Dihet se 2-3 dekadat e fundit plani i sheshit Skënderbej ka pësuar ndryshime dhe metamorfoza nja 100 herë. Tani për tani s’ka shenja të “Manhatanizimit” të Tiranës, mirëpo kjo s’do të thotë se nuk hetohet zhvillimi arkitektonik dhe ndryshimet urbanistike. Gjithsesi, para vetë fillimit të komentit duhet sqaruar: vetë nuk jam arkitekt, andaj s’është se do “përzihem” rreth ekspertizave të arkitektëve. Mora guximin të komentoj rreth arkitekturës më shumë në kuptimin “artistik” (pasi arkitektura është dhe art). Dhe sepse, duke lexuar njeriu ç’thonë arkitektët për 20-30 vjet me radhë, qebesa gjithkush i mëson ca gjëra themelore të arkitekturales dhe të planeve urbanistike : )
Sipas Internetit, Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe është e njohur për arkitekturën shumëngjyrëshe, për arkitekturën allaturka-osmane, për arkitekturën fashiste-italiane dhe për arkitekturën e epokës sovjetike. Mirëpo ky thuktim gjoja si “përshkrim” i Tiranës padyshim do jetë i vjetër, përshkrim dekadent. Tirana s’ka ngelur në “vend”, po bëhen sëpaku 25 vjet duke ndërtuar e duke u zbukuruar.
Nëse ta sillnim ndërmend Tiranën e 1970-ave, ’80-ave, nëse t’i imagjinonim ato promenadat e buzëmbrëmjes kur thuase e gjithë Shqipëria do dilnin në shesh, nëse ta kujtonim shehin Skënderbej si “korzo” të Tiranës, dhe nëse t’thoshim se ishte shetitorja më idileske e gjithë botës, padyshim do ishte e vërtetë. Sepse s’kishte as makina as oshtima, as motoçikleta as trotineta. Decibelazhi i zhurmës kolektive duhet t’ketë qenë jashtëzakonisht optimal.
Ajri atëbotë filtërohej nga vetë mushkëritë e Dajtit, njësoj siç dhe sot e kësaj dite, pa le që nuk ndotej nga asgjë… veç e thamë, as motoçikleta as trotineta. Apo megjithatë… s’duhet ekzagjeruar, rrallë aty-këtu ndonjë çikletë dhe binte në sy, teksa ndonjëri Romeo harrestar në nguti e sipër, duke i dhënë furishëm, meqë do vonohej për “takimin” me Xhulieta-bukuroshen e kombinatit : )
Mirëpo edhe kjo retro-nostalgji si mbamendje e jona do ishte “përshkrim” kot, mbase i saktë për kohën e atëherëshme, por dmth. histori e “zverdhur”. Kur dihet se dhe vetëm 2-3 dekadat e fundit plani i sheshit Skënderbej ka pësuar ndryshime e metamorfoza nja 100 herë (këtu ia vlen ekzagjerimi, qëllimisht)!
Është e qartë se arkitektura e Tiranës ka lëvizur, se urbanistika kanë ecur përpara, ndoshta jo pikërisht sipas të gjitha “pritshmërive” të arkitektëve, por ka dhe detaje që përputhen me parapritjet e tyre. Ndoshta tiparet më të spikatura të këtij progresi janë “brukselizimi”, “vankuverizimi”, por dhe “kopenhagenizimi”. Sa i përket zhvillimit të Tiranës në të ardhmen pritet që njerëzia t’i hetojnë dhe shenjat e “manhatanizimit”, dhe ose të tilla dukuri të ngjashme progresiste.
“Brukselizimi” i Tiranës
Në planifikimin urban, “Brukselizimi” si term ironik ka t’bëjë me “ndërtimin pa kritere dhe të pakujdesshëm të ndërtesave moderne të larta në lagjet e zhveshura dhe të vjetra”. Termi nënkupton “zhvillimin e paplanifikuar mirëfilli, dhe rizhvillimin ad hoc urban”. Nocioni zbatohet për kudo që t’jetë fjala, për cilëndo qendër urbanistike a qytet – zhvillimi i të cilit qytet e ndjek modelin e zhvillimit të pakontrolluar të Brukselit në vitet 1960 dhe 1970.
“Kopenhagenizimi” i Tiranës
Kopenhagenizimi është një strategji e projektimit urbanistik, me të cilën planifikimi dhe dizajni urban përqendrohen në bërjen e një qyteti më të qasshëm për çiklistët dhe për këmbësorët, ndërsa më pak të varur nga makinat. Tirana vërtet kishte nevojë për sadopak “kopenhagenizim”, vetëm 1 a 2 dekada më përpara trafiku i Tiranës ishte “katastrofë” urbane e llojit të vet…
“Vankuverizimi” i Tiranës
Vankuverizimi është fenomen urbanistik-arkitektonik të cilin ekspertët e kanë hetuar gjatë zhvillimit të Vankuver (Kanada). Karakterizohet nga dendësia rezidenciale, nga popullsia e madhe që jeton në qendër të qytetit, nga objektet rretherrotull qendrës me përdorime të përziera, objekte ose ndërtesa me bazë komerciale dhe që ngriten tutje si kulla rezidenciale të larta.
“Manhatanizimi” i Tiranës
Tani për tani s’ka shenja të “Manhatanizimit” të Tiranës, por në të ardhmen pritet dhe ky fenomen. Manhatanizimi është një neologjizëm i shpikur për ta përshkruar ndërtimin e shumë objekteve të larta ose me vendndodhje të dendur, dendësi arkitekturale që e transformon pamjen dhe karakterin e një pjese të qytetit, pamje që është e ngjashme me Manhatanin, lagjen më popullsi më të dendur, lagjen më të populluar të Nju Jorkut.
Main-hattan (Gjermani)
Një shembull i neologjizmit është Main-hattan (Gjermani) – Mainhattan është distrikti qendror i biznesit në Frankfurt të Gjermanisë. Neologjizmi është një “portmanto” i fjalës Main (lumi në të cilin shtrihet Frankfurti), dhe Manhattan, një referencë për lartësitë dhe rrokaqiejt mbresëlënës të zonës së brendshme të qytetit Frankfurt.
Sanhattan (Kili)
Shembulli tjetër i ngjashëm, Sanhattan (Kili) – Sanhattan, edhe ky neologjizëm është term “portmanto” (2 fjalë të kombinuara), për kryeqytetin Santiago dhe Manhattan-in njujorkez, është një lloj nofke ironike për distriktin financiar të kryeqytetit të Kilit, Santiago.