Flet Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas
Ecuria e ekonomisë në vitin 2023 ishte më e mirë sesa parashikohej në fillim, duke treguar potencialin e madh të Shqipërisë, sidomos turizmit.
Por, përtej optimizmit të shifrave, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas, pohon se kjo po vjen kryesisht nga ndërtimi dhe konsumi dhe këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit.
Ndaj, e rëndësishme për të është investimi në kapitalin njerëzor, teksa humbja e tij është një rrezik kritik për Shqipërinë.
“Duhet të përqendrohemi të gjithë (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret”, thotë z. Salinas, duke rekomanduar të orientohen urgjentisht investimet në kapitalin njerëzor si prioriteti më i rëndësishëm për Shqipërinë.
Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023? Si ishte ecuria krahasuar me parashikimin tuaj fillestar dhe pse?
Shkurt, ishte shumë më mirë sesa prisnim. Ky është një nga ato raste kur jam shumë i lumtur që gabova. Këto tendenca tregojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë. Veçanërisht mbresëlënëse ishte ecuria e sektorit të turizmit.
Është e qartë që Shqipëria është në radarin e udhëtarëve nga e gjithë bota. Vendi e meriton këtë, duke pasur parasysh kombinimin e jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore, bukurisë natyrore dhe njerëzve të ngrohtë dhe mikpritës.
Si pritet të jetë progresi i ekonomisë së vendit në vitin 2024? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
Shqipëria ka pasur një ecuri mbresëlënëse vitet e fundit, fillimisht me një rimëkëmbje shumë të fortë pas pandemisë dhe më pas duke arritur norma rritjeje që ishin ndër më të lartat në rajon.
Nëse nuk ka surpriza të mëdha, shpresoj që ky trend të vazhdojë në vitin 2024 dhe më tej.
Në të njëjtën kohë, siç e dini, ndërtimi dhe konsumi kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e Shqipërisë në vitet e fundit. Jam i dyzuar për këtë tendencë.
Në një anë po, është mirë të ketë rritje, por është e qartë se këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë – dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit.
Pra, është e rëndësishme për të gjithë ne të përdorim këtë fazë rritjeje në mënyrë proaktive, për të ecur shpejt në transformimin e ekonomisë nga ndërtimi dhe konsumi në investime, dhe nga rritja e brendshme në rritje të orientuar nga eksporti – që është mënyra e vetme në të cilën mund të krijohen në mënyrë të qëndrueshme vende më të mira pune dhe një jetë më cilësore.
Cilat janë rreziqet kryesore që Shqipëria mund të përballet në afat të mesëm dhe afat të gjatë dhe sa e përgatitur është qeveria për t’i përballuar ato?
Çdo herë që vjen fundi i vitit, shikojmë pas dhe pyesim “si shkoi ky vit?” dhe pastaj hedhim vështrimin përpara dhe pyesim “çfarë do të sjellë viti i ri?”. Dhe është e lehtë të shqetësohemi. Jetojmë në kohë të paqarta dhe ne, si humanë, na duket e dhimbshme paqartësia.
Por, ndërkohë duhet të bëjmë një dallim të qartë midis paqartësisë dhe rreziqeve. Rreziqet janë të njohura dhe të matshme dhe më e rëndësishmja është se mund të ndërmarrim veprime për të zvogëluar ndikimin e tyre mbi ne.
Një shembull i thjeshtë: nëse jemi të ekspozuar ndaj rrezikut të rritjes së normave të interesit, është e mundur që të vlerësojmë ndikimin e tyre në xhepat tanë nëse ato rriten.
Ne mund të zvogëlojmë këtë ndikim – ndoshta duke mos marrë një kredi për atë makinë të re që shkëlqen ose iPhone më të ri?
Në anën tjetër, paqartësia është e panjohur dhe si rrjedhojë e pamatshme dhe, më e rëndësishmja, nuk mund të bëjmë shumë në lidhje me të, përveçse të humbim kohë dhe energji duke u shqetësuar.
A do të ketë një pandemi të re? Çfarë do të ndodhë me sulmin e Rusisë në Ukrainë? A do të bëjë Inteligjenca Artificiale (AI) që të zhduken të gjitha punët tona?
A do të dominojë ajo mbi njerëzimin? Thjesht nuk ka kufi për numrin e gjërave që mund të shqetësohemi. Por a mund të bëjmë diçka në lidhje me këtë? Ju, unë, mund të bëjmë shumë pak.
Pra, le të fokusohemi në atë që ne, ju, unë, mund dhe duhet të shqetësohemi dhe të ndërmarrim veprime në lidhje me to, ose jo. Ose siç thotë një thënie meksikane e vjetër, “mos u shqetëso, por vepro!”.
Shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë rreziku i humbjes së kapitalit njerëzor të Shqipërisë.
Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.
Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv.
Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirëpërdorur. Që të arrihet kjo, duhen politika të mirëmenduara dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.
E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim. Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë.
Emigrimi i fuqisë punëtore shqiptare është bërë një problem i rëndë për ekonominë dhe bizneset. Sipas mendimit tuaj, si po ndikon kjo në ekonomi dhe çfarë duhet të bëjnë qeveria dhe aktorët tjerë për të frenuar shkallën e emigrimit?
Po, kjo është shqetësuese nga perspektiva makroekonomike dhe e trishtueshme nga perspektiva njerëzore. Por ne duhet të ndryshojmë fokusin nga migrimi (i cili është rezultati i një morie faktorësh) në forcimin e kapitalit njerëzor që mbetet në Shqipëri.
Personalisht, nuk mendoj se ka një qasje të përshtatshme, ose madje humane për të frenuar migrimin – ne, njerëzit, jemi një specie migruese, është në ADN tonë!
Si të tillë, shkojmë kudo ku shohim kushte më të mira për jetën dhe perspektiva më të mira për pasardhësit tanë, dhe do të doja që të mbetet e drejta për ta ndërmarrë këtë vendim individualisht.
Pra, nuk bëhet fjalë realisht për të parandaluar lëvizjen, por për të krijuar ato kushte këtu që të rinjtë shqiptarë të zgjedhin të rrinë dhe ata që kanë ikur, të zgjedhin natyrshëm të kthehen. Kjo do të thotë që Shqipëria të bëhet zgjedhje natyrale e njerëzve për të pasur një jetë të shëndetshme, produktive dhe të pëlqyeshme.
Kjo është një çështje shumë e gjerë, që varet nga faktorë të shumtë, çka mund të na bëjë të humbim fokusin.
Pra nuk duhet të shpërqendrohemi nga ky kompleksitet, por të përqendrohemi në atë që mund (dhe duhet) të ndikojmë. Mendoj se duhet të përqendrohemi të gjithë së bashku (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret.
Axhenda e kapitalit njerëzor është shumë, shumë më e gjerë sesa migrimi, por fatmirësisht, është një axhendë që e kemi plotësisht në dorë që ta menaxhojmë:
Së pari, duhet të sigurohemi që të rinjtë shqiptarë të pajisen me aftësitë dhe njohuritë që do t’u mundësojnë atyre të kenë jetë produktive dhe akses në punë më të mira. Fatkeqësisht, ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Rezultatet e fundit të PISA-s në Shqipëri janë shqetësuese.
Sipas këtyre treguesve, 70% e vajzave 15-vjeçare (77% e djemve) nuk kanë arritur aftësi bazë në matematikë dhe 65% e vajzave (81% e djemve) nuk kanë arritur aftësi bazë në lexim.
Aftësitë bazë do të thonë “një nivel bazë i aftësisë që nevojitet për të marrë pjesë në mënyrë efektive dhe produktive në shoqëri dhe në të nxënit në të ardhmen”.
Për më tepër, këto rezultate ishin më të këqija se ato të arritura në 2018-n, duke reflektuar efektin negativ të pandemisë në aftësitë e të mësuarit.
Vetëm duke e parë këto rezultate, kam përshtypjen se ne kemi nevojë për një reformë të madhe të sistemit arsimor, për të rritur rrënjësisht cilësinë dhe rëndësinë e tij.
Kohët e fundit kemi filluar të punojmë ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të vlerësuar këtë sfidë dhe për të paraqitur zgjidhje të zbatueshme. Personalisht, e shoh këtë si prioritetin tim kryesor për vitin që hymë.
Së dyti, ka të bëjë me një jetë të shëndetshme. Ne vlerësojmë se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim.
Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale.
Me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ne kemi rindërtuar spitalet e prekura nga tërmeti i 2019-s dhe kemi rinovuar spitalet rajonale me pajisje më të mira dhe me një sistem të ri informacioni menaxhues për të rritur cilësinë dhe përshtatshmërinë e shërbimit.
E gjithë kjo është një bazë e mirë, por mendoj se nevojitet më shumë për të mundësuar jetë të shëndetshme në të gjithë vendin.
Së treti, ka të bëjë me aftësimin e grave për të qenë ekonomikisht aktive. Siç e dimë, gratë kanë arritjet më të larta arsimore, gjë që është shumë e mirë.
Megjithatë, dimë gjithashtu se pas lindjes së fëmijës, shumë gra nuk janë në gjendje të jenë ekonomikisht plotësisht aktive, për shkak të barrës së punëve shtëpiake dhe kohës që i kushtojnë rritjes së fëmijëve apo kujdesit për të moshuarit.
Të dyja këto janë rezultat i kufizimeve në ofrimin e kujdesit për fëmijët, orët e shkurtra të shkollës dhe normat sociale. Pra, një numër i madh i grave (sërish pjesa më e arsimuar e shoqërisë shqiptare) në masë të madhe mbeten në shtëpi, duke bërë punë pa pagesë.
Një analizë e kohëve të fundit nga Expertise France vlerëson se, nëse do të konvertonim shumën e një pune të tillë të papaguar, ajo do të ishte ekuivalenti i 1.3 milionë punëtorëve dhe nëse do të kuantifikohej, do të ishte rreth 32% e PBB-së.
Me fjalë të tjera, kjo është shuma e subvencionit që gratë sjellin për pjesën tjetër të ekonomisë shqiptare, për të gjithë ne, nëpërmjet punëve të papaguara të shtëpisë.
Por përtej kuantifikimit të pastër në termat e PBB-së, nuk mund të imagjinohet se çfarë idesh të reja, kompani të reja, shpikje të reja, krijime të reja nuk do të ndodhin kurrë, për shkak të mospërdorimit të talentit të grave.
Vazhdimisht ne kemi bërë thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme për këtë çështje.
Ndërsa nuk mund t’i ndryshojmë normat sociale brenda natës, mund të fillojmë nga investimi në ofrimin e kujdesit të përshtatshëm të fëmijëve në të gjithë vendin. Përfitimi që mund të ketë Shqipëria nga kjo ka të ngjarë të jetë disa herë më i lartë se shuma e investimit të nevojshëm.
Kemi pasur diskutime premtuese me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe mendoj se jemi pranë ecjes përpara për të pasur një zgjidhje. Le të shpresojmë për këtë!
Së katërti, ka të bëjë me angazhimin e talentit dhe energjisë së të rinjve. Ne vlerësojmë se rreth 27% e të rinjve në Shqipëri janë të papunë dhe 25% tjetër janë joaktivë (nuk marrin pjesë në mënyrë aktive në arsim, punësim apo trajnim).
Kjo është një humbje që asnjë vend nuk mund ta përballojë! Është si të përdorësh vetëm njërën këmbë në një maratonë.
Për më tepër, përtej implikimeve makroekonomike, ka edhe aspekte të pafavorshme sociale, që ka shumë të ngjarë të lidhen me këtë – siç e thotë dhe shprehja franceze “L’oisiveté est mère de tous les vices” (Përtacia është mëma e gjithë veseve).
Rritja e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të rinjve është një çështje komplekse në vetvete.
Por, siç e përmenda më parë, është e rëndësishme që të mos humbasësh në kompleksitetin e çështjes dhe të fokusohemi në atë që nevojitet pavarësisht se çfarë, duke përfshirë përmirësimin e arsimit bazë dhe profesional për mundësi më të mira pune, dhe më e rëndësishmja, mendoj se ne duhet t’i dëgjojmë kolektivisht me më shumë vëmendje vetë të rinjtë, ndërsa punojmë për të gjetur zgjidhjet e prekshme.
I jam mirënjohës ministres së Rinisë dhe Fëmijëve, pasi më afron vazhdimisht me të rinjtë shqiptarë dhe zërat e tyre. Për momentin, do të thosha se po dëgjojmë në mënyrë aktive dhe shpresoj që 2024 të jetë viti i marrjes së vendimeve përfundimtare.
Së pesti, ka të bëjë me shfrytëzimin e potencialit të kapitalit njerëzor global të Shqipërisë. Diaspora shqiptare ka demonstruar aftësinë për të pasur sukses në fusha konkurruese në ekonomitë më të përparuara.
Është koha që të mos e shohim më migrimin si një humbje të përhershme të talenteve dhe ta shohim atë si një mundësi për të rikthyer ekspertizën, njohuritë dhe lidhjet me industritë globale që bashkëjetojnë me diasporën shqiptare jashtë vendit.
Ka shumë vende që kanë pasur sukses (mendoni Irlandën), duke shfrytëzuar diasporën për të përshpejtuar transformimin e vendit të origjinës. Në mënyrë të ngjashme ka me mijëra që kthehen nga vendet e BE-së në Shqipëri.
Duhet të bëjmë të mundur që ata të gjejnë një shoqëri që i mirëpret dhe një rrugë të sigurt drejt integrimit ekonomik.
–Së gjashti, bëhet fjalë për lidhjen më efikase të punëkërkuesve me punëdhënësit. Ne e shohim një treg të pazakontë të punës ku në të njëjtën kohë ka kërkesë të lartë për punë dhe nga ana tjetër, ka një përqindje të lartë të njerëzve ekonomikisht joaktivë.
Në këtë kontekst, duhet të rimendojmë dhe ndoshta të rinovojmë qasjet e tregut aktiv të punës (PATP) për t’u siguruar që ato të jenë sa më efektive që të jetë e mundur në përputhjen e ofertës dhe kërkesës për punë.
Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kemi përgatitur një program të ri, që do të përmirësojë rrënjësisht efikasitetin e PATP në Shqipëri dhe po ashtu do të përmirësojë efikasitetin dhe eficiencën e mbrojtjes sociale, duke krijuar mundësi për përfshirjen ekonomike të atyre që nuk përfshihen aktualisht.
Por e gjithë kjo përmblidhet në një gjë: ne të gjithë duhet të orientojmë urgjentisht investimet në kapitalin njerëzor si prioritetin më të rëndësishëm për Shqipërinë.
Jam i sigurt se çdo para e investuar në kapitalin njerëzor ka ndikim të shumëfishtë në zhvillimin e përgjithshëm të Shqipërisë… dhe, për rrjedhojë, çdo para e nevojshme që nuk investohet tani, mbart humbje të shumëfishtë për brezat që do të vijnë.
Shqipëria po humbet avantazhin konkurrues kryesor të kostove të ulëta të punës, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave. Cili duhet të jetë fokusi në të ardhmen për të tërhequr investime të huaja?
Mendoj se përparësia konkurruese e Shqipërisë nuk duhet të jetë kostoja e ulët e punës. Ne thjesht nuk mund të avancojmë në konvergjencën në BE dhe drejt një vendi me të ardhura të larta, duke u bazuar te pagat e ulëta.
Unë e shoh këtë si një thirrje zgjimi: Ne duhet ta transformojmë ekonominë drejt prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe duhet ta bëjmë këtë shpejt. Dhe për të arritur këtë (më falni që po përsërisim), ne duhet të shfrytëzojmë kapitalin tonë njerëzor. Thjesht nuk ka rrugë tjetër.
Ju përmendni Investimet e Huaja Direkte (IHD), por mendoj se duhet të jemi të saktë kur flasim.
Ekzistojnë lloje të ndryshme të IHD-ve nga investimet që kërkojnë burime (investitorët që vijnë në vend duke kërkuar qasje në burimet natyrore) tek investimet që kërkojnë treg (kompanitë që vijnë në vend për të shitur produktet e tyre) deri te investimet që kërkojnë efikasitet (kompanitë që krijojnë prodhim me vlerë më të lartë të shtuar në vend, duke e lidhur atë me zinxhirët e vlerës globale).
Çdo lloj IHD-je ka ndikimin e vet ekonomik, dhe disa lloje investimesh janë shumë më të dëshirueshme se të tjerat.
Dy të parat kanë ardhur dhe me gjasë do vazhdojnë të vijnë në Shqipëri. Nuk është e nevojshme të shpenzojmë burime të vlefshme për t’i nxitur ato të vijnë (si lehtësi fiskale, grante dhe subvencione).
Fokusi ynë duhet të jetë që të sigurohemi që kontributi i tyre në ekonomi të jetë pozitiv dhe që ato të mos kenë ndikim negativ në mjedis dhe shoqëri. IHD-të më të rëndësishme për Shqipërinë duhet të jenë kërkimi i efikasitetit.
Ky është lloji i investimit që mund të krijojë vende pune dhe mundësi më të mira, mund të sjellë procese të reja prodhimi në Shqipëri dhe ka dhe potencial për të zhvilluar një ekosistem të furnitorëve vendas.
Por ky është tipi më i vështirë për t’u tërhequr. Kur pyesni këta lloj investitorësh se cili është faktori më i rëndësishëm për të vendosur se ku të investoni, përgjigjja është shumë e qartë: aksesi në një grup të gjerë të fuqisë punëtore, me nivelin e duhur të aftësive – kështu që kapitali njerëzor është me të vërtetë në thelb të të gjithave.
Si e vlerësoni performancën e projekteve tuaja në Shqipëri deri më tani?
Me ndikim, por jo aq të shpejtë sa do të dëshironim. Premtimi ynë për vitin e ri 2024 është që së bashku me qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të ecim edhe më shpejt në procesin e zbatimit.
Këtë e kemi filluar, duke hartuar raporte mujore progresi, ku përcaktojmë çfarë është bërë, çfarë është vonuar dhe çfarë pritet për 30 ditët në vijim.
Këtë raport e kemi ndarë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (partneri ynë kryesor) dhe planifikojmë ta hartojmë rregullisht. Shpresoj që do ta përdorim së bashku për t’u treguar sa më të padurueshëm me vonesat dhe për të identifikuar dhe për të zgjidhur në mënyrë proaktive pengesat.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen në lidhje me projektet dhe mbështetjet për Shqipërinë?
Shpresoj shumë të kemi një angazhim më thelbësor në arsim dhe përfshirjen e grave dhe të rinjve në të gjitha fushat që përmenda më sipër, kur fola për kapitalin njerëzor.
Duke rrezikuar të jem përsëritës, jam i bindur se investimi në kapitalin njerëzor është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë Shqipëria. U detyrohemi për këtë të rinjve, grave dhe gjithë atyre që nuk kanë mundësitë e duhura për të përdorur talentet dhe aftësitë e tyre.
Duhet të heqim pengesat dhe të krijojmë themelet për një jetë të shëndetshme, produktive dhe të pëlqyeshme, këtu, në Shqipëri. Zgjidhjet janë shumë më pak komplekse nga ç’duken.
Do të sugjeroja që ta bëjmë 2024 një vit kur të gjithë bashkë të ndërmarrim veprime të rëndësishme për të forcuar dhe për të mirëpërdorur kapitalin njerëzor të Shqipërisë./MONITOR