Prishtinë – Ka ndërruar jetë shkrimtari i njohur Adem Gashi. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të tij përmes një njoftimi në ‘Facebook’.Varrimi i Ademit bëhet sot (e martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc të Drenasit.
Adem Gashi lindi më 18.10.1953 në Nekoc të Gllogocit. Shkollimin fillor e kreu në Nekoc dhe Komoran, derisa shkollën normale në Prishtinë. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare, por është detyruar t’i ndërpresë për shkak të burgosjes, më 1982.
Më 1973 u punësua si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc. Më 1977 u punësua në Radiotelevizionin e Prishtinës. Më 1996, bashkë me Enver Malokun, punoi në redaksinë e revistës ORA, ku publikoi një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare.
Po më 1996 emërohet drejtor i Televizionit të Kosovës në Tiranë, për Programin satelitor, deri më 1999, kur pas çlirimit emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës. Në të njëjtin vit u zgjidh nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e më pas në vitin 2001 zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilin funksion e mbajti deri më 2005.
Ka qenë edhe këshilltar i lartë politik në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Publikim të parë e ka poezinë “Pranvera”, botuar në “Pionieri” (1966), derisa botime tjera me poezi janë edhe: Pa ombrellë, 1982; Dduke punuar autoportretin, 1985; Realiteti objektiv, 1990; Ëndrra të liga, 1995; Dorëshkrimi i djegur, 2000; Lulet e vetmuara, 2001/2002; Lady Mak(th)beth, 2006; Kthimi i pamundur, Lady, 2013; Labirintet e Makthit, 2015; S’i duhet kujt gjaku im, 2016; Shi dhe zog i vetmuar, 2016, Ditët pa gjë, 2017; Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë, 2017.
Po ashtu ka pasur tri botime me tregime: Vdekja e mixhës, 1987, Pëllumbi i Paqes, 1989 dhe Udhëtimi i fundit, 2002, pastaj romanet A…Zh – Vetëtimat e nëntorit, 2005, Dita tjetër e jetës, 2014, si dhe librat eseistikë, vështrime e studime: Nostalgjia e letrës, 2003 dhe Portali i fshehtë i jetës, 2007.