Foto Proko: Takimi im me bashkëshorten pas 32 vjetësh
Më në fund isha në Moskë. Kisha mbërritur te shtëpia e gruas sime, Era Vasiljevna Lamova. Qëndroja para derës së saj dhe nuk kisha guxim t’i bija ziles. Në atë shtëpi po kthehesha pas 32 vjetësh. Gruaja dhe ime bijë, Tatjana, më dinin të vdekur. Dridhesha i tëri. Tashmë nuk isha më i ri. Isha plakur dhe thinjur. Veç kësaj, rruga e gjatë Shqipëri–Greqi–Turqi–Bullgari–Moldavi–Ukrainë–Moskë (Rusi) më kishte lodhur shumë. Më dukej sikur kisha udhëtuar një shekull të tërë. Gjatë gjithë udhëtimit kisha përfytyruar si mund të shkonte takimi. Para syve të mi herë më shfaqej gruaja dhe herë vajza. I përfytyroja ashtu siç i kisha lënë këtu e 32 vjet më parë. Në atë kohë, kur unë lashë Moskën dhe u nisa për në Shqipëri, ime bijë ishte vetëm 2-muajshe e gjysmë. Tashmë gjendesha para derës së shtëpisë së tyre, por nuk e ngrija dot dorën drejt butonit të ziles. Shtëpia dukej e heshtur. Herë më dukej sikur brenda asaj ndërtese nuk do të gjeja njeri, dhe kjo më tmerronte, dhe herë mendoja se në çastin kur do të hapej dera, ime shoqe, Era Vasiljevna Lamova, do të mbetej e befasuar, njësoj sikur të shihte një fantazmë. Nuk e dija se çfarë mund të ndodhte. Nuk e dija si do të reagonte vajza. Më kishte marrë malli shumë. Kështu nisi të na tregonte historinë e jetës së tij Foto Proko, banor i qytetit të Korçës, tashmë prej disa vitesh nuk jeton më
Ti nuk paske qenë i vdekur, baba?!
Më duhej vetëm pakëz guxim, aq sa të shkelja butonin e ziles. Asgjë më shumë. Pas kësaj dera do të hapej. Dikush prej tyre do të dilte dhe gjithçka do të kishte një rrjedhë… Por nuk po mundesha. Jeta ime kishte qenë vërtet një tmerr. Ndoshta ndihesha edhe i lodhur. Duke u shkëputur paksa nga këto kujtime, Proko tregoi diçka për jetën e tij: Kam lindur në qytetin e Leskovikut, por gjermanët në prag të ikjes së tyre e dogjën mëhallën tonë. Të gjithë mbetëm pa shtëpi. Morëm rrugën si muhaxhirë dhe shkuam në Korçë. Jetuam si mundëm e ku mundëm, por asnjëherë nuk patëm një shtëpi tonën… dhe sërish iu rikthye kujtimeve të Rusisë së largët…
Tashmë gjendesha përpara shtëpisë ku kisha jetuar për disa vjet me radhë. Brenda asaj ndërtese ndodhej gruaja ime dhe vajza ime. Sigurisht e përfytyroja shtëpi të ngrohtë. E dija, do të kishte shumë lot dhe përqafime. E dija, do të më pyesnin gjerë e gjatë. Po ku ishe deri më sot, baba? Si nuk u bëre njëherë i gjallë dhe të na dërgoje një fjalë a një letër? Ne të kemi pritur. Ti nuk mund të bësh të paditurin. Ne të shkruanim vazhdimisht letra e të dërgonim kartolina, por t’i nuk u përgjigje asnjëherë, kjo është e pafalshme, baba! Na thanë se t’i kishe vdekur, por kjo nuk qenka e vërtetë! Ti ke qenë i gjallë dhe ke heshtur?! Pse kështu baba? Si nuk mendove njëherë për bijën tënde që e le jetime?! Si nuk mendove njëherë për nënën time? Ike dhe na harrove!
Kam qenë i vdekur, bija ime!…
Vazhdoja të qëndroja para shtëpisë. E mendoja që do të ndodhte kështu. Do të më bëheshin shumë pyetje. Do të duheshin shumë përgjigje. Po çfarë t’u tregoja unë? Unë vërtet kisha qenë i vdekur. Po, bija ime, – do t’i thosha, – babai yt ka qenë i vdekur për 32 vjet me radhë. Por edhe i vdekur të kam parë gjithnjë në ëndërr. Herë me shfaqeshe e vogël, ashtu siç të kisha lënë, dhe herë e rritur si një zonjë e vërtetë. T’i më ke bërë baba, bija ime, dhe unë nuk t’u gëzova dot asnjëherë. Tashmë do tjua tregoj historinë: Me t’u kthyer në Shqipëri, më caktuan të punoja si gazetar i Radio Tiranës. Atje punova dy vjet. Gjatë kësaj kohe ne shkëmbenim letra. Ti ishe e vogël atëherë, bija ime. Askush nuk e dinte se do të prisheshim me Bashkimin Sovjetik. Mua kjo gjë nuk m’u duk e mirë. U ngrita në mbledhjen e organizatës së partisë dhe thashë atë që mendoja. Prishja me Bashkimin Sovjetik do të sillte izolimin e Shqipërisë. Kjo do të çonte në ashpërsimin e luftës së klasave në përmasa të papara. Zhvillimi ekonomik i vendit, në mos do të mbetej në vend, do të bënte hapa prapa. Që të gjitha këto i thashë hapur atje në mbledhje. I kisha thënë të gjitha ato që mendoja dhe isha ulur, por pas kësaj mbi mua ranë të gjitha rrufetë. Gjithkush që ngrihej dënonte fjalën time. Nisën të më quanin armik të pushtetit popullor. Fill pas kësaj më përjashtuan nga partia, më hoqën edhe nga puna. Më bënë thirrje të braktisja gruan dhe ty vajza ime. Nuk pranova. Dhe nuk do të pranoja sikur kushedi çfarë të ndodhte me mua. Familja nuk është si një kile qepë që i ble ose i shet në pazar, u thashë atyre, por kjo pak rëndësi kishte për ta.
Komisioni Qendror i Dëbim-Internimeve mori vendimin për të më internuar. Më çuan në një ishull, në Zvërnec të Vlorës. Atje qëndrova 3 vjet. Pas kësaj më çuan në një minierë, në Memaliaj të Tepelenës. Internimi im zgjati 13 vjet. Më ndaluan çdo lloj komunikimi me ju. Më ndaluan të shkruaja letra apo kartolina. Sa herë që t’i bija ime kishe përvjetorin e lindjes, të uroja edhe 100 vjet të tjerë. Shkoja në dyqan dhe të blija një kukull. Të përqafoja me krahët e mi që nga Shqipëria. Përmes ëndrrave të vija te krevati dhe të mbuloja që të mos ftoheshe. Të puthja lehtë që të mos zgjoheshe. Të shikoja kur luaje me shoqet. Por ne kishim mbetur larg njëri-tjetrit. Nuk kisha asnjë mundësi t’u thosha: Jam i internuar, ose të paktën t’u thosha që jam gjallë. Si ta çoja një lajm, bija ime?! Ju më dërgonit letra, por asnjëra prej tyre nuk vinte në dorën time. Ato shkonin në Ministrinë e Brendshme dhe qëndronin atje. As shteti im nuk mori mundimin t’u vinte në dijeni. Po, unë kam qenë i vdekur, Tatjana ime!…
Trokitja dhe takimi me vajzën
E kisha të pamundur të trokisja te dera e asaj shtëpie. Një çast u largova disa hapa. Jo, nuk trokisja dot. Kisha frikë. Çfarë do të ndodhte me vajzën time kur të më shihte?! Trokita te familja përballë. Dera u hap dhe doli një burrë tepër i moshuar. E pyeta ku jetonte Era Vasiljevna Lamova dhe bija e saj, Tatjana. Rusishten e dija mirë, sepse kisha studiuar në Universitetin e Moskës për gazetari. Aty isha njohur edhe me Erën. Ajo ishte në Fakultetin e Filologjisë. Edhe ai më tregoi të njëjtën derë. Atë derë që unë nuk po trokisja dot. E di si është puna, – i thashë… dhe nisa t’i tregoja shumë shkurt: Era Vasiljevna Lamova është gruaja ime dhe Tatjana është bija ime, pork am 32 vjet pa i parë, tashmë nuk kam guxim t’u trokas. Iu luta të trokiste ai dhe, nëse do të delte vajza, t’i thoshte që kishte ardhur babai i saj; nëse do të delte Era, t’i thoshte se kishte ardhur burri i saj; dhe nëse nuk do të delte askush, atëherë unë do të isha vetëm një i vdekur dhe asgjë më shumë. Plaku i mirë e pranoi rolin. Unë shkova pak më tutje dhe u ula në një stol. Prisja… Të gjitha lëvizjet e plakut i ndoqa me ankth. Ai shkoi te dera e tyre… ngriti dorën te butoni i ziles… u dëgjua tingulli i saj…
Ishte vajza ime
Pastaj… pas pak… u hap dera. Doli një vajzë. Ajo ishte Tatjana ime. Po dridhesha i tëri. Nuk isha as i gjallë, as i vdekur. Isha i ulur, por isha i sigurt se nuk do të ngrihesha dot më. Kisha parë vajzë time pas 32 vjetësh. Dëgjova zërin e plakut kur bisedonte me Tatjanën. Ai i tha: Tatjana, ti në Shqipëri ke një njeri që të do shumë. Unë e kam takuar dhe ai është një njeri shumë i mirë. Ai ka ardhur dhe është këtu në Moskë. Ai është babai! – dëgjova zërin e vajzës sime. U rrëqetha i tëri. Atë zë e dëgjoja për herë të parë pas 32 vjetësh. Një çast m’u duk se do të më binte të fikët. Babai! – përsëriti ajo. Po ku është tani? Plaku i mirë rus tregoi me kokë nga stoli ku isha ulur unë. Ajo hodhi vështrimin drejt meje dhe ngriu. I ngrirë kisha mbetur edhe unë. Ajo nuk po vinte drejt meje. Unë nuk po shkoja drejt saj. Na ndanin vetëm disa metra. Bëra të ngrihesha, por nuk po ngrihesha dot. Ndoshta do të kisha mbetur përjetësisht atje tek ai stol si një statujë guri, por atë çast vajza që e kishte kaluar e para hutimin, erdhi drejt meje. Më kapi për krahu dhe më ngriti: Çohu baba! Qenke shumë i lodhur… Mbaj mend se mezi i ngjita ato 6-7 shkallë të asaj shtëpie. Më futi brenda. Edhe aty mbetëm sërish përballë njëri-tjetrit.
Baba sa shumë të kam pritur
Baba, sa shumë të kam pritur, baba! Më ka marrë malli! Ne të dinim të vdekur e t’i qenke gjallë! Si nuk na shkrove një letër, baba? Pas kësaj më hodhi duart në qafë dhe nisi të qante. Nuk kam për ta harrur kurrë atë çast. Kishim shumë për të thënë dhe nuk thoshim dot asgjë. Herë pas herë bënim pyetje, por nuk thuheshin dot përgjigjet, bëhej fjalë për një jetë të tërë… Pas atij takimi të parë, kur e kishim marrë disi veten e pyeta: Po mamaja ku është? Të ka marrë malli? – më tha ajo. Nuk iu përgjigja. Prisja të merrja vesh ku ishte gruaja ime Era Vasiljevna Lamova. Është në punë, – më tha ime bijë, – ja, tani do ta marr në telefon. Ngriti receptorin dhe nisi të fliste me nënën e saj. I tha se kishte ardhur babai. Në anën tjetër të telefonit u dëgjua një ndërprerje, një zë që nuk po fliste dot. Babai?!… Po kur?!… Është aty?!… Gjallë?!… Nënë, – i tha vajza, – dua të të them edhe diçka tjetër: babai është po aq i mirë sa ç’ma ke treguar edhe t’i vetë. Të të them edhe diçka tjetër? As flokët nuk i kanë rënë. Eja, se po të presim të dy.
Tashmë unë kisha një vajzë dhe ajo kishte një baba… Takimi nuk ishte më i lehtë as me gruan. Ajo hyri brenda dhe çuditej që unë kisha qenë i gjallë dhe nuk isha kujtuar një herë për ta. Qante dhe më pyeste pa reshtur: Si nuk u kujtove njëherë për vajzën, pa le për mua jo e jo?! Ne u interesuam edhe në organet kompetente të shtetit tuaj, por na thanë se ti kishte vdekur, por t’i qenke i gjallë! Duhej të kalonim çastet e para që unë të nisja të tregoja për jetën time. Vajza dhe gruaja prisnin të mësonin gjithçka. Nisa t’i tregoja për vitet e internimit, për gjithçka më kishte ndodhur: Më internuan 13 vjet me radhë, – u thashë, – por dënimi im nuk mbaroi këtu. Pas përfundimit të internimit më dënuan me 10 vjet burg. U arrestova më 4 tetor të vitit 1973. Më hodhën prangat në mes të kolektivit. Mbaj mend, kur më hipën në xhipsin e degës, dikush thirri: ‘K-r-i-m-i-n-e-l-i-i-i!… Atë zë nuk kam për ta harruar deri ditën që do t’i shkoj varrit. Çfarë krimineli isha unë?! Kisha bërë krim që kisha grua një ruse dhe që me të kisha një fëmijë?!
Më akuzuan për agjitacion dhe propagandë, që, siç thuhet në aktakuzë, ‘për përmbysje të pushtetit popullor’. Më dërguan në burgun e Ballshit. Gjatë gjithë kohës së hetuesisë qëndrova bashkë me një spiun. Ai çonte tek ata çdo gjë që thosha unë. Torturat ishin çnjerëzore. Ju jeni më të këqij se SS (esesët)!- u thashë një ditë, por pas kësaj torturat u bëhnë edhe më çnjerëzore. Më sollën një hetues nga Tirana. Hetuesi kishte qenë me origjinë nga Vlora, ishte një burrë imcak, mesoburrë i verdhë në fytyrë. Që në seancën e parë të pyetjeve më hodhi duart në fyt e desh të më mbyste. Më tërhoqi zvarrë dhe më shqeu xhaketën. Dha urdhër të më linin vetëm me këmishë në qeli. Ishte tetor dhe bënte shumë ftohtë, birucat ishin të nëndheshme. Sa herë që vinte ai, nxirrte koburen dhe e vinte mbi tavolinë. M’i shtrëngonte prangat deri në kockë. Më shante me nënë, me grua dhe me motër. Do të kishte vazhduar gjatë me këtë mënyrë nëse nuk do t’i thosha: Turp të kesh që je edhe shqiptar! Nënat dhe motrat janë të shenjta për shqiptarin. Deri ditën që dola në gjyq, provova rrahjet dhe poshtërimet që nuk kishin fund. I kalova të gjitha vitet në burgun e Ballshit. Nga amnistia e vitit 1982 përfitova vetëm 3 muaj. Gjithë jeta ime më kaloi në burg. Askush nuk vinte nga familja për të më parë. Gjithë familjen, prindërit, vëllezërit, motrat i kishin internuar në një fshat të thellë të Oparit. Asnjëherë nuk e lanë nënën të vinte të më shihte në burg. Ime shoqe dhe vajza dëgjonin në heshtje. Befas më pyetën: Po pastaj?..
Dola nga burgu në vitin 1982, – vazhdoja të tregoja, – por nuk më lejonin të sistemohesha në asnjë qytet. Më dërguan në krahinën e Gorës, në një fshat të thellë, në Gribec, atje ku ishin të internuar edhe prindërit e mi. Më dërguan të punoja në minierë. Atje punova për 12 vjet me radhë. U ktheva në Korçë vetëm me ardhjen e demokracisë. Ndryshe do të isha atje edhe sot e kësaj dite. Kur dola nga burgu, shkova në Degën e Punëve të Brendshme dhe pyeta nëse më kishte ardhur ndonjë letër nga Moska, por ata më morën për të çmendur. Ata mendonin se unë nuk kisha të drejtë të pyesja as për gruan dhe as për vajzën time. Nuk duhej të pyesja, sepse ju ishit nga Moska, nga një vend që qeveria jonë i kishte prishur marrëdhëniet. Më përzunë. Gjithë jeta ime ishte rrënuar. Kisha ëndërruar shumë të isha dikush, por regjimi më kishte futur në listën e zezë. Mbaj mend që shkollën e mesme e përfundova me medalje dhe ishte kjo arsyeja që më dërguan me studime në Rusi, por që të gjithë ne që përfunduam studimet jashtë shtetit, patëm të njëjtin fat. Vitet kalonin dhe unë gjithnjë ëndërroja një takim me ju. Shpeshherë më dukej e pamundur. Po kur po afronin vitet ’90, shpresat m’u shtuan shumë. Tashmë, siç e shihni, kam marrë rrugën dhe erdha dhe ju gjeta… Tregimi im kishte marrë fund…
Deri atë çast gruaja dhe vajza kishin dëgjuar në heshtje. Kishin dëgjuar gjithçka që u kisha treguar unë. Po kur tregimi im kishte marrë fund, gruaja ime u ngrit në këmbë. T’i më gënjen Foto, – më tha ajo. T’i më gënjen Foto dhe unë nuk mund t’ju besoj! Të gjitha këto që më tregove, nuk janë të besueshme. Si është e mundur që një i internuar apo i dënuar të mos dërgojë letër? Si është e mundur që shteti të pengojë dërgimin e letrave nga qytetarët? Kjo është e pabesueshme, Foto! Ti i tregon gjërat sikur ata të kenë qenë kriminelë dhe jo njerëz. Edhe ne kemi qenë vend komunist, por gjëra të tilla nuk kanë ndodhur kurrë!
Ata ishin të aftë të bënin gjithçka, – ia ktheva – ata nuk ngurronin të të bënin të vdekur, ata nuk nguronin të të internonin e të të burgosnin, por edhe të të vrisnin. Ndërsa thosha të gjitha këto, sime bije nuk i mbaheshin lotët. Ju keni jetuar në një regjim kriminal- më tha ime shoqe, dhe pastaj ra në krahët e mi. Vetëm atë çast m’u duk sikur gjeta prehje për lodhjen e 32 viteve te mia…