Shënime për librin “ Syri i hanës” të Ramush Nikçit.
Përtej përditshmërisë tonë, shpesh çastet ikin dhe saora kthehen në të shkuar, kthehen në kujtime, të cilat më pas duam ti rikthejmë në të sotmen , duke u përpjekur ti ndriçojmë përsëri dhe ti ngjyejmë me dëshirat tona të preferuara.
Por gjithësesi ato mbeten kujtime dhe sado të mundohemi vështirë tu japim dot tonet dhe ngjyrat që ato kishin kur ngjarjet jetësore kanë ndodhur apo kur i kemi përjetuar me krejt qënien tonë në dridhjen emocionale dhe shpirtërore të tyre.
Ndryshe poeti, krijuesi, i shpallur apo i panjohur, njeri publik apo i zakonshëm, tej çdo tabloje të ngjarjes dhe ndodhive zbulon vazhdimisht detaje të imta qënësore, thellohet në kuptimin e vertetë të imazheve, shkon pas shkronjave, fjalëve, dritave dhe zhurmave, tej errësirës ndez kandilin delikat të ndjenjës dhe zbulon për lexuesin shumçka nga dukja dhe shfaqja e vertetë, duke e detyruar atë të ëndërrojë, të rishprehet, të rishohë dhe ti lidhë ngjarjet dhe dukuritë e së përditshmes me ato personale.
Duke shërbyer si mesazh për vazhdimin, duke motivuar dhe duke u përpjekur ta bëjë jetën si një shfaqje më të butë dhe më të adhuruar për gjithësecilin prej nesh.
Në librin poetik “ Syri i hanës” të Ramush Nikçit, autori dialogon me veten dhe bashkëudhëtarët e tij, duke e vështruar tablonë e jetës në mënyrë sa më romantike, por një romantikë e thellë dhe ironike, e cila sa e bukur dhe me figuracion befasues na vjen dhe si satirë mes natyrës së mrekullueshme të vendlindjes së tij dhe traditave që ngadalë po shuhen sadopak në përballjen me globalizmin dhe dukuritë e reja sociale:
Pa rreze, pa dritë la një nanë me fëmi
Por me moral hekur siç e mësoi tradita
Shpirtbardhë si borë mali , që nuk veron zi
Zgjuar e zë nata, pa gjumë e çel drita
i thotë territ ndal,unë luftoj në ty!
Pejsazhi dhe tabloja që çdo lexues përfton nga libri i Nikçit është malsia, është hana dhe dielli, malet dhe bagëtia, silueta drithëruese e çobaneshës çdo mëngjes, hija e rëndë e babës dhe ajo delikate e nanës, por edhe refleksione sociale që dalin zbuluar nga ndryshimet e sjelljeve tona shpeshherë të çuditshme në jetë, shprehur nga poeti në titujt si: Rrokupujë, Leckamani, Djali i shefit, Bukëpërmbysuri, Leckamani, Eracakët, Turikuqi, Frikacaku, Faqekeqi…
Përmbledhur në mënyrë figurative me togfjalëshin “Se njeh qeni të zonë”…
Pagjuhë si memec niset në qytet,
Çdo ditë në shoqëri të cakullit bosh
Se çka i sjell dita nuk e di as vet
Ec në kamë si shota, kaçubën kokosh
Ndoshta i mbush xhepat me kore të thata
Zbrazët pa një lugë kosi sikur herash tjera
Me ditët pa dritë dhe me netë të gjata
Me xhama najlloni përplasur nga era…
Poeti konstaton dhimbshëm, lëkundet mes trishtimit paskaj dhe shpresës se një ditë prapë do të jetë ndryshe dhe përmes metaforash të fuqishme, të cilat harmonizohen hijshëm në vargjet e rimuara dhe të balancuara nga lirika të qeta dhe aq të këndshme, të cilat kanë aromë agu dhe muzgu, shije dredhëze dhe boronice dhe afsh malësor, që ndjellin kuptimin e duhur të çdo dite dhe çdo çasti:
Eja shkojmë te kerrshi i gjatë
Përballë qiellit ne të dy
Si kalorës që pret me shpatë
Përqafojmë kodrat me sy…
Por edhe si atdhetar i mirëfilltë, si patriot i natyrshëm, pa za të naltë fals dhe parulla të rëndomta, ai arrin të sendërtojë elementin sensibilizues bash tash kur më shumë se kurrë rreziku për kombin e bashkuar krokat tutje dhe korbat shekullore akoma ndjellin zi për fatin tonë. Poeti sjell shembujt e duhur të përballjeve tona historike dhe shpërfaq pozicionin e tij si individ por edhe apelon që të jemi vazhdimisht të ndergjegjësuar dhe syhapur kah e verteta historike dhe mësimet e saj në kohë:
Mesnatë e trishtë
Siç e kanë zakon pasi hedhin gurin
E fshehin dorëndytën n’xhepa pelegrinësh
Prirë nga kryekrajli maskuar pas murit
Nëpër zyra ferri si lugat përbindësh
Me guxim të brishtë…
Krejt libri i Nikçit është ndërtuar dhe mbahet në tre shtylla të rëndësishme, që dallohen dhe ndjehen së brëndshmi ndërsa lexon dhe kupton dinamikën e tij shpirtërore: Atdheu dhe fati i tij, njeriu dhe përballja dinjitoze me të sotmen për të ruajtur identitetin dhe dashuria si ndjenjë përmbi gjithçka tjetër që si fill lidh dhe ngjit të shkuarën dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Ka qartësi ideore, fjalëformime interesante, gjuha është e pasur dhe e ngrohtë në gërshetimin mes tradicionales dhe bashkëkohores, thjeshtësia dhe modestia e poetit si dhe sinqeriteti i shpalljes së kredove personale dhe angazhimit të tij social e bëjnë joshes dhe aq interesant leximin me një frymë të librit, duke të dhuruar momente frymëzuese. Në fund të fundit ky është misioni i një poezie të mirë, mirëfilli të lindur nga të jetuarit aktiv, objektivisht të realitetit:
Njè qiell i ri sot rifreskon ndër breza
Me cicërima zogjsh kudo në degë pyjesh
Me krahë të ngjyrosur kolorit nga rrezja
N’udhëgjatë abetaresh ndër beteja yjesh…
Një libër i ri i Ramush Nikçit ku syri i tij poetik ka zmadhuar bukur bebëzat, fokuson më qartë motive të qënësishme dhe mpreh imagjinatën kah e ardhmja, me një vision premtues dhe hap mundësi të shenjuara figurative, duke rrëfyer faktin se nuk është rastësisht në udhën e dëshiruar, por jo pak të mundimshme të poezisë.
Tropojë, Nëntor 2023