Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se opozita nuk bllokoi komisionin e Reformës Zgjedhore, por ishte mazhoranca që kërkoi t’i hidhte sy qytetarëve.
Bardhi u shpreh se Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj nuk do pjesëmarrjen e opozitës në komision. Bardhi shtoi se opozita dëshiron të marrë pjesë në Komision po nuk po lejohet ta bëjë një gjë të tillë.
“Në fakt, qëllimi i sotëm ishte t’i hidhnin hi sy qytetarëve se dëshirojnë Reformë Zgjedhore. Po të donin, do e kishin mbyllur brenda këtyre dy viteve. Sot, opozita nuk ka bllokuar komisionin. Është mozhoranca që ka bllokuar opozitën, pasi ka qëllim të bllokojë komisionin e Reformës Zgjedhore. Rama nuk do të bëjë zgjedhje të ndershme, prandaj nuk e lejon opozitën. Opozita do të marrë pjesë në Komision, por nuk po lejohet. Reforma Zgjedhore po mbahet peng nga Edi Rama. I kemi mbështetur për dy vite për ta çuar para Reformën. Ata e bllokuan punën e Komisionit për dy vite. Nëse ne nuk do të ngrinim zërin, sot Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk do të ishte fare temë. Do të ishte e varrosur, siç e kishin varrosur në harresë gjatë këtyre dy viteve,” tha Bardhi.
“Kompozimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore është një model që është aplikuar në Shqipëri që nga viti 2002. Kolegëve ne u kemi dhënë besimin për dy vite ta bënin reformën zgjedhore, e mbajtën të bllokuar. Kanë humbur besimin e atyre që i kanë mandatar.
Ju e patë që një pjesë e atyre që pretendojnë se përfaqësojnë popullin opozitar, sot nuk ishin as në mbledhje. Ata mund të shkojnë edhe të mblidhen edhe te vila e Edi Ramës në Surrel. Unë po flas për një reformë zgjedhore që përmbush standardet e OSBE/ODIHR. Dhe që të përmbushë standardet e OSBE/ODIHR duhet të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Dhe gjithëpërfshirje do të thotë sipas proporcionit që ka secili grupi parlamentar të ketë përfaqësimin në komision.
Nuk mund të ndodhë që 7 deputetë të kenë 4 anëtarë në komisionin e reformës zgjedhore dhe 50 e ca deputetë të kenë 3 anëtarë sepse do ishte jashtë çdo logjike parlamentare, por dhe matematikore. Unë e kuptoj që ata kanë probleme matematikore, por nuk mundet që 7 deputetë të përbëjnë dy të tretën e përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore,” tha Bardhi.