Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani tha të martën në Prishtinë se siguria dhe qëndrueshmëria në Ballkanin perëndimor janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit, ndërsa i kërkoi Sëerbisë t’i jap fund dërgimit të ushtrisë së saj në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe i ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri, pra askush nuk duhet të vazhdojë këtë lojë që është qesharake, se gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin e sovranitetin e Kosovës është NATO-ja ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha ai.
Ministri Hasani i cili takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, tha se rajoni është duke kaluar një periudhë të vështirë.
“Ne e kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar dhe armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit Kosovës. Sulmi ishte kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë më pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha ai.
Ministri Hasani përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për të nënshkruar të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë pa kushte, ndërsa i bëri thirrje diplomacisë perëndimore që të nxisë përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se tashmë është radha e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian që ta ulin Serbinë në tryezën e bisedimeve me një qasje konstruktive për të nënshkruar marrëveshjet.
“Bashkimi Evropian duhet të mendojë mirë se cila është rrugë në të ardhmen, si do veprojë jo vetëm me marrëveshjet e ndryshme mes Kosovës dhe Serbisë, por cila është perspektiva e vitit 2024. Do të vazhdojë BE-ja me ledhatimin e Serbisë, me injorimin e rrezikut real që nga vjen nga Serbia jo vetëm për Kosovën por edhe shtetet tjera në rajon, apo do të ketë një ndryshim në qasje”, tha ministrja Gërvalla.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Zoti Lajçak publikoi në rrjetet sociale njoftimin për një takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Jim O’Brien, për të diskutuar zhvillimet në rajonin e Ballkanit. “Ne duam të shohim rajonin duke ecur përpara për të mirën e qytetarëve të tyre. Është mirë të rikonfirmojmë se jemi plotësisht në të njëjtën vijë”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale.
Diplomatët perëndimor presin nga qeveria e Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa nga qeveria e Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës. Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës.
Bashkimi Evropian ka theksuar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se Komisioni Evropian po punon për të përfshirë zbatimin e saj në kuadrin e negociatave të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.