Politikani opozitar serb Nikola Sanduloviç ishte mëngjesin e kësaj të enjte i ftuar në një intervistë ekskluzive për “Good Morning Albanians” në Euronews Albania.
Ai ka folur për ngjarjen e 3 janarit ku ndaj tij u ushtrua dhunë barbare nga shërbimi sekret i Serbisë, kjo pasi Nikola Sanduloviç vendosi lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës së mitur e cila humbi jetën në sulmin e bërë ndaj familjes së Adem Jasharit.
Ai tha se gjatë dhunës së ushtruar ndaj tij, e cila ka zgjatur me orë të tëra ka parë edhe Milan Radoiçiçin,organizatori i sulmit në Banjskë.
“Kam qenë i kidnapuar para shtëpisë sime. Për fat të mirë, dy policë i kisha para shtëpisë, sepse edhe më parë më kishin kërcënuar ndaj i kisha marrë për mbrojtje. Kanë dalë dy makina të mëdha nga të cilët dolën 10 persona. Ata filluan të më rrahin direkt në rrugë. Më pas më futën në furgon, më rrahën brutalisht. Më pas më çuan në stacionin e policisë. unë kam bërtitur se kush jam e nga vij, njerëzit e kanë kuptuar se unë jam presidenti i partisë republikane. Ata u kanë thënë njerëzve që lëreni se ky nuk di çfarë flet.
Unë kam pasur gjakderdhje, asnjë s’ka folur me mua më kanë rrahur brutalisht. Pastaj më hodhën në një kamion dhe kur janë hapur dyert kam parë që po më nxjerrin jashtë dhe më kanë lënë para ndërtesës së policisë sekrete të Serbisë e cila është përgjegjëse për shumë vrasje të bëra në periudhën e ish-Jugosllavisë. Aty më kanë marrë disa persona me uniforma si ajo që kishte Radoiçiçi në Banjskë.
Aty më kanë vënë në gjunjë dhe më kanë mbajtur këmbë e duar e lanë vazhduar të më rrahin. Në atë moment kam parë sigurinë e madhe, kam parë edhe Radoiçiçin, i cili ka qenë prezent aty. Kanë qenë edhe 5 persona civil të cilët kanë bërë filmimin e agresionit ndaj meje”, tha Sanduloviç.sn