Uran Kostreci është poet i njohur. Uran Kostreci u lind më 29 janar 1938. Shkollimin fillor e shtatvjeçar i kreu në Korçë. Babai i tij u arrestua që më 1946, si kundërshtar i regjimit komunist dhe qëndroi 10 vjet në burg. Urani studioi në shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e përfundoi më 1957. Në të njëjtin vit, ai u emërua mësues në fshatrat e Vlorës, ku qëndroi dy vjet dhe dy vjet të tjera qe arsimtar në Gramsh!
Më 1961, Urani arrestohet për motive politike. Vuan burgjeve 20 vjet. Lirohet më 1981. Kalon një vit e gjysmë si punëtor krahu. Pas kësaj ai interrnohet për 5 vjet në fshatin Kurtaj të Peqinit! Në dhjetor të vitit 1991, themeloi gazetën antikomuniste “Liria”, organ i ish – të përndjekurve politikë të të gjithë Shqipërisë dhe ishte kryeredaktor i parë i asaj gazete. U zgjodh dy herë kryetar i partisë demokratike të Elbasanit. Në vitin 1993, punoi si mësues i gjuhës italiane në shkollën e mesme të Elbasanit.
Në vitin 1997, Urani emigroi në SHBA dhe u vendos në Nju-Jork, prej nga është kthyer përfundimisht në Atdhe në vitin 2007.
Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve, Nebil Çika. Mesohet se Kostreci prej ditësh ishte i infektuar nga Covid-19 dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, e cila rëndoi gjendjen e tij shëndetësore duke i marrë jetën. Uran Kostreci njihet për Epopenë e karakalecave dhe dëshmitë për burgjet. Ai kaloi 20 vite në burgjet komuniste. Ai u arrestua nw 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për «tradhti ndaj atdheut», e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi se «ka fyer përfaqësuesin e pushtetit», dhe se ka bërë «agjitacion e propagandë», me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”
Botime të Uran Kostrecit
1993 – Lundërtari dhe deti (sonete)
1995 – Epopeja e Karkalecave (poemë satirike)
1996 – Agonia e Karkalecave (Pjesa II)
2006 – Sonete
2009 – Pabesia
2011 – Epopeja e Karkalecave (Dy pjesë bashkë)
Poezia e Uran Kostrecit është një poezi ku analiza psikologjike e gjendjeve shpirtërore të autorit zë një vend qëndror. Forma e zgjedhur është ajo e sonetit, të cilën ai nuk e ndryshon dhe që lot pak a shumë rolin e një boshti koordinativ për tërë poetikën e tij, brenda pentagramit të të cilit ai luan me virtuozizëm të gjitha variacionet e mundura rreth temës qendrore të një përjetimi jo të zakonshëm të realitetit, atë të një njeriu me ndjeshmëri të hollë e me shpirt fisnik.
Ka një “shifër” në poezinë e tij, zbërthimi i së cilës kërkon njohjen e një konteksi jo gjithmon të dukshëm, të paktën për ata që nuk ndajnë bashkë me autorin tmerret e murtajës së kuqe. Por ndonëse një nga viktimat më të vuajtura të kohës së errët që lamë pas, motivi politik nuk duket se është kryesor në sonetin e Uranit dhe kjo ndoshta ngaqë ai e ndjen se urrejtja, qoftë edhe e drejtë, është herë herë “antipoetike”… aq më tepër në sytë e një mistiku siç është Urani dhe siç ka qënë një ndër poetët tanë të mëdhenj Naimi, me të cilin Uranin e lidhin shpirtërisht shumë gjëra e mbi të gjitha një vizion mistik i realitetit që do të thotë Perëndia si Dashuri kudo e pranishme dhe, mbi këtë, një vjershërim muzikor ku gjuha shqipe rrjedh kaq natyrshëm, kaq lirshëm, kaq e lehtë dhe e ëmbël.
Uran Kostreci u nda nga jeta më 12 korrik 2021.