është edhe edukim, edukim estetik dhe moral, por: vëmendje, pa rënë në prozaizëm dhe moralizim. Nuk kemi të bëjmë me poezi akuariumi, por me poezi të frymëmarrjes së gjallë jetësore dhe, në këtë rrafsh, edukimi estetik e moral është i vështirë, sepse realizohet nëpërmjet fjalës aristokratike të vargut. E. Sina e zotëron këtë mjeshtëri, se, sa është poete, është misionare e së mirës, të bukurës, së dobishmes në jetë. Jo vetëm nga kjo poezi, por edhe nga poezi të tjera filozofike e morali, mora me vete këtë mesazh nga autorja: “Kush thotë që letërsia nuk është edukim, “ka shkarje në mendorje, o bir” (po përdor një shprehje të gjyshes, dritë pastë!). Dua të theksoj se poezia e Sinës është poezi imazhi, por për fuqinë e imazhit të kësaj poezie ndoshta duhet një tjetër diskutim.
Edhe në poezinë atdhetare, që ndoshta nuk vëreteh nga lexuesi i zakonshëm, Sina është një lirike e dashurisë së fortë dhe syri i sajpoetik i stërvitur rrok imtësi e gjetje rrëqethëse deri në drithërim si tek poezia “Ethet mbytin…”, ku veçoj strofën “Eca dhe hyra nën strehë fjalësh/ mbërritur nga gjithë qytetet ish Atdheu,/ Ftohtësia dhe errësia bashkë/ si një zog të vetëm më rrëmbeu”.
Në formën e një distiku na vjen poezia “Ai … ajo”, duke na lënë shijen e një karameleje poetike. Në libër ka edhe vargje të lehta apo poezi të kalueshme dhe është e kuptueshme, që nënj ëlibër nuk mund të rrinë majë malit të gjitha poezitë (siç shkruan autorja) , por një poezi si ajo me titull “Grimca fosforeshente” që na ngelet jetëgjatë në kujtesë për strukturën poetike, sintaksën, vendosur çdo fjalë e varg në vendine duhur me logjikëne e mesazhet e larta artistike të komunikimit, është vlerë sa vetiake e autres, aq koletike jona si shoqëri letrare-artistike.
“Si thua” është një poezi e mrekullueshme ku ndjenja, guximi, imazhi jetojnë në sy të lumturisë të çiftit të harlisur lirishtave më të bukura të vargut si në jetë.
Vëreni me ç’metaforë të shkëlqyeshme e përfundon poezinë “Si thua?!” Për ta vijuar sa më gjatë dashurinë për të mbajtur ndezur e ngrohur ndjenjën e bekuar të dashurisë: “Ti marrim hënës një lugë zjarr hua,/ si thua…? ”
Dua të ndalem pak këtu. Dashur, pa dashur edhe në këtë poezi mund të merret nj ëfigurë nga një autor tek një tjetër dhe nuk ka fajshmëri, sidomos kur autorët nuk njihen dhe nuk e kanë lexuar njëri-tjetrin. Ne e dimë që figura është leva që nge poezinë, por ka pasur raste jo të këndshme ndër autorë. Vargjet “Ti marrim hënës një lugë zjarr hua,/ si thua…? ” unë nuk i kam ndeshur kund tjetë, nuk i kam dëgjuar më parë, veçse tek Enrieta Sina. Sa e lexova, më tronditi letrarisht. Sa origjinale! MADE IN ENRIETA SINA!…
Gjithë libri është me frymë biolirike origjinale të Jetës.
E lindur në qytetin e Vlorës më 30 janar 1953, shkollën 7-vjeçare dhe gjimnazin “Ali Demi” i kreu në vendlindje. Studimet e larta në degën e Gazetarisë i përfundoi në vitin 1976. U emërua gazetare në gazetën “Skrapari” në Çorovodë, ku punoi deri në vitin 1990.
Enrieta është e palodhur e talentuar, por nuk e reklamon punën dhe veprimtrainë e saj. Telegrafisht po ravijëzoj disa vlerësime nga puna e saj e pambarimtë në shërbim të letërsisë, kulturës dhe qytetarisë shoqërore. Në vitin 1994, me propozim të prof. Isuf Luzaj në Amerikë, zuri vend në Edicionin e 16-të të shek. XX tek Njerëzit më të Shquar të Letrave që shpall Instituti Biografik i Njerëzve të shquar të Kembrixhit.
Për 20 vjet është zgjedhur zëvendës presidente e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, organizëm i cili e ka vlerësuar si poetja më e mirë e vitit 2013.
Krijimtaria e Enrieta Sinës është botuar krahas poetëve më të shquar botërorë nga lidhja e Shkrimtarëve të Brazilit.
Në konkursi poetik mes 1000 poetëve amerikanë ka fituar çmimin Ekselent në vitin 2011.
Është përfshirë në Albumin poetik të poetëve amerikanë të viteve 2011-2013.
Ka bashkëpunuar me gazetën “Iliria”, ku herëpashere ka botuar artikuj analitikë dhe krijimtari letrare.
Janë të shumta çertifikatat dhe diplomat që ka marrë, të cilat ajo i kalon shpejt e shpejt, por unë ndala tek dy çertifikata mirënjohjeje dhënë nga Qendra e Kulturës Shkup, si dhe nga Qendra Kulturore e Tetovës.
Ka marrë Çertifikatë Mirënjohjeje nga dramaturgu, shkrimtari dhe regjisori i shquar shqiptar strugano-amerikani Xhevat Limani, në aktrim sinomim i imazhit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në botën e sotme teatrore.
Vlen të përmend se është duke përfunduar librin e dytë studimor “Etika dhe estetika e gazetarit” me mjaft interes, sidomos për të përkushtuarit e fushës dhe gazetarët e rinj.
Në qytetin e Vlorës ka dhënë ndihmesën e saj të pamohueshme për çeljen dhe frymën e gazetës “Zgjimi”, organ i PD së Vlorës, në vitin 1992, kur filloi punën si gazetare dhe drejtuese e saj.
Siç shkruan prof. dr. Bardhosh Gaçe në Enciklopedinë e Vlorës “Gazetarja, poetja dhe novelistja Enrieta Sina, ka botuar publicistikë, poezi e tregime në “Zëri i Rinisë”, “Nëntori, “Drita”, “Ylli” etj… kryeredaktore e gazetës “Mister” dhe “Oroskopi” [shih: Gaçe, B.: “Vlora – fjalor enciklopedik”; Tiranë, Maluka, 2023, f. 235]
Mesazhi ynë për simbolikën e dinjitetit të emancipimit femëror
Enrieta Sina si qytetare, intelektuale dhe krijuese është syth lulëzimtar i pemës së besës, është shkrimtarja e emancipimit femëror, fisnikja e trëndelintë e shkrimit.
Proza dhe poezia e Sinës ngjanë si piktura poetike që flasin nëpërmjet imazhit të riprodhuar qartë e bukur tek lexuesi, ku ai nuk e ka të vështirë të dëgjojë zërin e personazheve, kumbimin përditësues të realitetit, si dhe të përjetojë botën e tyre shpirtërore, motivet, mesazhet e emancipimit qytetar të shoqërisë.
Në botën e letrave e shkrimtarisë, në letërsi dhe gazetari, emri i Ernieta Sinës përmendet me vlerësim dhe nderohet për figurën e saj të shquar si femër e emancipimit qytetar dhe ndihmesën e dukshme në krijimtarinë letrare dhe fjalës së lirë, si një ndër penat më të ndjeshme e përfaqësuese të frymës lirike të prozës dhe poezisë femërore dhe letrave bashkëkohore shqipe, por edhe për kontributin e saj si publiciste e botuese e përkushtuar dhe e sakrificës dinjitoze.
Po mirë, nuk e meriton zonja Enerjeta Sina Zykaj, si shkrimtare dhe gazetare e njohur atë të famshmin “Pension i veҫantë”, kur e kanë marrë jo pak nën staturën e saj shkrimore, edukative, përparuese!?
Po mirë, nuk e meriton zonja Enerjeta Sina Zykaj nderimin me Titullin “Mjeshtri i Madh”, qoftë edhe me motivacionin: “Për figurën e saj të shquar si femër e emancipimit qytetar dhe ndihmesën e dukshme në krijimtarinë letrare dhe fjalës së lirë, si një ndër penat më të ndjeshme e përfaqësuese të frymës lirike të prozës dhe poezisë femërore dhe letrave bashkëkohore shqipe, por edhe për kontributin e saj si publiciste e botuese e përkushtuar dhe e sakrificës dinjitoze”, kur kur e kanë marrë jo pak nën staturën e saj shkrimore, edukative, përparuese!?
Albert HABAZAJ
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
MALL NËNE
Poezi nga Enrieta SINA
Është një mal që askush s’e njeh
Veç kjo zemër nëne e dërmuar
U rrit djali, si një det i gjërë
Malli kapërceu pa kuptuar
Flokët kaçurrela në album
Po më ngjiten nëpër lot e sy
Tani i rritur i bërë burrë
Veç buzeqeshjen tende gjej aty
Do të desha si dikur të ishim
Rreth një tavoline, shend e verë
Me njeri-tjetrin godat t’i trokisnim
Ah, sa lumturi ndjenim atëherë
Po tani..kaq dimër pse të ketë
Kush ta dha në sy, trup, zemër
Apo ndofta gabuar unë jam
Mallit nuk di t’i vë një emër
Jam nëna jote në çdo kohë
Kudo që të ndodhesh biri im
Nga fëmijnia jote, mos u largo
Ndryshe vitet sjellin veç trishtim
Bukuri ka jeta nëpër vite
Ngjitur je, rritur, sa të dua
A ka dashuri të krahasohet
Me dashuri nëne, a s’më thua?!
Qofsh i lumtur në çdo orë jete
Zemra e nënës të jep veç urim
Dhe po prêt, prêt ndër fije shprese
Të kthehesh nga ai mërgim
Një ditë s’do të jem, do jem larguar
Nëpër qiell, ndofta, përmbi det
Dhe aty shpirti do jet’ ndriçuar
Nga kjo dashuri që malin djeg…
Do kuptosh se mbi dashuritë
Është kjo dashuri e zjarrtë nëne
Që flijon jetën për fëmijtë
Si vet qiellit kjo dritë hëne
S’do të bësh llogari për asgjë
Një çast do kuptosh i penduar
“Ku je nënë, o nëne më fol ti
Dhe përgjigjet heshtja e trishtuar…
Është një mall që ngjitet në jet’
Të ndjek në çdo moshë si një dritë
Hapat i kërkon kur ti i hedh
Dhe uron me zemër mirësitë
Kurrë mos e prekni këtë mall
Brenda tij është shpirti që troket
Ndaj ulet nëna thjesht në prag
Para shuarjes të birin e prêt….