Rusia tha se një avion transportues ushtarak me 65 të burgosur ukrainas të luftës u rrëzua mëngjesin e së mërkurës në një rajon rus afër Ukrainës.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit në rajonin e Belgorodit ose nëse dikush mbijetoi. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk arriti të konfirmojë se kush ishte në avion dhe ukrainasit nuk bënë ndonjë koment të menjëhershëm.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një komision i posaçëm ushtarak ishte rrugës për në vendin e rrëzimit.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti, duke cituar ministrinë, tha se të burgosurit po transportoheshin në rajonin kufitar për një shkëmbim me Ukrainën.
Duke folur në telefonatën e tij të mëngjesit me gazetarët, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit Vladimir Putin, tha se nuk mund të komentonte mbi rrëzimin pasi nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të.
Forcat ajrore ruse kanë pësuar një sërë rrëzimesh që disa vëzhgues thonë se është rrjedhojë e një numri më të madh fluturimesh në mes të luftimeve në Ukrainë.
Shtatëqind ditë pasi forcat e Kremlinit u futën në Ukrainë, vija e frontit 1500 kilometra është kryesisht e palëvizshme mes motit të akullt. Ndërsa të dyja palët kërkojnë të plotësojnë rezervat e tyre të armëve, lufta kohët e fundit është përqendruar në sulme me rreze të gjatë.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se një sulm rus me raketa të martën la pas vetes 18 të vrarë dhe 130 të plagosur.
Breshëria, goditi 130 ndërtesa banimi në tre qytete të Ukrainës, “të gjitha shtëpi të zakonshme”, tha presidenti Zelenskyy në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter.
Sulmi i Rusisë, i cili përfshinte objektiva në kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv, ishte më i madhi në javët e fundit dhe u dha peshë thirrjeve të presidentit Zelenskyy për aleatët perëndimorë që të ofrojë më shumë ndihmë ushtarake.
“Këtë vit, përparësi është forcimi i mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet dhe qytezat tona, si dhe për të mbrojtur pozicionet në vijën e frontit,” tha presidenti Zelenskyy në rrjetin X të martën vonë.