Seksi oral nuk është gazetari investigative, por dhe punëdhënia e përdorimit të femrës dhe të kësaj metodologjie pune në misionin e medias, nuk është gazetari por “paponeri”.
Papon (tutor) quhet ai që ushqehet duke shfrytëzuar hedhjen në rrugë të trupit të femrës, por dhe ai që kërcënon e frikëson këdo që mund të rebelohet nga aksioni i tij.
Paponët mbajnë peng vajza e femra, i punësojnë për qëllimet e tyre, marrin nga ato para e fitime aq sa në historikun e mafias shqiptare nëpër botë, mbi këtë aktivitet ajo u fuqizua, kaloi në një status më të lartë në biznesin e drogës e akoma më lart në atë të kartelave të narko-trafikut botëror.
Rasti i Alma Kaçit solli gjendje akoma më alarmuese të medias shqiptare.
Një vajzë punësohet nga emisioni Fiks Fare, në një televizion kombëtar shqiptar, e filmon një skandal seksual në një zyrë shteti. Scoop-i i zbardhjes së një pushteti imoral, arrin qëllimin e tij. Vajza para garantuesve të drejtësisë së vendit rrëfen zbardhjen e skandaleve të tjera politiko-elektorale e prova në telefonin e saj.
Provat merren, vajza dënohet për prostitucion, ndërsa ata punëdhënësit që përdorin femrën si një plaçkë shitje tregu nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.
Thelbi i kësaj ngjarjeje hedh në diskutim dy çështje të rëndësishme të deontologjisë së medias: kodin etik e misionin e profesionit, të vërtetën.
Kodi etik dhunohet qysh në momentin e punësimit të një femre për të shitur trupin e saj e quhet shfrytëzim, dhe e vërteta përdoret jo në interes të publikut, por sipas dëshmisë së vajzës, si mjet shantazhi e shkëmbimi për interesa politike.
Por vë në alarm dhe një çështje të rëndësishme të drejtësisë shqiptare: pandëshkueshmërinë, përdorimin e drejtësisë në interes të pushtetit e politikës si dhe anshmërinë e gjykimit ku unaza më e dobët e një ngjarjeje dënohet, ndërsa atyre të fortëve, tutorëve, papunëve, nuk u hyn gjemb në këmbë.
E ngjarja bëhet më e rëndë kur organi më i rëndësishëm i ngritur për të garantuar ndëshkueshmërinë e drejtësinë e krimeve të rënda siç janë ato politike korruptive, dënon për prostitucion atë që u shfrytëzua dhe u përdor në shërbim të kësaj afere.
E për ata punëdhënësit, autorët e programit, kryeredaktorët e të gjithë unazat e tjera të kësaj ngjarjeje që kanë bashkëpunuar dhe në skandalet e tjera që rrëfen Kaçi, si në bashkinë e Kavajës, Roskovecit, nuk u protokollua asnjë fjalë, asnjë hetim, asnjë sekuestrim telefonash, email-esh, provash e as nuk u bë publike asnjë komunikim zyrtar i Prokurorisë, i detyrueshëm në një megaskandal të tillë, përshtypje që krijohet është se jemi përballë jo vetëm të një sistemi papon ngritur nga një emision televiziv për interesa privato politike, por dhe të një “Shteti papon” që komandohet nga pushteti i të fortëve që qeverisin.
Si një ushqim për gjykime morale, Alma Kaçi u hodh në detin e social e ata “paponët” ulur në zyrat e tyre kush në studiot televizive e kush në zyrat me peshoren e shpatën e drejtësisë në faqet e kodit penal, apo me zhgarrravinat mbi dekret ligje ngjitur me vinovil në mure.
Urdhri i Gazetarëve Shqiptarë, shoqatat mediatike kombëtare dhe organizatat mediatike ndërkombëtare heshtin.
U takon të jenë pala akuzuese në SPAK ndaj një emisioni mediatik që ka përlyer e dhunuar profesionin për të cilin janë ngritur.